1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjukanoviç: Mali i Zi shumë pranë anëtarësimit në NATO

Kryeministri i Malit të Zi tha se vendi i tij është shumë pranë anëtarësimit në NATO. Ai tha se ky integrim është interes kombëtar i vendit të tij. Kritikat nga Rusia për qëndrim antirus Gjukanoviçi i kundërshtoi.

Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanovic tha se vendi i tij "ndodhet shumë pranë" objektivit të anëtarësimit në NATO. Gazetarëve në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, Gjukanoviçi u tha të premten (25.04.14) se kjo është rezultat i punës që është bërë në këtë drejtim në Malin e Zi. Kryeministri i Malit të Zi shtoi se integrimet e vendit të tij në NATO dhe në BE janë në "interes kombëtar".

Megjithatë, ai paralajmëroi se janë ende shumë detyrime që duhen plotësuar derisa të merret vendimi për ta lejuar vendin e tij të bëhet anëtar në NATO.

Milo Gjukanoviçi tha më tej se politika e jashtme e vendit të tij përfaqëson "interesat realiste" të vendit. Anëtarësimi në NATO "është një sinonim për paqen e qendrueshme, për stabilitetin, për rendin dhe zhvillimin ekonomik. Prandaj ky proces nuk mund të jetë i drejtuar kundër interesave të dikujt tjetër".

Me këtë deklaratë ai kundërshtoi akuzat se politika e jashtme e vendit të tij është e drejtuar kundër Rusisë. Pavarësisht nga anëtarësimi në NATO, "Mali i Zi mbetet i angazhuar në qendrimin e tij për të ushqyer marrëdhënie të mira me vendet e tjera, duke përfshirë edhe Rusinë", tha Gjukanoviç.

Sanksione ruse kundër Malit të Zi?

Turistë rusë në Mal të Zi

Turistë rusë në Mal të Zi

Mediet malazeze cituan javën e kaluar informacione të disa gazetave ruse, sipas të cilave Rusia po përgatit sanksione kundër Malit të Zi për shkak të vendimit të tij për t'u bashkuar me qendrimin e Bashkimit Evropian në krizën e Ukrainës. Ambasadori i Rusisë në Mal të Zi, Andrei Nestarenko tha se nuk ka informacione zyrtare se Rusia do të eleminojë regjimin e qarkullimit pa viza me Malin e Zi. Informacione të tilla nuk i kishte edhe ambasada e Malit të Zi në Moskë.

Nga ana tjetër, sipas B92, Rusia i kishte përshkruar si "armiqësore" dhe "thellësisht zhgënjyese" deklaratat që Gjukanoviçit kishte bërë së fundi në vizitën e tij në SHBA.

Gjukanoviçi foli në SHBA për "ndërvarësinë midis krizës në Ukrainë dhe përpjekjeve për ta destabilizuar Ballkanin". Ai shtoi më tej se rajoni i Ballkanit ishte një territor "ku politikat pro dhe kundër Natos po e shohin veten në konflikt të fortë." Sipas tij, "sinjali nga Ukraina duhet të interpretohet në mënyrën e duhur". Gjukanoviçi rekomandoi "një zgjerim të konsiderueshëm të zonës euroatlantike të stabilitetit, veçanërisht në Ballkan."