1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuha kurde në Turqi

Nalan Sipar/Angjelina Verbica26 Tetor 2013

Për kurdët në Turqi njohja e gjuhës amtare është një çështje shumë e rëndësishme. Ndërkohë gjuha kurde, dikur e ndaluar, mësohet edhe në shkolla. Por vetëm si gjuhë e huaj.

https://p.dw.com/p/1A6jS
Fotografi: DW/N. Sipar

"Rojbas" do të thotë “mirëdita" në gjuhën kurde. Me këtë përshëndetje fillon ora e mësimit e gjuhës kurde në shoqatën Kurdi-Der në qendrën e kurdëve Diyarbakir. Pjesëmarrësit janë të gjithë kurdë nga mosha 25 deri 30 vjeçare. Librat i kanë të hapur, në mesin e tyre studentja e mjekësisë Derya Can. Ajo bën prej disa javësh stazh në një spital në Diyarbakir. Atje e ka kuptuar se sa pak e njeh gjuhën kurde: “Një gjë e tillë vështirëson komunikimin me pacientët dhe mund të shkaktojë probleme në të gjithë sistemin." Prandaj kam vendosur që të mësoj mirë gjuhën kurde dhe të bëhem një mjeke, që mund të komunikojë shumë mirë me pacientët e vet”, thotë 24-vjeçarja. Kur ka qenë fëmijë, në Turqi ishte e ndaluar të flitej gjuha kurde. Për këtë arsye Derya Can nuk e ka mësuar gjuhen amtare dhe flet turqisht.

Kushtetuta njeh vetëm gjuhën turke

Jo vetëm gjuha, edhe emrat kurdë, që përmbanin shkronjat si q,w ose x, kanë qenë të ndaluar për një kohë të gjatë. Vetëm para disa javësh qeveria turke bëri të ditur, se do të miratojë një paketë reformash, që parashikon shfuqizimin e këtij ndalimi.

Ky burrë bën përkthime nga gjuha kurde në atë turke për gjykatat
Ky burrë bën përkthime për gjykatën nga gjuha kurde në atë turkeFotografi: DW/N. Sipar

Zyrtarisht" mësimi i gjuhës amtare kurde" në shoqatën Kurdi-Der në Diyarbakir nuk lejohet të quhet "kurs gjuhe", sepse Ministria e Arsimit, e cila është përgjegjëse për miratimin dhe kryerjen e kurseve të gjuhës, nuk njeh në Turqi ndonjë gjuhë tjetër përveç turqishtes si gjuhë amtare. Kjo është e sanksionuar në nenin 42 të kushtetutës turke. Në të thuhet: "Përveç gjuhës turke qytetarët turq nuk duhet të mësojnë gjuhë tjetër në institucionet arsimore si gjuhë amtare." Edhe pas paketës së reformës të Erdoganit është bërë pak në lidhje me këtë nen. Në fakt në shkollat private mund të jepet mësim në gjuhën kurde, por nga kurdët ka shumë kritika, sepse ata nuk janë në gjendje t'i paguajnë shkollat private.

Për të respektuar nenin 42 të kushtetutës turke mësimi në Kurdi-Der nuk ofrohet si "kurs", por si seminar. Por edhe me këtë emertim ka patur pasoja, shpjegon Serhat Boz i kryesisë së shoqatës Kurdi-Der: "Ne kemi përpjetuar shumë probleme, kur kemi ndërtuar dhe hapur institutin. Kundër punonjësve tanë nisën hetimet, disa madje u ndëshkuan.“ Boz mendon se ato kanë tërhequr vemendjen e policisë vetëm për shkak të veprimtarisë së tyre në shoqatë dhe mjafton vetëm një deklaratë për shtyp për njohjen e gjuhës kurde si gjuhë amtare, për t'u përndjekur në bazë të ligjeve anti-terror.

"Hapat demokratikë nuk janë menduar seriozisht"

Në fakt qeveria turke ka bërë disa hapa për njohjen e gjuhës kurde në kuadër të "përpjekjeve demokratizuese". Para katër vjetësh ajo hapi televizionin e parë në gjuhën kurde, TRT 6. Përveç kësaj u krijua mundësia, që gjuha kurde të ofrohej si kurs shtesë në shkolla. Megjithatë emisionet e TRT 6 nuk janë të mbrojtura me kushtetutë. Qeveria turke mund t'i mbyllë ato në çdo çast. Dhe në shkolla gjuha kurde ofrohet vetëm në kuadër të mësimit të gjuhës së huaj, si gjuha angleze, apo gjermane. Një student, të cilit i duhet të zgjedhë ndërmjet gjuhës kurde dhe angleze, do t'i japë prioritet gjuhës angleze.

Mehmet Kaya nga qendra Tigris për studime sociale e quan të papranueshëm qëndrimin e qeverisë. Ai thotë se në administratën publike nuk ka ndonjë ofertë që shërbimet të kryhen në gjuhën kurde. "Nëse qeveria i ofron kurset vetëm në mënyrë simbolike dhe thotë "mësojeni gjuhën, nëse doni‘, përse duhet ta mësojnë atëherë? Pra hapat duhen marrë me seriozitet."

Diyarbakir konsiderohet si qendra e kurdëve në Turqi
Diyarbakir konsiderohet si qendra e kurdëve në TurqiFotografi: Nalan Sipar

Gjuha si lidhje me të kaluarën

Kurdët kanë katër kërkesa themelore ndaj qeverisë turke: Të njihet zyrtarisht identiteti kurd dhe gjuha kurde të mësohet në shkolla si gjuha e tyre amtare, të burgosurit politikë të lirohen dhe të drejtat e pakicave të forcohen me kushtetutë.

Për studenten e mjekësisë Derya ka edhe një shkak tjetër për të mësuar gjuhën kurde. Kur ka qenë fëmijë, prindërit flisnin me të në gjuhën kurde. Por kur shkoi në shkollë, asaj iu desh të mësojë turqisht dhe kështu e harroi gjuhën amtare. "Unë nuk jam në gjendje të bisedoj me gjyshërit e mi. Më kanë bërë që të humbas gjuhën time." Por gjuha është lidhja më e fortë me të kaluarën tënde. Ajo të ndihmon të kuptosh prejardhjen tënde."