1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuha e urrejtjes në mediet e Ballkanit

Arben Muka24 Tetor 2013

Zgjerimi i hapësirave në internet në vendet e Ballkanit Përendimor shoqërohet me intesifikimin e gjuhës së urrejtjes në mediat online. Është ky konstatimi i një studimi për gjuhën e urrejtjes në medie, mbështetur nga BE.

https://p.dw.com/p/1A5Kp
Gazetarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor diskutojnë për gjuhën e urrejtjes në medie.
Fotografi: DW/A. Muka

Komisioni Europian ka mbështetur së fundmi një studim për vendet e rajonit në identifikimin e treguesve konkretë në përhapjen e gjuhës së urrejtjes. Gazetarë dhe ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Turqia, por dhe vende të tjera fqinje me to, kanë zhvilluar tryeza diskutimi dhe panele mbi këto çështje, për aspektet kryesore ku ato shfaqen, si dhe përmirësimin e situtës. Ata shohin të lidhura domosdoshmërinë e lirisë së shprehjes dhe evitimin e ekstremitetit në përdorimin e gjuhës së përçmimit dhe injorimit të atij që mendon dhe vepron ndryshe.

Flutura Kusari, këshilltare ligjore në Rrjetin Ballkanik të Raportimeve Investigative, BIRN mendon se në Kosovë, në krahasim me vitet e konflikteve ndëretnike, ka një zvogëlim të gjuhës së urrejtjes dhe fyerjeve në media, por gjithsesi, sipas saj, ato ekzistojnë në trajtimin e temave për të drejtat e LGBT-ve, konfliktet etnike, minoritetet, çështjet kombëtare dhe ato fetare. Në përgjithësi kjo gjuhë vjen si pasojë e pranueshmërisë së ulët të diversitetit, mendimit ose përcaktimit tjetër, thotë Flutura Kusari për Deutsche Welle.

“Në mediat online në veçanti, gjuha e urrejtjes, ashtu si edhe faktet e paverifikuara dhe thirrjet për dhunë, paraqiten zakonisht tek komentet që gjenerohen nga lexuesit nën artikuj, e ndonjëherë edhe në kolumne e opinione. Më shumë se gjuha e urrejtjes, problem më i madh në mediat e Kosovës sot është shpifja që vjen si pasojë e verifikimit të dobët të materialit që botohet ose transmetohet”.

Ilda Londo, eksperte kërkimesh pranë Institutit Shqiptar të Medias në Tiranë mendon se shfaqjet e gjuhës së urrejtjes në media vijnë më tepër si pasojë e aktorëve të tjerë sesa nga fjalët dhe opinonet e gazetarëve apo stafit të redaksive. Vendin kryesor këtu sigurisht që e zë politika, ku debati i ashpër dhe aspak etik në politike transferohet nga konferencat për shtyp apo nga parlamenti direkt e në media, pa i ndryshuar as presjen, thotë Londo për DW.

Ekziston fenomeni i heshtjes së urrejtjes

“Sa i përket pasqyrimit të grupeve, ku ka prirje të shfryhet gjuha e urrejtjes, si pakicat kombëtare, komunitetet fetare, komuniteti LGBT, apo të tjerë, në përgjithësi gjuha është korrekte. Edhe pse herë pas here shfaqen tone ‘superioriteti' të shumicës ndaj pakicave apo ndaj grupeve ‘ndryshe', këto janë më tepër përjashtime. Unë do të thoja që për këto grupe nuk shkruhet keq, por shkruhet pak. Në këtë mënyrë kemi të bëjmë me tepër me heshtje urrejtjeje, sesa me gjuhë urrejtjeje, sidomos ndaj romeve. Diçka tjetër që do të veçoja në kontekstin shqiptar është edhe toleranca e ulët ndaj ‘mendimit ndryshe', e parë sidomos në debatet për rishikimin e historisë apo diskutimin për disa figura historike. Sërish, media nuk është zëri, por vetëm altoparlanti i këtyre debateve”, thotë Londo.

Gazetarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor diskutojnë për gjuhën e urrejtjes në medie.
Gazetarë dhe ekspertë nga Ballkani Perëndimor diskutojnë për gjuhën e urrejtjes në medie.Fotografi: DW/A. Muka

Kapërcimin e situatës me gjuhë urrejtjeje Ilda Londo nga Instituti Shqiptar i Medias e shikon në rradhë të pare tek vetërregullimi. Sipas saj në mediat shqiptare ekziston një nivel ndërgjegjesim i kënaqshëm për çështjet etike.

“Hapi tjetër do të ishte edhe vullneti për ta konkretizuar këtë ndërgjegjësim në nisma më praktike. Në rastin e gjuhës së urrejtjes online këto nisma janë kryesisht të natyrës teknike, pra hartimi i rregullave bazë, moderimi i diskutimit, përdorimi i filtrave, etj. Në një shkallë më të gjerë, krijimi i këshillave të etikës në redaksi apo me gjerë apo vendosja e ‘avokatëve të lexuesit', do të ishin të mirëpritur, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që duhen të piqen disa kushte që këto mekanizma të funksionojnë.”

"Nevojitet një strukturë adekuate ligjore!"

Flutura Kusari këshilltare ligjore nga Kosova i referohet trajtimit të rastit të fundit nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, ( Delfi As vs. Estonia) që bën portalet përgjegjëse për komentet e lexuesve, që vlen, sipas saj, edhe për gjykatat në Kosovë.

“Fillimisht duhet ofruar një strukturë adekuate ligjore në të cilën të gjithë mund të bazohen. Pastaj ekziston nevoja për ngritjen e vazhdueshme të vetëdijës tek mediat dhe qytetarët rreth pasojave të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, që rregullon mediat online, duhet të vazhdojë të kontribuojë në këtë drejtim. Së fundi, kualiteti i gjuhës në sferën publike është, në një rrafsh më indirekt, gjithashtu i ndërlidhur me gjendjen e kulturës së një vendi dhe rrethanat socio-ekonomike”.