1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjuha e urrejtjes në mediet në Evropën Juglindore

27 Nëntor 2010

Mediat kanë luajtur rol tejet negativ në periudhën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe luftërave gjatë viteve 90-të. Por gjuha e urrejtjes mbi baza etnike sot është më pak e pranishme në mediat në Ballkan.

https://p.dw.com/p/QJv4
Nga konferenca "Mediet në Evropën Juglindore".
Nga konferenca "Mediet në Evropën Juglindore".Fotografi: DW

Mediat dhe propaganda kanë qenë gjatë viteve 90-të disa prej armëve më të fuqishme në duart e zotërve të luftërave. Thirrjet për kryengritje, ofendimet dhe sharjet e shqiptarëve, serbëve, boshnjakëve, kroatëve apo maqedonasve, kanë qenë përditshmëri pothuajse në të gjitha mediat e kontrolluara prej regjimeve në ish - republikat jugosllave. Makineria e propagandës përhapte frikë dhe urrejtje, që shpesh shkaktonte dhe zhvendosje masive të bashkësive të ndryshme etnike. Gati dhjetë vjet prej përfundimit të luftërave, në hapësirat e ish - Jugosllavisë rrallë gjejmë në media propagandë të drejtëpërdrejtë kundër bashkësive të tjera etnike, por janë shtuar sulmet në veçanti ndaj grupeve të ndryshme minoritare, grupeve të ndryshme seksuale dhe fetare.

Në Bullgari për shembull më së shumti ofendohen romët dhe turqit, si dy grupet më të mëdha etnike në këtë vend, thotë Ognian Zlatev, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e Mediave në Sofje. Ndërsa në Shqipëri për problemin e romëve ndonëse është i madh, heshtet, shpjegon Remzi Lani, drejtor i Institutit për Media në Tiranë.

"Gjuha e urrejtjes në Shqipëri është ndryshe nga ajo në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Që të jemi të ndershëm, gjuha e urrejtjes në Shqipëri më shumë prodhohet nga politikanët se sa nga mediat. Por në Shqipëri kemi një fenomen tjetër shqetësues - heshtjen për urrejtjen Kjo do të thotë se për disa grupe, siç janë romët ne nuk flasim. Ka përmirësime, por gjendja është tepër e rëndë. Romët nuk sulmohen në media, ata nuk ekzistojnë fare në media"

- thotë Lani.

Ndryshe nga Shqipëria, e cila vetëm në mënyrë indirekte ishte e përfshirë nga shkatërrimi i përgjakshëm i ish-Jugosllavisë, Bosnjë - Hercegovina ishte një prej vendeve më të prekura nga gjuha e urrejtjes dhe lufta. Lejla Turçilo nga Universiteti i Sarajevës, shpjegon se situata sot ka ndryshuar, por gjuha e urrejtjes nuk ëshë zhdukur në tërësi.

Pjesëmarrës të konferencës "Mediet në Evropën Juglindore"- në mes Lejla Turçilo.
Pjesëmarrës të konferencës "Mediet në Evropën Juglindore"- në mes Lejla Turçilo.Fotografi: DW

"Gjuha e urrejtjes në baza etnike është gjithnjë e më pak e pranishme, për shkak të rregullimit të mirë ligjor në sektorin e informimit të mediave elektronike në Bosnjë-Hercegovinë. Në mediat e shkruara kemi një prani më të madhe të gjuhës së urrejtjes. Parimet etnike respektohen gjatë raportimit, por jo edhe grupet tjera, të cilat ose injorohen fare ose për to flitet me një gjuhë shumë të thatë sterile. Prolemi i tretë i gjuhës së urrejtjes është e ashtuquajtura luftë mediatike mes drejtuesve të mediave. Në 2008 kemi pasur një luftë të vërtetë të pronarëve të mediave, që ka lidhje edhe me bazat etnike."

Po çfarë ka ndodhur me të ashtuquajturit gazetarë, të cilët gjatë viteve 90-të më shumë kanë qenë në shërbim të propagandës se sa profesionit të tyre? Ky është një problem shumë serioz për Bosnjë-Hercegovinën, thotë Turçilo.

Problemi më i madh me ata, të cilët para dhe gjatë luftë kanë nxitur urrejtjen dhe luftës është, që asnjë prej tyre nuk është përgjigjur para drejtësisë. Gazetari Bora Kontiq së fundi ka paraqitur një libër për luftënxitësit më të mëdhenj, gjatë luftës dhe ka ardhur në përfundimin, se ata sot janë të punësuar në universitete, prej këtyre fakulteteve kanë marrë ndonjë titull shkencor, ende punojnë në media ose janë aktiv në kulturë dhe arsim.

Gjuha e urrejtjes për shkak rregullimit të mirë ligjor është larguar në masë edhe nga hapësirat e Kosovës, por ende nuk është zhdukur. Serbeze Haxhiaj Isufi thotë:

"Në vendet e dala nga konfliktet, si në Kosovë, ka shumë gjuhë urrejtjeje, por në Kosovë nuk ka pasur një gjuhë kaq të përhapur. Kjo për shkak se Kosova ka qenë e kontrolluar prej faktorëve ndërkombëtarë. Megjithatë ka pasur raste. Interesante është, që në asnjë prej këtyre rasteve nuk ka pasur ndjekje penale apo dënim të atyre, që kanë përhapur gjuhën e urrejtjes".

Një prej vendeve, ku më së shumti është përdorë gjuha e urrejtjes gjatë viteve 90-të është edhe Serbia, ku edhe sot shpesh gjejmë gjurmët e shprehjes së këtyre opinioneve. Udhëheqësja e rrjetit BIRN, Gordana Igriq shpjegon:

"Dikur kemi pasur më shumë gjuhën e urrejtjes mbi baza etnike. Një koncept ka vazhduar edhe sot në kohën kur jetojnë në shtetet tona, le të themi, të pastra etnike. Por tani më shumë sulmohet dhe ofendobhet kundërshtari politik. Pra sot kemi më pak të bëjmë me urrejtjen mbi baza etnike dhe më shumë me urrejtjen ndaj kundërshtarëve politikë dhe një shoqërie të ndarë."

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani