1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

GJK shpall vendimin për zgjedhjen e kryeparlamentarit të Kosovës

Vendimi final i Gjykatës Kushtetuese, nuk dallon nga njoftimi i datës 22.08 ku zgjedhja e Isa Mustafës kryetar i Kuvendit të Kosovës u cilësua antikushtetuese. Thaçi kërkon ndërtimin e institucioneve me bazë të gjerë.

Parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës

Në Kosovë Gjykata Kushtetuese, publikoi në faqen e vet zyrtare aktgjykimin KO119/14, përkitazi me vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 05-V-001, të votuar nga 83 deputetë të Kuvendit, më 17 korrik 2014.

Vendimi nuk dallon nga njoftimi i datës 22.08 i Gjykatës Kushtetuese, e cila zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës e cilësoi antikushtetuese. Në vendimin final Gjykata Kushtetuese nuk jep sqarime nëse në rast të dështimit të zgjedhjes së kryeparlamentarit nga një grup parlamentar, e drejta t'i kalohet grupit tjetër, që rrjedhimisht askund në Kushtetutë nuk parashihet që dështimi në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit do të shkaktonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me rregulloren relevante të Kuvendit dhe ta bëjnë Kuvendin funksional”, thuhet mes tjerash në arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese.

Thaçi kërkon ndërtimin e institucioneve me bazë të gjerë

Hashim Thaci

Hashim Thaçi kërkon gjithëpërfshirje

Pas publikimit të vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, kryeministri i Kosovës në detyrë, Hashim Thaçi, tha se “tash të gjitha partitë politike duhet të punojnë që të implementohet rezultati i zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit”, dukë i bërë thirrje secilit lider të partive politike që të ngrihet, siç thotë ai, mbi interesat personale.

“Tani le të punojmë bashkërisht për të implementuar rezultatin e zgjedhjeve nacionale të 8 qershorit. PDK si fituese e këtyre zgjedhjeve do të punojë me vullnetin gjeneroz dhe frymën mirëkuptuese me spektrin politik kosovar. Sot është momenti që secili lider dhe secila parti të ngrihet mbi interesat e ngushta në interes të shtetit dhe të gjithë shoqërisë. Të ndërtojmë pa humbur kohë institucione të qëndrueshme me bazë sa më të gjerë. Publikimi i vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar qartë se si duhet të vijojë procesi i ndërtimit të institucioneve në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.

Blloku LDK, AAK dhe Nisma, thotë se atij i hapet rruga

Në një deklaratë për media, blloku i partive në koalicion LDK-AAK-Nisma, vlerëson se me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të publikuar më datën 26.08, hapet rruga për krijimin e institucioneve nga blloku LDK-AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

Blloku opozitar

Blloku mendon se i hapet rruga

“Aktgjykimi, në veçanti në pikat 126 dhe 127, saktëson të drejtën dhe detyrimin kushtetues të deputetëve për të gjetur mënyrën për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, i cili zgjidhet me shumicën e votave. Koalicioni LDK-AAK-Nisma, bashkë me partnerët, do të vijojë punë për të finalizuar ndërtimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e të zgjedhurve të popullit të Kosovës. Koalicioni dhe partnerët janë të përkushtuar që institucionet të ndërtohen sa më parë, me qëllim që të jenë në funksion të interesave të qytetarëve te Kosovës”, thuhet në reagimin e bllokut LDK, AAK, Nisma.

Ndërkohë, njëri nga anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, i cili në seancën dëgjimore të datës 22.08, mbrojti argumentet e PDK-së, përballë atyre të bllokut të koalicionit, (LDK, AAK dhe Nisma), tha sot se në bazë të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, mundësia e votimit për kryetar të Kuvendit është e pa përcaktuar, duke hedhur kështu poshtë mundësinë që nëse në raundin e parë nuk zgjidhjet kryetari i Kuvendit, vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Nëse nuk zgjidhjet kryetari i Kuvendit ne raundin e parë, nuk shkohet në zgjedhje të reja

“Nuk ka vetëm njëherë mundësi votimi për kryeparlamentar. Dështimi i zgjedhjes në secilën radhë të kryetarit të Kuvendit nuk implikon zgjedhje te reja. Nga raundi i parë, e të gjithë të tjerët deri tek raundi i fundit, propozimi i takon vetëm grupit më të madh parlamentar të definuar sipas vendimit të KQZ-së për çertifikimin e zgjedhjeve, që është Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës!”, ka shkruar në profilin e tij në "Facebook", Arsim Bajrami.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj ka konstatuar se seanca konstituuese e filluar më 17 korrik 2014, nuk është realizuar plotësisht. Nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Kuvendi duhet ta përfundojë seancën konstituuese, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët në pajtim me nenin 67 (2), në lidhje me nenin 64 (1), të Kushtetutës dhe me Kreun III të Rregullores së punës që zbaton këto nene dhe në pajtim me këtë aktgjykim.

Flora Brovina, deputetja më në moshë e Kuvendit të Kosovës, e cila do ta udhëheqë vazhdimin e seancës konstituuese, ka thënë se pas publikimit të aktgjykimi të plotë nga Gjykata Kushtetuese, ajo menjëherë do të fillojë konsultimet me udhëheqësit e partive politike parlamentare për vazhdimin e seancës.

"Unë po e pres materialin nga Gjykata Kushtetuese, pastaj sigurisht që më nevojitet një kohë për t'u konsultuar me kryetarët e grupeve parlamentare që të mos kemi probleme të ngjashme me situatën që ka ndodhur paraprakisht. Duhet të kemi një harmoni mes veti dhe të procedojmë në mënyrë të rregullt për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarët", ka thënë deputetja Flora Brovina, e cila vjen nga Partia Demokratike e Kosovës.