1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjithnjë e më tërheqëse për studentë nga rajoni - Universitetet publike në Shqipëri

Universitetet publike të Shqipërisë po tërheqin një numër në rritje studentësh nga vendet e rajonit dhe më gjerë. Përfshirja në procesin e Bolonjës i bën diplomat e këtyre studentëve të vlefshme në vendet e BE.

Universiteti i Tiranës.

800 të rinj dhe të reja nga Kosova, Lugina e Preshevës, Bujanovci por edhe nga trevat shqipfolëse të Maqedonisë dhe Malit të Zi dhe 220 nga vendet e tjera të rajonit, kanë zgjedhur universitetet publike të Shqipërisë për të filluar studimet e larta në vitin e ardhshëm akademik 2011 – 2012.

Albano Zhapaj, Drejtor i Drejtorisë për kurrikulat mësimore në Ministrinë e Shkencës dhe të Arsimit të Lartë, thotë se universitetet publike të Shqipërisë kanë kuota preferenciale për të rinjtë dhe të rejat nga trevat shqipfolëse të rajonit. Por çfarë programesh studimi u ofrojnë universitetet publike të Shqipërisë këtyre studentëve?

Në Shqipëri universitetet publike ofrojnë 195 programe studimi. Por ka edhe programe që janë në vlerësim e sipër, gjë që e rrit numrin e tyre në 200. Programet janë të ndara sipas fushave dhe shkencave: sociale, mjekësore, farmaceutike, inxhinierike, shkencat e natyrës e kështu me radhë” - shpjegon Albano Zhapaj.

Albano Zhapaj, drejtor i Drejtorisë për kurrikulat mësimore në Ministrinë e Shkencës dhe të Arsimit të Lartë.

Albano Zhapaj, drejtor i Drejtorisë për kurrikulat mësimore në Ministrinë e Shkencës dhe të Arsimit të Lartë.

Z. Zhapaj thotë se kërkesat më të mëdha janë për të studiuar në Universitetin Publik të Tiranës, ku më shumë preferohen mjekësia dhe degët e inxhinierisë. Programet e studimet kanë kurrikula mësimore bashkëkohore.

“Shqipëria është pjesë e procesit të Bolonjës dhe kurrikulat mësimore në arsimin e saj të lartë publik janë në linjë me këtë process. Pjesëmarrja në këtë proces ka sjellë edhe reformimin e thellë cilësor të arsimit të lartë publik, përshtatjen e kurrikulave mësimore. Studentët e universiteteve publike të Shqipërisë nuk kanë ndeshur në asnjë problem për njohjen e krediteve ne universitetet e vendeve anëtare të BE, pasi ato janë të transferueshme.” thotë Albana Zhapaj.

Studentë në universitetin e Tiranës.

Studentë në universitetin e Tiranës.

Kriteret e pranimit dhe kostot e studimit

Ndonëse me kuota preferenciale studentët që vijnë nga Kosova apo trevat shqipfolëse të Luginës së Preshevës, Bujanovcit apo ato të Maqedonisë dhe Malit të Zi për t'u pranuar nga universiteteve publike të Shqipërisë duhet të plotësojnë kriteret dhe t'i nënshtrohen konkursit. Kriteret janë të njëjta si ato për studentët vendas. Në krye të tyre qëndron mesatarja e notave dhe formimi i përgjithshëm kulturor i kandidatëve. Ndërkohë ata që përzgjidhen duhet të paguajnë edhe tarifat e studimit.

“Tarifat e studimit nuk janë të njësuara por të ndryshme dhe në varësi të programit të studimit. P.sh. programi i arkitekturës ka një tarifë prej 250 eurosh në vit, ai i mjekësise 300 euro, shkencat bujqësore 150 euro. Këto tarifa përbëjnë nga 10 – 20 % të kostos reale të programit të studimit pasi 80% të tyre përballohen nga shteti,” vë në dukje Albano Zhapaj.

Për herë të parë edhe studentë nga Afganistani

Pagesa vetëm 20% e kostos reale të programit të studimit ka ndikuar në rritjen e numrit edhe të kërkesave nga vendet e rajonit dhe me gjerë.

“Për shtetasit e huaj këtë vit kemi akorduar 220 të drejta studimi, 20 më shumë se vitin e kaluar . Vijnë nga Italia, nga Greqia, nga Serbia etj . Risia e këtij viti është që në universitete publike të Shqipërisë do të ketë edhe 100 studentë nga Afganistani” - thotë Albano Zhapaj.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani