1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Gjithkund zjarr!" - Trazira të refugjatëve në një kamp australian

Në metropolin australian Sydney refugjatët, që presin në një kamp internimi përgjigjen për kërkesën e tyre për azil, vunë zjarre të mërkurën (20.4.) dhe pushtuan një çati shtëpie.

default

Refugjatë afganë mbërrijnë në Australi

Rreth 100 refugjatë nga Pakistani, Afganistani dhe Irani ishin ngjitur në çatinë e ndërtesës së refugjatëve, ku ishin strehuar. Ata kërkuan negociata dhe pasi këto u refuzuan nga autoriteti për imigracionin, i vunë zjarrin shumë ndërtesave të kampit të internimit në Sydney. Në fund ata qëlluan zjarrfikësit, që erdhën për të shuar zjarrin me pjesë mobiljesh dhe tjegulla. Kuzhina dhe stacioni i të sëmurëve në kompleksin për refugjatët u dogjën plotësisht.

"Një mrekulli që nuk u lëndua askush"

Sandy Logan, zëdhënësi i autoritetit australian për imigracionin tregon se ishte një natë e vështirë. "Policia e New South Wales, zjarrfikësit dhe ambulancat e patën të vështirë të vinin nën kontroll situatën. Kudo digjeshin zjarre, pati shkatërrime të mëdha. Tani fillimisht po sigurohemi që të gjithë njerëzit në zonë janë në siguri. Është vërtetë një mrekulli që nuk u lëndua askush."

Protest gegen Flüchtlingslager Australien 2002

Shpesh ka pasur protesta të refugjatëve në Australi. Arseyja koha e gjatë e qëndrimit në kampe

Jamal Daoud nga organizata humanitare "Rrjeti i drejtësisë sociale" i ka ndjekur ngjarjet në kamp. Daoud: "Fillimisht në mëngjes një grup refugjatësh u ngjit mbi çati dhe kërkoi negociata me autoritetin për imigracionin për situatën e tyre në kamp. Por askush nuk pranoi të fliste me ta. Më pas filluan tensionet, banorët e kampit i sulmuan forcat e sigurisë me bombolat për shuarjen e zjarrit, forcat e sigurisë u larguan. Atëherë iu vu zjarri shumë ndërtesave, fillimisht kuzhinës, pastaj zyrave me kompjutera. Shumë njerëz, të cilët nuk morën pjesë në protestë, kishin frikë të madhe. Nga tymi ata kishin vështirësi të merrnin frymë ."

Refugjatët në Australi qëndrojnë të izoluar në kampe

400 refugjatët në qendrën Villawood presin pjesërisht mbi një vit derisa të merren në pyetje nga autoritetet. Gjatë gjithë kësaj kohe ata nuk janë të lejuar të largohen nga kampi. Kjo është një situatë e pamundur, thotë Brami Jegan nga organizata humanitare "Refugee Action Coalition". Dikur stresi dhe dëshpërimi bëjnë që të ndodhin trazira të dhunshme.

Australia si rregull i mban refugatët në kampe gjatë kohës që shqyrtohen kërkesat e tyre për azil. Ata nuk kanë të drejtë të largohen nga kampet. Që një muaj më parë pati protesta të dhunshme në ishullin austrialian të Krishtlindjeve, ku azilkërkuesit protestuan kundër kushteve të këqija të jetesës dhe u vunë zjarrin ndërtesave. Në ishullin e Krishtlindjeve, i cili ndodhet para brigjeve të Indonezisë, vendosen një pjesa e madhe e refugjatëve. Por meqenëse numri i tyre është vazhdimisht në rritje, përdoren edhe kampe në kontinent.

Autor: Udo Schmidt/Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi