1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania voton para syve të botës

Ines Pohl
4 Korrik 2017

Zgjedhje ka vazhdimisht, por përse janë zgjedhjet 2017 të veçanta për Gjermaninë? Kryeredaktorja Ines Pohl sqaron.

https://p.dw.com/p/2fqve
Wahlraum am Tag der Bundestagswahl 22.09.2013
Fotografi: Jens Schlueter/Getty Images

Bota vëzhgon këto javë dhe muaj intensivisht Gjermaninë. Shumë e bëjnë këtë me admirim dhe vlerësim. Por jo të gjithë: ndërsa disa pyesin pothuajse me zili se si ia del mbanë Gjermania që pavarësisht gjithë sfidave dhe problemeve të ketë një stabilitet të tillë themelor, të tjerë kanë frikë nga një superioritet i përtërirë i këtij vendi në zemër të Evropës.

Disa e shohin në Gjermaninë dhe kancelaren e saj Angela Merkel, si strehën e fundit, që mund ta ruajë BE-në nga shpërbërja, të tjerë e akuzojnë Gjermaninë se do t'i imponojë kontinentit me të gjitha fuqitë rregullat e saj. Dhe jo për hirë të Evropës, por vetëm për përfitimin e saj vetiak: çdo gjë për kampionen e eksporteve dhe të mrekullisë së vazhdueshme ekonomike.

Akti humanizimi apo shkatërrim i Perëndimit?

Varësisht se ku jam në botë takoj njerëz që e lavdërojnë gatishmërinë e Gjermanisë për të pranuar më shumë se një milion refugjatë si një akt humanizimi – ose takoj njerëz të zemëruar që na akuzojnë se duke joshur e refugjatët e shumtë jemi përgjegjës për shkatërimin e Perëndimit të krishterë.

Prandaj ne Deutsche Welle i kushtojmë rëndësi fushatës së ardhshme zgjedhore. Më 24 shtator Gjermania zgjedh një parlament të ri dhe vendos se kush do ta drejtojë këtë vend në të ardhmen. Si medie ndërkombëtare, ne duam të përdorim vëmendjen që na kushtohet për të shpjeguar se çfarë po ndodh në vendin tonë. Çfarë i preokupon gjermanët, të cilët në tërësi janë të kënaqur me kursin e qeverisë së tanishme. Nga çfarë kanë ata frikë në të ardhmen? A është Gjermania vërtetë e gatshme që ta konsidrojë veten si vend emigracionit? Apo janë sukseset elektorale të partive populistë të djatht më  tepër një dëshmi se politika përcakton një kurs që shumë qytetarë nuk e mbështesin?

Ne gjithashtu do të shpjegojë se prej nga buron suksesi ekonomik gjerman, si funksionon sistemi arsimor gjerman dhe çfarë është e jashtëzakonshme në këtë sistem. Ne do të portretizojmë politikanë kryesorë dhe natyrisht do të sqarojmë edhe fenomenin Angela Merkel, e cila kandidon për herë të katërt dhe është një nga personalitetet më të famshme në botë.

Çfarë mund të pritet prej kujt dhe ç'politikë e jashtme? Sa të rëndësishme janë obligimet ndaj traktateve, si NATO? Sa e rëndësishme është politika e zhvillimit? Ose a ka kandidatë për të cilët rritja e shpenzimeve ushtarake është e rëndësishme? Si e sheh Gjermania rolin e saj brenda BE-së?

Diskutoni me ne: Çfarë është Gjermania?

Ne duam të jemi në diskutim të vazhdueshëm me ju, lexuesit apo shikuesit tanë. Ne duam t'ju përfshijmë në lajmet dhe reportazhet tona. Prandaj na drejtoni pyetje ose shprehni mendimin tuaj përmes  #askDW. Ne si Deutsche Welle duam të jemi muajt e ardhshëm një platformë diskutimi në 30 gjuhë dhe për të trajtuar tema të tilla si: ç'është Gjermania?  Ç'rol duhet të luajë ky vend në të ardhmen në politikën e sigurisë, në kuadër të NATO-s dhe në kuadër të Bashkimit Evropian? Cilat janë shpresat që keni ju prej qeverisë së ardhshme? Çfarë ju frikëson, ku shihni ju pika tipike të forta dhe të dobëta të Gjermanisë?

Përmes hashtag #GermanyDecides mund të gjeni të gjitha materialet tona në Facebook, Twitter, TV dhe në faqet tona të internetit.

Gëzohemi për kontributin tuaj për diskutimeve që me mbështetjen e rrjetit tonë global të korrespondentëve dhe redaktorëve në Berlin dhe Bon të shpjegojmë se çfarë po ndodh në Gjermani - dhe përse do të votojmë më 24 shtator.