1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjermania vështron me vëmendje zhvillimet pas zgjedhjeve në Afganistan

Pas tërheqjes së Abdullah Abdullahut, Komisioni i Pavarur Zgjedhor i Afganistanit e anulloi raundin e balotazhit presidencial. Presidenti i ri është në këtë mënyrë Hamid Karzai. Vlerësime nga Berlini.

Presidenti i ri dhe i vjetër i Afganistanit, Hamid Karzai

Presidenti i ri dhe i vjetër i Afganistanit, Hamid Karzai

Zgjedhjet parlamentare në Afganistan shihen në Berlin si mësim

Presidenti i vjetër dhe i ri afgan Hamid Karzai duhet të përpiqet të jetë "President i të gjithë afganëve" dhe të bashkojë kampet e ndryshme, tha Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle (FDP) duke komentuar moszhvillimin e raundit të balotazhit.

Zgjedhjet parlamentare të karakterizuara nga manipulimet shihen në Berlin si mësim. Afganistanit i mungon akoma shteti juridik dhe institucionet, të cilave qytetarët mund t'u besojnë, në këtë drejtim bashkësia ndërkombëtare duhej të punonte më fort. Shumë shtrojnë pyetjen, se si mund të zgjidhen problemet në bazë, kur kreu i shtetit është i korruptuar? Politikani liberal, Werner Hoyer, ministër shteti në Ministrinë e Jashtme tha në radion Deutschlandfunk:

"Besoj se bashkësia ndërkombëtare, që angazhohet në Afganistan, duhet t'u kushtojë vemendje të veçantë çështjeve të shtetit ligjor në Afganistan. Pavarësisht nga mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, punët nuk mund të shkojnë mirë në periudhë afatgjatë, nëse një vend sundohet në një masë kaq të madhe nga korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar. Atëherë me siguri që nuk do të arrihet krijimi i strukturave të besueshme dhe i një shteti pa korrupsion, në të cilin edhe qytetaret dhe qytetarët të kenë besim."

Ngjashëm mendon edhe deputeti Tom Koenigs, i të Gjelbërve, i cili në vitet 2006 dhe 2007 ka qenë i dërguar i posaçëm i OKB-së në Afganistan.

"Rezultati ishte sigurisht zhgënjyes, sepse Afganistani ka tani një President, legjitimiteti i të cilit është dëmtuar. Edhe procesi zgjedhor është dëmtuar, edhe besimi te demokracia sigurisht që nuk forcohet në këtë mënyrë."


Një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin më 2010 do të vendosë piketat

Një President i dobët me legjitimitet të kufizuar nuk është në interes të bashkësisë ndërkombëtare. Sepse qeveria e Presidentit Hamid Karzai do të jetë pala kontaktuese, kur të vihen piketat për rindërtimin e vendit. Kjo do të realizohet në një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin, e cila pritet të zhvillohet në fillim të vitit 2010. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Ulrich Wilhelm, shpjegon:

"Ne duam që së bashku me qeverinë e re afgane të përcaktojmë piketat për rindërtimin e vendit në vitet e ardhshme, p.sh. përmirësimin e përgatitjes së policisë dhe ushtrisë. Duke patur parasysh sfidat e mëdha, përpara të cilave ndodhet Afganistani, por edhe bashkësia ndërkombëtare, përsa i përket përballimit të detyrave të saj në Afganistan, qeveria e re ka nevojë për mbështetje dhe për besimin e popullsisë afgane."

Se sa e madhe vazhdon të jetë mbështetja, vetëm mund të supozohet në Berlin. Por nga të gjitha pohimet lidhur me këtë çështje dëgjon se me gjithë autokritikën për të metat e bashkësisë ndërkombëtare, presioni ndaj afganëve duhet të rritet.

"Afganasit duhen ngarkuar me përgjegjësi dhe pastaj u duhet kërkuar edhe llogari, atëherë mund të tërheqësh trupat me një perspektivë të logjikshme."

Hë për hë qeveria gjermane nuk do të bëjë ndryshime, përsa i përket angazhimit të Bundesverit në Afganistan. As forca e trupave – maksimalisht 4.500 ushtarë – dhe as plani i misionit nuk do të ndryshojnë, kur të zgjatet mandati në dhjetor. Për mundësinë e rritjes së kontigjentit do të vendoset pas konferencës për Afganistanin.

Zu Guttenberg: Situatë e ngjashme me luftën në Afganistan

Ndryshe nga paraardhësi i tij Franz-Josef Jung (UKD), Ministri i ri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg flet për "një situatë të ngjashme me luftën" në Afganistan. Guttenberg-u tha në gazetën Bild se e kupton secilin ushtar, që thotë se në Afghanistan zhvillohet luftë. Paraardhësi i tij e kishte shmangur gjithnjë fjalën luftë në kontekstin e misionit në Afganistan.

Autor: Nina Verkhojzer/ Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMi8
  • Data 03.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KMi8