1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania: Tronditje për sulmet ndaj koptëve në Egjipt

Atentati ndaj besimtarëve të krishterë koptë në Egjipt në ditën e parë të vitit të ri ka shkaktuar reagime në opinionin ndërkombëtar. Në Gjermani të gjitha partitë reaguan me shqetësim.

default

Peshkopi i Kishes ortodokse Kopte Anba Damian në Gjermani

Faktikisht përndjekja ndaj të krishterëve ka qenë një temë e politikës gjermane edhe përpara këtij atentati. Pak para Krishtlindjeve në seancën e fundit të vitit 2010 në Bundestag (parlamenti gjerman) u diskutua për mbrojtjen e lirisë së besimit në mbarë botën.

Kancelarja Angela Merkel është mjaft e shqetësuar lidhur me sulmin ndaj besimtarëve të krishterë pjesëmarrës në meshën në Aleksandri, deklaroi zëdhënësi i qeverisë Christoph Steegmans. Ai citoi nga telegrami i ngushëllimit të kancelares drejtuar presidentit të Egjiptit Husni Mubarak: „Qeveria e dënon ashpër këtë akt barbar terrorist, si pasojë e të cilit humbën jetën të krishterë, por edhe myslimanë. Ju falenderoj Juve, që qeveria ndërkohë ka marrë masat për mbrojtjen e të krishterëve koptë në Egjipt dhe jam e bindur se Ju do të bëni gjithçka është në kompetencat Tuaja për t' i parandaluar të tilla veprime në të ardhmen."


Kërkohet kundërvënia me efektivitet ndaj intolerancës fetare

Deputetët e Bundestagut si nga partitë e koalicionit qeverisës, ashtu edhe nga partitë e opozitës në intervistat dhënë mediave shtrojnë pyetjen, nëse mund të bëjë më shumë qeveria gjermane në mbrojtje të pakicave të krishtere. Zëdhënësi i ministrit të Jashtëm Guido Westerwelle, Stefan Bredohl, vuri në dukje se ministri e ka trajtuar këtë temë në shumë raste, si p.sh. pranë Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Gjenevë. „Ne përpiqemi ta diskutojmë këtë çështje edhe në OKB. Gjithashtu këtë temë e kemi vazhdimisht në vëmendje dhe në rendin e ditës gjatë vizitave në vende të ndryshme.“

Deutschland Kirche Kopten Vater Pigol Bassili in Frankfurt

Pigol Bassili, bashkesia kopte në Frankfurt mbi Main

Kopten in Deutschland

Novizë koptë duke kenduar liturgji në manastirin e Shën Antonit, Waldsolms-Kröffelbach

Politikani ekologjist Volker Beck kërkoi megjithatë nga qeveria që të ushtrojë më shumë presion ndaj Egjiptit dhe shteteve të tjera, në mënyrë që ato t' i kundërvihen me efektivitet intolerancës fetare. Deputeti i partisë kristiandemokrate në koalicionin qeverisës, Stefan Müller, kërkoi rishikimin e politikës gjermane të zhvillimit. Sipas tij, politika e zhvillimit duhet të orientohet duke pasur parasysh, "nëse në një vend të krishterët përndiqen nga shteti, apo nga ndonjë palë tjetër". Por qeveria gjermane nuk është e gatshme tani për tani që të nxjerrë të tilla konsekuenca. Zëdhënësi i ministrit të Zhvillimit Dirk Niebel, Knut Steinhäuser, tërhoqi vëmendjen se qeveria egjiptiane përpiqet t' i parandalojë akte të tilla terroriste. „Në përgjithësi bashkëpunimi vihet në pikëpyetje, kur kemi të bëjmë me shkelje arbitrare dhe sistematike të të drejtave të njeriut. Në këtë rast nuk është kështu."

Kërkohet më shumë solidaritet prej organizatave myslimane në Gjermani

Shumë politikanë të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial u bëjnë thirrje organizatave myslimane në Gjermani, që të dënojnë qartë sulmet ndaj të krishterëve në vendet islamike. Kryetari i grupit parlamentar të kristiandemokratëve në Bundestag, Volker Kauder, në një intervistë radiofonike theksoi: „Unë do të dëshiroja, që përfaqësuesit e myslimanëve në Gjermani të distancohen prerazi nga veprime të tilla. Ky do të ishte edhe një solidaritet i nevojshëm."

Rreth 6000 të krishterët koptë, që jetojnë në Gjermani, ndihen të kërcënuar. Ata ishin informuar nga autoritetet gjermane të sigurisë përpara atentatit në Aleksandri për një plan për sulm, që qarkullonte në internet, deklaroi Peshkopi i tyre Anba Damian. Sipas tij koptët do të sulmohen natën në të gdhirë të 7 janarit, kur është kulmi i festës koptike të Krishtlindjeve. Zëdhënësi i ministrit të Brendshëm gjerman Wolfgang Schäuble konfirmoi se për këtë arsye autoritetet e sigurisë janë në kontakt me bashkësitë kopte në disa qytete.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora/Peter Stützle

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 04.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ztPL
  • Data 04.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/ztPL