1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjermania tërheq ushtarët nga Turqia

Gjermania dhe SHBA po përgatisin tërheqjen e tyre nga Kahramanmarasi i Turqisë. NATO e vlerëson tani si "shumë të ulët" kërcënimin nga raketat balistike nga Siria për Turqinë.

Ky mision jashtë vendit ka marrë fund - për ta thënë troç. Baza e tij, e quajtur në gjuhën ushtarake "urdhër", është shkatërruar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Dhe madje më shpejt nga sa pritej. Sistemi i mbrojtjes nga raketat i tipit Patriot të ushtrisë gjermane Bundeswehr, është vendosur në qytetin jugor turk të Kahramanmarasit që nga janari 2013. Bashkë me to edhe 250 ushtarë gjermanë që mbikëqyrin kufirin aty pranë me Sirinë. Tani ata do të rikthehen në Gjermani, sepse aty thjesht nuk ka më asgjë për të mbikëqyrur.

NATO e vlerëson tani si "shumë të ulët" kërcënimin nga raketat balistike nga Siria për Turqinë. Me fjalë të tjera, strategët ushtarakë në Bruksel e konsiderojnë të pamundur që palët ndërluftuese në Siri të qëllojnë me raketa ndaj territorit të Turqisë. Rrjedhimisht sistemi i mbrojtjes nga raketat Patriot nuk është më i nevojshëm në Kahramanmaras. Gjermania dhe SHBA, aktorët kryesorë në këtë mision të NATO-s, po përgatisin tërheqjen e tyre. Sot nuk është më arsenali i raketave të presidentit sirian Asad, i cili i shkakton rajonit frikë dhe terror, por milicia terroriste "Shteti Islamik". Dhe ajo lufton me mjete krejtësisht të ndryshme.

Një partner i paparashikueshëm

Fakti që "Shteti Islamik" mundi të bëhej kaq i fortë, ka të bëjë gjithashtu me kursin e Turqisë, e cila qëndroi për një kohë të gjatë jashtë luftës kundër milicisë mizore terroriste. Kur qeveria e Rexhep Tajip Erdogan më në fund ndërhyri, ajo e bëri këtë me një goditje të dyfishtë të habitshme - ajo e shfrytëzoi angazhimin e saj kundër "IT-it" për të vepruar në të njëjtën kohë ushtarakisht kundër PKK-së së pakëndshme kurde. Në këtë mënyrë numri i fronteve në rajon është rritur përsëri.

Në këtë situatë të tensionuar, nuk ka më asnjë arsye që Bundeswehri të vazhdojë të qëndrojë në Kahramanmaras. Shumë i madh është rreziku për t'u përfshirë në konfliktin brenda Turqisë. Misioni ushtarak gjatë të cilit nuk lindi nevoja e asgjësimit as edhe të një rakete të vetme, ishte gjithsesi pa ndonjë vlerë të madhe ushtarake. Ai ishte kryesisht një gjest solidariteti me aleaten e NATO-s, Turqinë. Fakti që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara po i tërheqin tani trupat e tyre, është një hap i drejtë - dhe gjithashtu një hap që duhet ta bëjë të mendohet qeverinë turke.