1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania synon të jetë lider në degën e IT-së

IT është shkurtesa për teknologjinë e informacionit dhe komunikacionit. Kur flitet për të, pjesa më e madhe e njerëzve mendojnë fillimisht për kompjuterat, internetin apo smartphones. Por IT është më shumë se kaq.

default

Klubi i futbollit Bajern i Mynihut dhe Gjermania si vendndodhje gjeografike për teknologjinë e informacionit, kanë aktualisht disa të përbashkëta. Ato janë të dyja në nivel mesatar, konkurojnë në garat respektive vetëm për vendin e shtatë. Dhe asnjëra nuk kënaqet me këtë. Bizneset më të mira me teknikën informatike dhe telekomunikacionin i bëjnë Koreja e Jugut, SHBA-ja dhe Japonia. Por edhe fqinjët evropianë si Danimarka, Suedia dhe Britania e Madhe në renditjen e 15 vendeve kryesuese në IT, janë përpara Gjermanisë. Tani kjo duhet të ndryshojë thotë kancelarja gjermane Angela Merkel.

Kancelarja Merkel: mund duhet mund të bëhemi më të mirë!

Kancelarja Merkel: mund dhe duhet të bëhemi më të mirë!

Gjermania ka potencial përmirësimi

"Ne kemi një vlerë të shkëlqyer në fushën e IT-së sa i takon shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim, kjo është 7%. Ky është një nga sektorët ku punohet në mënyrën më inovative, dhe rreth 40% e novacioneve në Gjermani ndërkohë shkojnë në llogari të fushës së IT-së. Pra nuk mund të jemi të kënaqur me vendin e shtatë në renditjen e kombeve lider në IT, por duhet mund të bëhemi më të mirë", pohon ajo.

Fusha e IT-së është një industri kyç, e cila rrezaton në të gjitha degët e ekonomisë. Në Gjermani ajo punëson plot 850.000 vetë, xhiroja është rreth 140 miliardë euro. Që prej vitit 2006 politikanë, përfaqësues të ekonomisë dhe shkencëtarë takohen në një samit kombëtar të IT-së. Këtu nuk bëhen vetëm publike arritjet e grupeve të përbashkëta të punës që prej samitit të kaluar, por vendosen edhe objektiva të tjerë.

Cloud Computing: pa siguri për përdoruesit nuk ka rritje.

Cloud Computing: pa siguri për përdoruesit nuk ka rritje.

Përdoruesve duhet t'u ofrohet siguri

Në Dresden tema "siguri" ishte në gojën e të gjithëve. Me publikimet nga portali Wikileaks, mbrojtja e të dhënave ka marrë një kuptim të ri. Por për të ardhmen e kësaj dege është e rëndësishme që përdoruesit të kenë besim në hapësirën virtuale. Kështu i ashtuquajturi "Cloud Computing" konsiderohet si një nga elementët kryesorë të rritjes së kësaj dege. Fjala është për ruajtjen e të dhënave në rrjete, të ashtuquajtura "re" dhe jo në kompjutera lokalë. Potenciali i rritje së "Cloud Computing" llogaritet në 48%. Por kjo arrihet vetëm nëse përdoruesit mund të jenë të sigurtë, se të dhënat e tyre ruhen mirë dhe janë të mbrojtura nga përdorimi i paautorizuar.

Ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle.

Ministri gjerman i Ekonomisë Rainer Brüderle.

Ministri gjerman i Ekonomsë Rainer Brüderle megjithatë shqetësohet për sigurinë e infrastrukturës së informacionit. Për këtë arsye në ministrinë e tij ai do të ngrejë një grup pune për sigurinë e IT në ekonomi.

"Cyberwar, ishte pak kohë më parë krej joreale, zhvillohej në romane Science Fiction, por ndërkohë është kthyer në një rrezik konkret kërcënues. Prandaj është e rëndësishme të zhvillojmë kompetenca, të kemi specialistë dhe njohuri përkatëse dhe të zhvillojmë edhe metoda, në mënyrë që të sigurohemi dhe të mos paralizohemi nga jashtë. Kjo është një fushë shumë e ndjeshme dhe një detyrë afatgjatë", thekson ai.

Nevojiten specialistë nga jashtë

Por Gjermania nuk i ka shumë mirë punët sa i takon specialistëve të teknologjisë së informacionit. Aktualisht në këtë degë mungojnë 30.000 specialistë, tendenca është në rritje. Për këtë arsye qeveria gjermane po merr në konsideratë tërheqjen e më shumë specialistëve të huaj. Ministri Brüderle kërkoi në Dresden sërish një imigrim të rregulluar në cilësi.

Por mungesa e specialistëve nuk është aspekti i vetëm ku industria e komunikacionit dhe informacionit kërkon mbështetje politike. Edhe kushtet për kërkim dhe zhvillim nuk vlerësohen optimale nga dega e IT-së. Kërkimi është transformimi i parave në dije, novacioni është transformimi i dijes në para, thotë Peter Bauer, kryetar bordi në kompaninë Infineon.

"Kompanitë që veprojnë në plan global ngrenë një pyetje të thjeshtë: sa kushton kërkimi dhe zhvillimi në vende të tjera dhe sa kushton në Gjermani? Në një krahasim me vendet e OECD-së Gjermania ka një disavantazh në konkurrencë edhe ndaj fqinjëve direktë në BE si Franca, Austria apo Holanda. Kjo do të thotë se kërkimi dhe zhvillimi janë në Gjermani të shtrenjë, edhe pse rezultatet në krahasim me të tjerët janë të mira", shpjegon ai.

Një alternativë do të ishte mbështetja fiskale e projekteve kërkimore, por qeveria gjermane deri tani nuk e ka arritur këtë. Ajo preferon mbështetjen përmes projekteve të drejtuara nga institucione shtetërore, për të siguruar kështu të drejtë fjale.

Autor: Sabine Kinkartz / Eliana Xhani

Redaktoi:Bahri Cani

  • Data 08.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QSNT
  • Data 08.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QSNT