1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania shoqëri ekologjike?

Gatishmëria e rreth 60% të gjermanëve për të hequr dorë nga energjia bërthamore shtron përpara politologëve pyetjen nëse Gjermania është shndërruar në një shoqëri ekologjike.

default

Panele diellore në Gjermani - energjia duhet të vijë nga burime të rinovueshme.

Gjermanët janë kampionë botërorë në ndarjen e plehrave. Kudo ka kazanë të veçantë për qelq, letër dhe lëndë plastike apo metalike. 90 % e tyre riciklohet. Sipas të dhënave të Shoqatës për studimin e sjelljes së konsumatorëve 14 milionë gjermanë blejnë vetëm produkte ekologjike.

"Unë blej vetëm prodhime të papaketuara, nuk e laj më makinën përpara shtëpisë por në lavazh dhe përpiqem që të mos e përdor makinën në fshat."

Deutschland Mülltonnen im Hauptbahnhof in Köln

Gjermanët kampionë bote në ndarjen e mbeturinave.

Të gatshëm për sakrifica për hir mbrojtjes së mjedisit

Po ashtu gjithnjë e më tepër qytetarë në Gjermani janë të gatshëm, që për të hequr dorë nga energjia atomike të përballen me privime. Shumë banorë u ofrojnë komunave koncepte të reja për furnizimin me energji dhe i vënë në jetë me sukses ato, si rasti i fshatit Jühnde pranë Gëtingenit.

"Ne prodhojmë energji prej mbetjeve organike të kafshëve dhe kursejmë 70%" - thotë Eckhard Fangmeier, banor.

Shumë konsumatorë në Gjermani mundohen të blejnë prodhime sezonale dhe jo fruta dhe perime që sillen me avion nga fundi i botës, që në tregje të ketë p.sh. lyleshtrydhe edhe në mes të dimrit.

Ndërgjegjia e gjelbër ka kufij

Gjithësesi ndërgjegja e gjelbër nuk ka depërtuar ende tek blerja e makinës. Në këtë rast për konsumatorët vendimtar është çmimi dhe jo modelet që harxhojnë pak karburant dhe që janë më të shtrenjta.

E mirë për klimën - energjia nga era.

E mirë për klimën - energjia nga era.

Pas fitores së Partisë së Gjelbër në zgjedhjet për landet Baden Würtemberg dhe Rheinland Pfalz politologët po shtrojnë pyetjen se sa gjelbër mendon shoqëria gjermane? Richard Hilmer i agjencisë për anketime "Infratest dimap" thotë:

"Republika sigúrisht që nuk është bërë tej e përtej e gjelbër, por çështjet, që ngrenë të gjelbërit kanë depërtuar thellë edhe në kampin konservator."

Ky kamp dominohet nga 45 - 60 vjeçarë, që kanë shumë pozicione të rëndësishme në Gjermani dhe marrin vendime të rëndësishme. Analistët vërejnë se në radhët e popullsisë janë shtuar simpatitë me të gjelbërit dhe radikalizimi i dikurshëm karakteristik për ta është bërë pjesë e shoqërisë kur vjen fjala për mbrojtjen e mjedisit.

Megjithatë politologu Thorsten Faas, Universiteti i Manhaimit, mendon se në Gjermani nuk ekziston një shoqëri e gjelbër, sepse nuk kemi shndërimin e simpatizantëve të partive CDU apo FDP në simpatizantë të të gjelbërve, por një mobilizim më të madh të simpatizantëve të ekologjistëve për të marrë pjesë në zgjedhje. Gjithësesi edhe ai mendon se ndërgjegja e gjelbër është një prirje e vazhdueshme dhe e pakthyeshme që vihet re në shoqërinë gjermane.

Autor: Wolfgang Dick / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani