1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania paralajmëron nga hapat e njëanshëm palestinez

Paralajmërimet e autoritetit autonom palestinez që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vjeshtë të shpallë një shtet të pavarur palestinez kanë shkaktuar reagime të ndryshme në Gjermani.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Në foto, Angela Merkel

Në foto, Angela Merkel

Opozita gjermane kritikon përcaktimin e hershëm të koalicionit qeveritar

Gjermania ka vendosur relativisht herët që të mos mbështes një shtet palestinez të shpallur në mënyrë të njëanshme. Qysh në maj të këtij viti kancelarja gjermane Angela Merkel në prani të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu kishte deklaruar se:

"Ne duam një zgjidhje me dy shtete dhe kjo zgjidhje me dy shtete duhet të përpunohet. Ne nuk besojmë që hapat e njëanshëm ndihmojnë në këtë drejtim."

Në foto, Rolf Mützenich

Në foto, Rolf Mützenich

Në qarqet e opozitës në parlamentin gjerman kritikohet ky përcaktim i hershëm i qeverisë federale. Rolf Mützenich është ekspert për Lindjen e Mesme dhe zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të socialdemokratëve (SPD) në Bundestag:

"Na vjen keq për këtë përcaktim të hershëm, për shkak se përmes tij pengohen shanset e krijimit të një pozicioni të unifikuar evropian dhe po ashtu kërkesat për kthimin e aktiviteteve paqësore të qeverisë izralite."

Shtetet evropiane me qëndrime të ndryshme ndaj paralajmërimit palestinez

Evropa është e ndarë rreth kësaj çështjeje. Franca dhe Spanja nuk e kanë përjashtuar mundësinë e mbështetjes së veprimit të njëanshëm të palestinezëve në OKB. Është e mundur që në të dy vendet për këtë të kenë luajtur një rol numri i lartë i popullsisë me origjinë arabe dhe motivet e brendshme politike.

Guido Westerwelle në Gazë

Guido Westerwelle në Gazë

Britania e Madhe nuk ka vendosur ende, ndërkohë që Holanda dhe Gjermania kanë rezerva të mëdha. Para së gjithash për shkak të konsideratës ndaj interesave izraelite të sigurisë. Kjo i është kumtuar presidentit palestinez Abbas në qershor edhe nga ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle:

"Unë e kam këshilluar me vendosmëri presidentin Abbas nga hapat unilateral, të njëanshëm. Unë besoj që hapat e tillë do të arrijnë të kundërtën e asaj që ne duam."

Gjermania dëshiron të shmangë një krizë të re në Lindjen e Mesme

Pamje simbolike: SHBA, Izrael, Palestina, Lindja e Mesme, Evropa

Pamje simbolike: SHBA, Izrael, Palestina, Lindja e Mesme, Evropa

Në rast të shpalljes së njëanshme të një shteti palestinez Izraeli ka kërcënuar me hakmarrje diplomatike. Gjendja në Lindjen e Mesme mund të përkeqësohet duke u kthyer në një krizë të re, në mesin e vet palestinezëve mund të shpërthejë një intifadë e re. Gjermania dëshiron të shmangë me çdo kusht një zhvillim të tillë. Përsëri shefi i diplomacisë gjermane Westerwelle.

"Ne duhet të jemi të kujdesshëm që në Lindjen e Mesme mos të futemi në një qorrsokak të rrezikshëm. Që ne mos të kemi një gjendje me një rrezik të konsiderushëm për eskalim. Prandaj ne përpiqemi që në kuadër të aktiviteteve tona të jashtme politike të shmangim një konfrontim në vjeshtë."

Pala palestineze ka qenë e gatshme për lëshime të mëdha

Këtë kurs e mbështet edhe opozita gjermane. Megjithatë ajo i referohet këtu edhe stanjacionit disavjeçar të negociatave në Lindjen e Mesme përkundër faktit se udhëheqja palestineze kishte sinjalizuar Izraelin se është e gatshme që të bëj lëshime.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

"Ne e kemi përjetuar edhe nga publikime përkatëse, se sa e gatshme ka qenë pala palestineze që të pajtohet me kërkesat maksimale izraelite. Kështu që unë mendoj se ky hap i paralajmëruar i paletinezëve është një mjet tjetër presioni për të filluar sërish negociatat e vërteta të paqës. Dhe ne nuk guxojmë të harrojmë se një numër i madh i qeverive në këtë botë siç duket janë të gatshme që të mbështesin këtë hap të autoritetit autonom palestinez."

Ende nuk është e qartë nëse palestinezët do ta zbatojnë këtë çapje diplomatike përpara. Dhe nëse po, në çfarë forme. Simpatia në radhët e gjera të popullsisë në Gjermani me siguri që nuk do të mungojë. Për dallim do të mungojë mbështetja diplomatike.

Autor: Daniel Scheschkewitz / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi