1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania përkujton qëndresën kundër Hitlerit

70 vjet pas atentatit të dështuar kundër Adolf Hitlerit, Gjermania përkujtoi qendresën kundër regjimit nacionalsocialist. Vendi vazhdon të ushqehet nga trashëgimia morale e qëndresës, theksoi Presidenti Gauck.

Për një moment është qetësi ndërsa Presidenti gjerman Joachim Gauck vendos kurorën në kopështin e nderit të Bendlerblock në Berlin. Një vend ku 70 vjet më parë këmbuan të shtënat që i dhanë fund jetës së oficerit Claus Schenk Graf von Stauffenberg dhe tre bashkëpunëtorëve të tij. Ata tentuan bashkë me pjesëtarë të tjerë të qendresës një atentat kundër Adolf Hitlerit në 20 korrik 1944 dhe rrëzimin e regjimit nacionalsocialist.

Më pas korpusi i muzikës së ushtrisë fillon të luajë himnin kombëtar. Ky është fundi i një ore festive me të cilën përfaqësues të qeverisë gjermane dhe Parlamentit si dhe ushtarë dhe të afërm të pjesëtarëve të qendresës, kujtojnë sot qëndresën kundër Hitlerit dhe regjimit nacionalsocialist.

70 vjet më parë Hitleri i mbijetoi i plagosur lehtë atentatit me bombë në shtabin qendror të fyhrerit "Wolfsschanze" në Poloninë e sotme. Përpjekjet për përmbysje të regjimit me emrin "Operacioni Valkyre" dështuan. Krahas Stauffenbergut u ekzekutuan ose u vranë në kampe përqendrimi dhe 200 bashkëpunëtorë të tjerë të qendresës.

"Trashëgimi morale dhe politike"

20 korriku dhe të gjitha përpjekjet e tjera të qendresës kundër Hitlerit dhe regjimit nazist kanë një rëndësi morale dhe politike, theksoi Gauck në fjalimin e tij. Përvjetori na rikujton se duhet të mbrojmë me guxim vlerat tona dhe të mos bëhemi bashkëfajtorë kur të tjerët përballen me padrejtësi. "Ne kemi mundësi të zgjedhim mes veprimit dhe mosveprimit, mes ngritjes së zërit dhe heshtjes."

Në këtë ditë përkujtohet jo vetëm qëndresa ushtarake kundër Hitlerit: "Stauffenberg, Tresckow dhe mbështetësit e tyre i nderojmë sot në mënyrë përfaqësuese edhe për gjithë të tjerët, të cilët bënë qëndresë ose që patën pasoja për shkak të qëndresës që bënë", tha Gauck.

Ndërgjegje dhe bindje

Presidenti gjerman u shpreh "krenar për një Bundeswehr që nuk i referohet traditave të bindjes ndaj totalitarizmit, por qendresës kundër padrejtësisë". Por megjithëse ushtria gjermane e themeluar në 1955 i referohet shprehimisht traditës së qëndresës ushtarake, gjermanët për kohë të gjatë e patën të vështirë të nderonin qëndresën kundër diktaturës naziste. Ndërkohë 20 korriku është bërë një datë e rëndësishme e kulturës gjermane të kujtesës.

Por pikërisht tek brezat e rinj kujtesa po zbehet. Sipas studimit të Institutit për Demoskopi në Allensbach, në vecanti brezi i ri di pak për ngjarjet e së kaluarës. Pyetjes se cfarë ka ndodhur në 20 korrik 1944 vetëm 45 për qind e gjermanëve mbi 16 vjec iu përgjigjën me atentatin e Stauffenbergut kundër Hitlerit.

Vendosje kurorash dhe betimi i ushtarëve

Ora e përkujtimit është pjesa e parë e festimeve të 20 korrikut. Pasdite përfaqësues të lartë të shtetit, ndër të tjera ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen (CDU) vendosën kurora në monumentin përkujtimor Plötzensee në veri të Berlinit. Në ish vendin e ekzekutimit mes viteve 1933 dhe 1945 janë vrarë më shumë se 2800 pjesëtarë të qëndresës kundër Hitlerit.

Në mbrëmje në Bendleblock u mbajt një tjetër ceremoni tradicionale: në nderim të pjesëtarëve të qëndresës rekrutët në cdo 20 korrik bëjnë publikisht betimin. Rreth 430 ushtare dhe ushtarë të rinj marrin pjesë në apelin festiv në sheshin e paradave. Ceremonia mbahet e alternuar një vit në Bendleblock dhe një vit para ndërtesës së Reichstag-ut. Bundeswehr-i është një ushtri parlamentare dhe kërkon të tregojë kështu afërsinë e saj me legjislativin gjerman.