1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përfiton nga spiunazhi

Marcus Lütticke/ Auron Dodi2 Korrik 2013

Zemërimi publik qe i madh. Britanikët dhe amerikanët vëzhgojnë komunikimin tonë. Por kritika e qeverisë gjermane për këtë duket e rezervuar. Sepse edhe Gjermania përfiton nga spiunazhi.

https://p.dw.com/p/18ztz
Fotografi: picture-alliance/dpa

Megjithë nevojën për përfitimin e informacionit, "tema e proporcionalitetit mbetet gjithnjë një temë e rëndësishme". Kaq qe e gjitha - më shumë kritikë për programin amerikan të spiunazhit, PRISM Angela Merkelit nuk i doli nga goja në vizitën e presidentit të SHBA, Obama (19.06.13) në Gjermani.

Kancelarja ka mjaft shkaqe për qendrimin e saj të përmbajtur. Sepse ajo që është diçka e re për shumë gjermanë, që një pjesë e madhe e komunikimit tonë në internet përgjohet, për kancelaren nuk ka qenë surprizë. Edhe spiunët gjermanë gjurmojnë në internet. Dhe jo vetëm në raste konkrete dyshimi, por në stil të gjerë. Shërbimi Informativ Gjerman (BND) lejohet të kontrollojë deri 20 përqind të komunikimit midis Gjermanisë dhe botës së jashtme dhe ta bëjë këtë në bazë të koncepteve të përcaktuara. Kështu është përcaktuar me ligj.

BND kërkon më shumë para

Për ta shfrytëzuar në mënyrë të plotë të gjithë kuadrin e përgjimit, BND i mungojnë deri tani kapacitetet. Sipas të dhënave të revistës "Der Spiegel", deri tani BND mbikqyr vetëm pesë përqind të qarkullimit të të dhënave. Prandaj, Shërbimi Informativ Gjerman parashikon që në pesë vjetët e ardhshëm, të përforcojë për 100 milionë euro kapacitetet e tij kërkimore dhe të serverave dhe që të punësojë 100 bashkëpunëtorë shtesë. Por këto mjete ende nuk janë miratuar.

Neue Vorwürfe wegen Journalisten-Bespitzelung durch BND
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në vitin 2011, vetëm për mbrojtjen nga terrorizmi, Shërbimi Informativ Gjerman kontrolloi 329.628 qarkullime telekomunikacioni nga rrjetet e të dhënave dhe i analizoi ato me imtësi. Kjo në një kohë kur ekziston një listë me rreth 1500 koncepte për kërkim, të cilat duhet t'i përmbajë rrjedha e komunikimit, që ajo të kontrollohet. Këto të dhëna janë të një raporti të Organit të Kontrollit Parlamentar të Kontrollit të marsit 2013. Ky organ përbëhet nga njëmbëdhjetë deputetë të Bundestagut gjerman dhe është përgjegjës për kontrollin e shërbimeve të fshehta gjermane. Veç Shërbimi Informativ Gjerman, BND, shërbime të tjera të brendshme janë Shërbimi për Mbrojtjen e Kushtetutës, si shërbim informativ i brendshëm dhe Kundërzbulimi Ushtarak, MAD, si shërbim informativ i forcave të armatosura.

Përgjohen miliona lidhje telefonike

Meqenëse shërbimet e fshehta të shteteteve që kanë marrëdhënie miqësore me njëra-tjetrën e shkëmbejnë me njëra-tjetrën një pjesë të informacioneve të tyre pikërisht në fushën e mbrojtjes nga terrorizmi, nga aksionet e përgjimit të amerikanëve dhe britanikëve përfiton edhe Gjermania. Kjo veçanërisht, kur personat e përgjuar janë nënshtetas gjermanë. Këtu Shërbimi i Fshehtë Gjerman i ka vërtet duart e lidhura, sepse nuk ka të drejtë ligjore që të mbledhë brenda Gjermanisë informacione për nënshtetasit e vet. Kjo është detyrë e Mbrojtjes së Kushtetutës.

Sipas të dhënave më të fundit të revistës "Der Spiegel", amerikanët përgjojnë me NSA në Gjermani çdo muaj rreth një gjysmë miliarde lidhjesh komunikimi, pra telefonata, emaile, sms ose biseda në chat. Në një ditë të zakonshme, në Gjermani verifikohen rreth 20 milionë lidhje telefonike, shkruan "Der Spiegel", e cila iu referohet statistikave të brendshme të NSA-së.