1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania nuk ndryshon qëndrimin lidhur me negociatat BE - Serbi

Unioni Kristiandemokrat i Gjermanisë ka qëndrim të qartë sa i përket caktimit të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ai nuk ka ndryshuar që prej vizitës së kancelares Merkel në Serbi.

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së diskutuan të martën (25.06.) në Luksemburg, mundësinë e caktimit të një date për fillimin e negociatave me Serbinë. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle tha se për këtë vendimi përfundimtar do të merret në fund të javës nga Këshilli i Evropës, ndërsa qëndrimi i Berlinit është që negociatat të fillojnë në janar të vitit të ardhshëm. Para marrjes së një vendimi përfundimtar për Serbinë do të diskutohet të enjten (27.06.) edhe në parlamenti gjerman (Bundestag). Partia në pushtet CDU tashmë ka diskutuar për këtë çështje. Lidhur me këtë në një intervistë me Deutsche Welle-n flet zyrtari i lartë i partisë, Andreas Schockenhoff.

DW: Zoti Schockenhoff, a ka bërë Beogradi sa duhet për të marrë datën e fillimit të negociatave? Cili është qëndrimi juaj dhe qëndrimi i partisë suaj?

Andreas Schockenhoff: „Kjo është një mundësi për një kthesë të plotë në marrëdhëniet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor - që Serbia dhe Kosova ishin në gjendje të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin e marrëdhënieve. Megjithatë, ajo marrëveshje shoqërohet nga një marrëveshje për zbatim e cila nënkupton zbatimin e pikave të marrëveshjes së arritur deri në fund të vitit. Prandaj Bundestagu të enjten do t'i rekomandojë qeverisë gjermane që në takimin e radhës të Këshillit të Evropës, të enjten dhe të premten, t'i mbështes në parim negociatat me Serbinë, duke dërguar kështu një sinjal pozitiv për Beogradin, ndërsa për një datë të caktuar të flitet në janar atëherë kur të jetë zbatuar plotësisht marrëveshja e arritur me Prishtinën. Kjo do të thotë se ne vlerësojmë që negociatat me Serbinë duhet të fillojnë pasi që të jenë realizuar ato që parashihen në marrëveshjen e arritur në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Prandaj, ne besojmë në parimin e zbatimit të vendimit në dy hapa".

Për të qenë krejtësisht të qartë, Berlini do t'i dërgojë një mesazh të qartë Beogradit dhe do të përshëndes atë që është bërë deri tani por për një datë aktuale kjo megjithatë nuk është e mjaftueshme?

Andreas Schockenhoff: „Jo, kjo nuk do të thotë se Serbia nuk ka bërë sa duhet, por ajo që është rënë dakord në marrëveshje nuk është zbatuar ende. Qëndrimi i parlamentit gjerman nga fillimi ka qenë se nuk do të jenë të mjaftueshme vetëm paralajmërimet apo planet për të bërë diçka. Të nevojshme janë ndryshimet konkrete. Kjo do të thotë se asgjë nuk ka ndryshuar, qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë i njëjtë. Ne i mbështesim negociatat, por atëherë kur të jetë zbatuar e gjitha për të cilën palët janë pajtuar. Kjo marrëveshje parashikon zbatimin e saj deri në fund të vitit 2013, që do të thotë se për datën nuk mund të diskutohet para janarit. Ndërsa Këshilli i Evropës në dhjetor mund të vlerësoj nëse marrëveshja për zbatim është implementuar në tërësi."

Shpesh flitet për të ashtuquajturat shtatë pikat që Gjermania pret t'i përmbush Serbia. Pra jo gjithçka ka të bëjë me Kosovën?

Andreas Schockenhoff: „Ekziston një temë specifike gjermane në të gjithë këtë, dhe kjo është ndriçimi i sulmit ndaj ambasadës së Gjermanisë në Beograd. Ndërkohë, ne kemi kuptuar se ekzistojnë vështirësi objektive dhe këto vështirësi ne duhet t'i pranojmë. Përndryshe ne besojmë që pritjet të cilat ne i kemi shprehur gjithmonë publikisht dhe janë të përfshira edhe në marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, do të përmbushen në tërsi deri fund të vitit 2013.“

Si në Gjermani ashtu dhe në Serbi mediat spekulojnë se në marrjen e vendimit për datën e fillimit të negociatave një rol të rëndësishëm luajnë edhe zgjedhjet parlamentare në Gjermani. A ka ndonjë të vërtetë në këtë?

Andreas Schockenhoff: „Jo, ne kemi folur gjithmonë në mënyrë të qartë se çfarë janë pritjet tona. Kancelarja Merkel në gusht të vitit 2011 qëndroi për vizitë në Beograd. Ajo qysh atëherë ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën janë kusht për integrim në BE. Beogradi, ndërkohë, tregoi guxim të madh politik për çka ne kemi shumë respekt. Kjo është ajo që është e rëndësishme, dhe kjo nuk ka të bëjë asgjë me zgjedhjet në Gjermani... Nëse Serbia i përmbush kërkesat dhe zbaton marrëveshjen e rënë dakord me Kosovën atëherë negociatat e BE-së mund të fillojnë në janar të vitit 2014."