1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania nuk dëshiron të qëndrojë mënjanë

Ushtria gjermane, Bundeswehri do të marrë pjesë në luftë kundër milicisë terroriste "IS". Me këtë Gjermania tregon solidaritet me Francën, por ushtarakisht qëndron në radhë të dytë, mendon Nina Werkhäuser.

Atentatet terroriste në Francë kanë ndryshuar gjithçka. Ato e prekën Evropën në palcë dhe tani Evropa kthen goditjen. Dhe e bën këtë me të gjithë fuqinë. Lufta kundër milicisë terroriste "Shteti Islamik" mund të fitohet vetëm ushtarakisht, bëri të ditur të mërkurën në Bundestag kancelarja Angela Merkel. Kjo fjali i bëri të lëvizin nga vendi ata që e dëgjuan. Deri tani Gjermania i është shmangur goditjes konkrete ushtarake kundër "Shtetit Islamik" dhe ka mbështetur në vend të kësaj kurdët e Peshmergas, në Irakun e Veriut. Një kontribut i dobishëm, por jo i tillë që të shërbente si justifikim për mosangazhim të mëtejshëm të Gjermanisë pas atentateve të Parisit.

Kthesa u bë pas kërkesës këmbëngulëse të Presidentit francez Hollande, që Gjermania të bëjë më shumë. Kancelarja nuk la ta lusnin gjatë. Në këtë këndvështrim ajo dëshmon solidaritet të vërtetë me miqtë e goditur rëndë në Francë. A nuk thotë qeveria gjermane gjithmonë se nuk dëshiron të qendrojë e mënjanuar në kohët e krizave të mëdha? Kjo fjali nuk vlen vetëm për ushtrinë, por vlen edhe për të.

Kështu që Bundeswehri do të japë kontributin e tij në luftë kundër "Shtetit Islamik" (IS). Kjo është e kuptueshme, sepse bëhet fjalë për besueshmërinë e Gjermanisë. Por është edhe e papritur. Deri tani u duk se me zgjerimin e planifikuar të angazhimit në Mali ishte gjetur një zgjidhje e mirë, që ushtria gjermane ta jepte kontributin e saj duke qendruar larg Sirisë.

Nina Werkhäuser

Nina Werkhäuser

Kurse tani qeveria gjermane hartoi me shpejtësi të madhe një paketë të plotë për mbështetje ushtarake të aleancës kundër IS: Tornado për zbulim, një fregatë për mbrojtjen e aeroplanmbajtëses franceze, furnizim i avionëve në ajër. Kemi të bëjmë me një paketë të ndërtuar me kujdes. Ajo synon t'u përgjigjet shpresave të aleatëve në Gjermani, por pa i ekspozuar në asnjë mënyrë ushtarët gjermanë në front të parë të një lufte mizore civile. Mbrojtje, zbulim, logjistikë - këto ushtria gjermane, Bundeswehri është në gjendje ta bëjë shumë mirë. Dërgimi i trupave apo sulmet ajrore ndaj kështjellave të IS - përjashtohen.

Ky mision në këtë mënyrë është një ofertë, të cilën Franca mund ta pranojë me falenderim dhe që nuk e mbingarkon Bundeswehrin. Me këtë Gjermania tregon solidaritet, por edhe i futet një dileme të rrezikshme: pa ushtri, "Shteti Islamik" nuk mund të mundet. Por: sa më i madh presioni ushtarak, aq më i madh rreziku i akteve terroriste të hakmarrjes. Edhe për Gjermaninë.