1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania nuk është gjendur kurrë kaq pranë një atentati islamist sa në rastin në fjalë

Gjykata e lartë e landit në Dyseldorf e shpalli vendimin: Libanezi Jusef el-Haxhdib dënohet me burgim të përjetshëm për tentativë-vrasje të shumëfishtë.

Youssef Mohamed E. H.

Youssef Mohamed E. H.

Gjykata e Dyseldorfit tha, se në bashkëpunim me një tjetër njeriu i "valixheve-bomba në Këln" donte të shkaktonte dy vjet më parë një "gjakderdhje të përmasave të jashtëzakonshme".

Me masën e dënimit gjykata plotësoi tërësisht kërkesën e prokurorëve, të cilët kishin kërkuar dënimin më të rëndë për libanezin 24 vjeçar. Gjykata mendon se Jusef Mohamed el-Haxhdib dhe bashkëkombësi i tij, synuan në fund të vitit 2006 tinëzisht dhe me mjete tejet të rrezikshme që të shkaktonin një shpërthim katastrofal lënde plasëse për të vrarë sa më shumë njerëz, theksoi kryetari i trupit gjykues. Sipas tij, asnjëri nga 70 udhëtarët e gjendur në trenat rajonalë nuk mund të kishte llogaritur me një atentat frikacak.

Në këtë mënyrë gjykata konsideroi të plotësuara dy karakteristika të vrasjes, deklaroi zëdhënësi i gjykatës Ulrih Eger: "Gjykata është e mendimit, se i akuzuari donte që dy valixhet-bomba të shpërthenin. Gjykata ka bindjen që dëshmia e bashkëfajtorit në Liban, se synohej të vriteshin sa më shumë njerëz, është e saktë. Më tej gjykata mendon, se këtu është planifikuar vërtet një atentat dhe se valixhet-bomba nuk do të shërbenin vetëm si bomba të rreme dhe si paralajmërim."

Këtu vlerësohet vetëm synimi, edhe tentativë-vrasja është e dënueshme, theksoi në pretencën e saj prokurorja Dushag-Mel: "Nga këndvështrimi i tyre, i akuzuari dhe bashkëfajtori kishin bërë gjithçka duhej për të kryer shpërthimet këtu në Gjermani. Duhet të kemi parasysh, se Gjermania nuk është gjendur kurrë kaq pranë një atentati islamist sa në rastin në fjalë."

Avokatët e të akuzuarit kishin argumentuar se klienti i tyre kishte hequr dorë në kohë prej atentateve të planifikuara me bomba dhe për këtë arsye duhej shpallur i pafajshëm. Sipas tyre, asnjëherë nuk ishte planifikuar kryerja e suksesshme e atentatit. Lënda plasëse do të shërbente si sinjal proteste kundër publikimit të karikaturave të profetit Mohamed në gazetat gjermane dhe ishte bërë qëllimisht jofunksionuese, deklaroi avokati Johanes Paush.

  • Data 09.12.2008
  • Autor Martin Hëke
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GCWc
  • Data 09.12.2008
  • Autor Martin Hëke
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GCWc