1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania ngre ushtrinë kibernetike

AUD/la (sti/afp, dpa, rtr)27 Prill 2016

13.500 pjesëtarë të Bundeswehrit do të luftojnë në të ardhmen në internet. Pikërëndesa do të jetë në mbrojtjen e sulmeve kibernetike. Në temën e ndërmarrjes së sulmeve, ministrja e Mbrojtjes mbajti qëndrim defensiv.

https://p.dw.com/p/1Id8x
Ägäis Ursula von der Leyen besucht Bundeswehrsoldaten in der Ägäis
Fotografi: picture-alliance/dpa/J. Macdougall

Ushtria gjermane, Bundeswehri po armatoset kundër sulmeve që vijnë nga interneti. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen shpalli për këtë ngritjen e një drejtorie të përgjithshme me 13.500 punonjës. Si datë për nisjen e punës, ministrja përmendi fundin e këtij viti. Në bazë të planit, drejtoria e re e përgjithshme me emrin "hapësira kibernetike dhe informative" do të zgjerohet deri në vitin 2021 dhe do të "sillet në gjendje të plotë operacionale".

Me këtë ministrja reagon ndaj rritjes së numrit të sulmeve kibernetike. Aktualisht çdo ditë numërohen rreth 6500 sulme ndaj rrjeteve të federatës. Sektori i ri organizativ i Bundeswehr-it do të ketë një inspektor të vetin. 13.500 vendet e reja të punës nuk do të hapen nga e para - por, në 90 përqind të tyre - do të krijohen nga forcat e IT-së të shpërndara në pjesët ushtarake dhe civile të të gjithë Bundeswehr-it.

Kurs kibernetike në Universitetin e Bundeswehr-it në Mynih

"Ne duhet të pozicionohemi më mirë në temën e kibernetikës" dhe ta "grupojmë më mirë ekspertizën", tha von der Leyen. Specialistë nga jashtë, në bazë të kësaj, Bundeswehri do t'i tërheqë përballë konkurencës së madhe në treg, para së gjithash me "shanse të qarta për karrierë". Veç kësaj, në universitetin e Bundeswehrit në Mynih do të ngrihet një kurs kibernetike me disa vende profesorësh, kurs të cilin do ta mbarojnë rreth 70 vetë në vit. Pranë Shkollës së Lartë do të ngrihet edhe një qendër kërkimore.

Von der Leyen pranoi njëkohësisht prapambetje të Bundeswehrit në mbrojtjen kibernetike. Në kuadër të përpunimit të Librit të Bardhë aktual të ushtrisë, vitin e kaluar ministria "i avancoi në mënyrë të konsiderueshme njohuritë e saj" dhe "nëpërmjet një workshopi për kibernetikën, të cilin e ngritëm relativisht vonë" u bë e qartë "sa e rëndësishme është që të fitojmë kohën e humbur në këtë fushë." Ndihmë ka dhënë në këtë fushë këmbimi i përvojave me "aleatë, që janë më përpara".

E rezervuar u tregua ministrja për aftësitë e mundshme ofensive të sektorit të ri kibenetik. Bundeswehri do të veprojë "me aftësinë e re kibernetike" njësoj si punon në të gjithë sektorët e tjerë, tha ajo. Ushtria gjermane duhet të jetë në gjendje "të mbrojë veten", "të ndërtojë aftësi mbrojtëse" dhe që të ketë mundësi "të ushtrohet" për qëllime mbrojtëse. Përgjegjësinë drejtuese në strategjinë e Bundeswehrit në përgjithësi do ta ketë "shumë qartë" Ministria Federale e Punëve të Brendshme.

Megjithatë, Bundeswehri ka disa vjet që ushtrohet për sulme kibernetike. Një njësi e vogël, e fshehtë, që vepron në Rheinbach pranë Bonnit, me aktualisht 60 ushtarakë është përgjegjëse për këto sulme. Por një angazhim ofensiv i kësaj njësie - si për shembull depërtimi në rrjetin e kundërshtarit - duhet të miratohet nga Bundestagu, njësoj si misionet luftarake në Afganistan dhe Mali.