1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania neglizhon radikalizimin islamist në burgje

Disa nga terroristët e Brukselit apo të Parisit janë radikalizuar në burgje. Por shumë pak politikanë gjermanë tregojnë interes për programet e radikalizimit.

„Burgjet janë djep i madh i radikalizimit" - shprehet pa ekuivoke i ngarkuari i BE-së kundër terrorizmit, Gilles de Kerchove. Këtë deklaratë ai e bëri në janar 2015, pas atentateve terroriste ndaj revistës satirike, Charlie Hebdo dhe një supermarketi hebre në Paris. Një vit e dy atentate të rënda më pas ky model rikthehet: Ibrahim dhe Chalid El-Bakraoui, terroristët e Brukselit kanë qenë në burg, edhe pse dënimet që kishin marrë nuk kishin të bënin me terrorin.

Rreziqet që sjell me vete burgimi janë të njohura. Edhe në Gjermani janë burgosur islamistë radikalë, si për shembull autorët e sulmit të dështuar terrorist në stacionin e trenit në Bonn në vitin 2012. Ata mund të ndikojnë në radikalizimin e të tjerëve.

"Zoti Imam, kush nuk falet duhet të vritet"

Gjermania reagon me ngathtësi ndaj një problemi të tillë. Thomas Kutschaty, ministër i Drejtësisë së landit Renani-Veriore-Vestfali u vu në siklet kur radioja WDR e pyeti të enjten se „plani pesëvjeçar i qeverisë" së landit në këtë drejtim nuk ka ecur përpara. Faktikisht ishte e planifikuar që në burgje të dërgoheshin më shumë imamë si udhërrëfyes shpirtërorë në burgjet e landit me popullsinë më të madhe në Gjermani. Por në realitet është bërë shumë pak, madje numri i imamëve ka pësuar një rënie të lehtë.

Husamuddin Martin Meyer

Imami Husamudin Meyer

Imami Husamudin Meyer e shikon këtë si një dështim me pasoja. Si udhërrëfyes shpirtëror në burgjet e Hesenit ai ka dëgjuar e parë gjëra tronditëse. "Zoti Imam", thonë disa, "kam dëgjuar se kush falet duhet të vritet". Ose „IS-i është vërtet Shtet Islamik apo jo?" Meyer është i bindur se në këtë pikë imamët duhet të kundërveprojnë. Ata janë mjeti më i mirë kundër radikalizimit, thotë ai për Deutsche Wellen. „Kur e thotë një imam se diçka është e gabuar, atëherë kemi fituar shumë". Një imam di ta dallojë pakënaqësinë e thellë që ndodhet brenda rrezikuesve potencialë dhe të bëjë punën e tij deradikalizuese.

Problemi është se Meyer punon me të burgosurit e tillv vetëm 15 orë në javë dhe këtë punë ai e ndan me tre imamë të tjerë që duhet të kujdesen për më shumë se 100 të burgosur. Pagesa bëhet me orë. Ai është i mendimit se burgu për çdo 100 të burgosur duhet të punësojë me orar të plotë një imam. "Vetëm atëherë është e mundur që të futesh thellë problemeve të secilit radikal. Udhërrëfyesit shpirtërorë të krishterë në burgje punojnë me orar të plotë, dhe kanë shumë më pak persona për t’u kujdesur", thotë ai. Situata po përmirësohet, por ende ka shumë vështirësi.

Brüssel Terroranschläge Fahndung Verdächtige Brüder El Bakraoui

Vëllezërit El Bakraoui kanë qenë të dënuar me burg për vepra që nuk kishin të bënin me terrorin

Programet laike të kërkuara

Edhe programet laike synohet që të ndikojnë në punën preventive në burgjet gjermane, por projekti ekziston vetëm në disa lande. Programe të tilla janë iniciuar nga organizata jofitimprurëse si "Violence Prevention Netëork" (VPM) e drejtuar nga Thomas Mücke. Ai nuk mendon se imamët ndihmojnë patjetër në procesin e deradikalizimit. Rrjeti i tij punon me pedagogë, punonjës socialë e psikologë. Shpesh ata kujdesen për të burgosurit edhe pas kryerjes së dënimit. "Sigurisht edhe imamët mund të bëjnë punë preventive, por kjo nuk është puna parësore e tyre", thotë Mücke.

Rrjete si VPM mund të jenë aktive, vetëm nëse nënshkruajnë marrëveshje me landet federale. Aktualisht VPM punon në pesë lande gjermane: Hesen, Berlin, Saksoni e Poshtme, Berlin, Bayern e Baden-Vyrtemberg. Pikërisht këtu e shikon problemin Mucke. „Ne kërkojmë prej vitesh një program radikalizimi në shkallë federale", thotë ai. Deri më tani ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të landeve e kanë shtyrë përgjegjësinë sa njëri tek tjetri në tre vitet e fundit. Tani pritet të ndryshojë diçka. Zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësië të një landi i tha Deutsche Welle-s se deradikalizimi është në axhendën e punës në takimin e ardhshëm të ministrave të landeve.