1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania: ndërmjetësuese në krizën e Ukrainës

Gjermania përvijohet si lidere e qartë politike në zgjidhjen e krizës së Ukrainës. Kancelarja Merkel e viziton Kievin në prag të përvjetorit të pavarësisë. Gjermania duket se përcakton reagimin ndaj kërcënimit rus.

Kërkesat e shteteve lindore anëtare të NATO-s, që Aleanca e Atlantikut verior të ngrejë në këto vende baza të përhershme ushtarake, për t'i mbrojtur nga një sulm i mundshëm rus morën këtë javë një përgjigje mohuese. Ishte pikërisht kancelarja gjermane, Angela Merkel që tha gjatë vizitës së saj disaorëshe në kryeqytetin e Letonisë, Riga, se "për momentin", Gjermania - dhe si duket edhe shtete të tjera - nuk mendon ta shkelë marrëveshjen e vitit 1997 Nato-Rusi. Sipas kësaj marrëveshjeje NATO-ja heq dorë nga stacionimi i përhershëm i trupave luftarake substanciale shtesë në territorin e saj. Aftësinë e saj mbrojtëse NATO-ja do ta realizojë më tepër me përforcimin, se sa me stacionimin e trupave luftarake shtesë.

Teksti i marrëveshjes, i lexuar sot, lë sigurisht vend për interpretime. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen kujtoi së fundi se po në të njëjtin dokument Rusia premton se do të respektojë integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve të tjera. Dhe "është pikërisht kjo që Rusia nuk po bën aktualisht", tha Rasmussen.

Kancelarja Angela Merkel në Riga me kryeministren letoneze, Laimdota Straujuma

Kancelarja Angela Merkel në Riga me kryeministren letoneze, Laimdota Straujuma

Cili reagim i Perëndimit bën më shumë efekt te Rusia?

Kjo situatë ka bërë që Aleanca të mos japë deri tani një përgjigje të qartë ndaj kërkesës për baza të shteteve lindore. Është e njohur që brenda NATO-s zhvillohet një debat për nevojën e reagimit më të ashpër ndaj Rusisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s kërkon stacionimin e trupave të NATO-s në Lindje të Evropës dhe drejtimin e raketave kundër Putinit- i bindur që Rusia impresionohet vetëm në këtë mënyrë. Për një qëndrim përgjithësisht më të ashpër ndaj Rusisë janë SHBA, Britania e Madhe dhe Polonia.

Por janë edhe disa shtete, që si prioritet kanë lënien e një dere hapur për dakordim me Rusinë. Këtu bën pjesë Gjermania, Franca, Italia dhe shtete të tjera.

Për Gjermaninë ka pa dyshim rëndësi që Rusia ta marrë seriozisht reagimin e Perëndimit ndaj politikës destabilizuese ruse. Prandaj Merkeli qe një nga mbështetëset kryesore të vendosjes së sanksioneve të fundit, sektoriale ekonomike ndaj Rusisë. Rrëzimi i avionit civil malaizian MH17 nga separatistët rusë solli ndryshimin e paradigmës madje edhe tek përfaqësuesit gjermanë të biznesit.

Vlerësimi gjerman për Rusinë ka ndryshuar: nëse më parë për Gjermaninë, Rusia ishte partnere nganjëherë e vështirë, por që e mbante fjalën, në krizën e Ukrainës, Rusia është sjellë krejt ndryshe. Putini i shkeli të gjitha premtimet që u bëri bashkëbiseduesve gjermanë. Rusia është bërë e vështirë për ta parashikuar në veprimet e saj. Edhe socialdemokratët gjermanë, që më parë kanë treguar kuptim më të gjerë për Rusinë, e kanë humbur besimin.

Takim i "të mëdhenjve" për Ukrainën?

Por përvoja e gjatë në marrëdhëniet politike me Rusinë e ka bërë Gjermaninë të këmbëngulë për ruajtjen e urave të komunikimit. 33 herë i ka telefonuar kancelarja Merkel presidentit rus Putin që prej shpërthimit të krizës së Ukrainës - më shumë se çdo politikan tjetër perëndimor. Veç aktivitetit intensiv diplomatik të ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier, politikanë dhe politologë gjermanë artikulojnë dendur në publik propozime për dalje nga situata në Ukrainë.

Egon Bahr projektoi me Willy Brandt-in hapjen me BS

Egon Bahr projektoi me Willy Brandt-in hapjen me BS

Ish- politikanë gjermanë me përvojë, si Egon Bahr, - ish-këshilltari i kancelarit Willy Brand, që me Marrëveshjet e Lindjes bëri hapjen me BS - propozon që të mos kërkohen fajtorë në krizën e Ukrainës. Por që presidenti Obama të takohet me presidentin Putinin dhe t'i japë atij garanci sigurie. Duke vendosur, që një brez shtetesh, që nga Finlanda, tek Ukraina, te Moldavia e Gjeorgjia të mos i përkasin ushtarakisht as Perëndimit, as Lindjes. Por që politikisht të jenë plotësisht anëtare të komunitetit perëndimor. Përsa i përket Krimesë, ajo të mos njihet, por të respektohet si fakt, siç u bë me RDGJ-në, thotë Bahr. Kështu mund të qetësohet sipas tij situata në Ukrainën Lindore.

Reagimi "kompromis" i NATO-s

Deklarata e kancelares Merkel në Riga bëhet para samitit të NATO-s, që zhvillohet në Wales muajin e ardhshëm. Ajo sugjeron se mesazhi i samitit mund të jetë një kompromis midis kërkesave të aleatëve lindorë të NATO-s, Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe Polonisë, për stacionimin e përhershëm atje të trupave shtesë të NATO-s dhe minimizimit të rrezikut rus.

NATO flet për një "prezencë këmbëngulëse", jo të përhershme të saj, në kufi me Rusinë. Pra do të ketë manovra ose stërvitje gati konstante me ushtritë e shteteve të rrezikuara. Që do t'i mbajnë forcat e NATO-s në shtetet baltike ose në Poloni, pra në terren, shumicën e kohës.

Kancelarja Merkel përforcoi në Riga se angazhimi i NATO-s në Lindje të Aleancës do të ndryshojë. Natoja do të ketë në të ardhmen një "prezencë shumë më të madhe dhe më të fortë" në shtetet lindore se deri tani. Do të ngrihet infrastrukturë ushtarake për një rast emergjent, tha Merkel. Veç patrullimit nga ajri prej aleancës së shteteve lindore. Kancelarja ritheksoi se parimi i detyrimit për mbështetje i NATO-s, ka rëndësi primare edhe për Gjermaninë.

Gjermania - lidere e pakontestuar në krizën e Ukrainës

Gjermania po evidentohet edhe më tej si lidere politike e komunitetit ndërkombëtar për krizën e Ukrainës. Të shtunën (23.08.2014) kancelarja Merkel do të vizitojë edhe Kievin. Në prag të përvjetorit të pavarësisë së Ukrainës. Kjo në një kohë kur SHBA janë shumë të angazhuara me kriza të tjera: që nga Iraku, Afganistani e deri te Fergusoni në SHBA.

Kryekomandanti i NATO-s, Philip Breedlove

Kryekomandanti i NATO-s, Philip Breedlove

Në këto kushte, roli udhëheqës i Gjermanisë përshëndetet edhe nga NATO-ja. Kryekomandanti i NATO-s, Philip Breedlove, i tha shtypit gjerman këto ditë, se më e rëndësishmja është që Gjermania të vazhdojë të udhëheqë. Siç udhëhoqi, me aftësi, në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Stërvitje e shteteve lindore për të neutralizuar modelin destabilizues

Ndërkohë ekspertët e NATO-s duket se po përpiqen t'i bëjnë imune shtetet lindore të Aleancës ndaj modelit me të cilin Rusia destabilizoi me sukses Krimenë dhe Ukrainën Lindore. Kryekomandanti i NATO-s, Breedlove u tha medieve se policia dhe ushtria në vendet lindore të NATO-s po stërviten për të luftuar modelin, me të cilin u destabilizua Ukraina. Për të neutralizuar të ashtuquajturit "burra të gjelbër". Eshtë fjala për ushtarakë të armatosur, pa shenja dalluese se nga cili vend janë. Ishin këta që i nxitën trazirat në Ukrainë. Pushtuan ndërtesa qeveritare. Nxitën minoritetet ruse, stërvitën separatistët. Droja e NATO-s është se persona të tillë mund të veprojnë ngjashëm edhe në vendet e tjera lindore. Ndaj NATO-ja po e stërvit policinë dhe ushtrinë e aleatëve lindorë për ta përballuar këtë sfidë.