1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Gjermania na takon të gjithëve"

Anne Allmeling / Valmira Dobraj21 Mars 2013

Me rastin e javëve ndërkombëtare kundër racizmit njerëz në gjithë Gjermaninë angazhohen kundër diskriminimit dhe ksenofobisë. Disa prej këtyre veprimtarive zhvillohen enkas për më të vegjëlit.

https://p.dw.com/p/180zv
Fotografi: DW/A.Allmeling

Nesrin ka plane të mëdha. Ajo do të vizatojë, në një copë letër të gjelbër, dy fëmijë dhe dy të rritur, dy njerëz të mëdhenj dhe dy të vegjël. Për tetë vjeçaren ka rëndësi që kjo pikturë të jetë me plotë ngjyra dhe të duket sa më realiste. Ajo hedh shikimin tek një kuti e vogël dhe ndalet një çast për t'u menduar. “Lapsa me ngjyrë lëkure” shkruan në kuti. Ngjyrë rozë e çelët, ngjyrë kafe e çelët, ngjyrë kafe e errët – Nesrin ka mundësinë e përzgjedhjes.

Në qendër të vemëndjes është shumëgjuhësia

Bashkë me disa vajza të tjera Nesrin është e ulur në një tavolinë të rehatshme në kafenenë e quajtur „Nähcafè” në Bonn. Ky vend për disa ore është shndërruar në një dhomë për vizatime. Sot këtu në këtë vend në fokus janë fëmijët dhe gjuhët që ata flasin. Kjo ka vlerë shumë të madhe për Mechthild Kleine-Salgar. Ajo punon në agjencinë profesionale për edukimin dhe këshillimin ndërkombëtar (FIBB) në Bon, e cila organizon rregullisht aktivitete të tilla. Së pari ajo me kolegën e saj Mona Kheir El Din lexon një përallë në gjuhën gjermane dhe arabe, dhe pastaj fëmijët kanë mundësi të vizatojnë.

“Qëllimi ynë është që çështja e shumëgjuhësisë të jetë në qendër të vemëndjes”, thotë Kleine-Salgar. “Shoqëria jonë është shumëgjuhësore, dhe ne kemi për qëllim që t'i nxisim fëmijët ta mësojnë mirë gjuhën e tyre.” Kjo është edhe një bazë e mirë, për të mësuar pastaj gjuhën e dytë, që është në këtë rast gjermanishtja, thotë Klein-Salgar. Por në këto orë të leximit dhe të vizatimit nuk janë të mirëseardhur vetëm fëmijët e familjeve të emigrantëve – përkundrazi. “Për ne gjithashtu është me rëndësi që edhe fëmijët, që flasin vetëm gjermanisht të jenë këtu, në mënyrë që ata të ndëgjojnë se si tingëllojnë gjuhët e tjera.”

Aktion gegen Rassismus in Bonn EINSCHRÄNKUNG
Larmi ngjyrash ashtu si edhe shoqëria: "lapsa me ngjyrat e lëkurës"Fotografi: DW/A.Allmeling

Angazhimi kundër racizmit

Me shoqatën e tyre Kleine-Salgar dhe kolegia e saj kanë për qëllim që të ndihmojnë në zbutjen e diskriminimit, kjo është një arsye pse FIBB gjithashtu merr pjesë në javën ndërkombëtare kundër racizmit. Deri më 24 mars në të gjithë Gjermaninë do të zhvillohen rreth 1000 manifestime, të cilat kanë në fokus që të sensibilizojnë kundër racizmit dhe të forcojnë tolerancën në shoqëri.

Se çfarë do të thotë të jesh i përçmuar dhe i përjashtuar nga shoqëria, këtë gjë shpesh herë e ka përjetuar Emine Aswab. 33-vjeçarja nga Turqia ka ardhur në «Nähcafè». Mohammedi i vogël tani ka mbushur vetëm dhjetë muaj dhe fle i qetë në karrocën e tij. Dy motrat e tij janë të ulura afër Nesrin dhe bisedojnë në gjermanisht. Emine Aswab ka njezetë vite që jeton në Gjermani. Që nga mosha 23-vjeçare ajo mban shaminë e kokës. «Që nga ajo kohë unë vazhdimisht kam rënë pre e komenteve diskriminuese“, tregon ajo. „Më herët kjo gjë nuk më ka ndodhur – tani kjo më lëndon mjaft.“

Aktion gegen Rassismus in Bonn EINSCHRÄNKUNG
Nesrin ka piktuara një njeri me ngjyrëFotografi: DW/A.Allmeling

Një botëkuptim pa paragjykime

Dy vajzat e saj flasin krahas gjuhës gjermane edhe atë turke dhe arabe, sepse babai i tyre është nga Maroku. „Unë mundohem t'i edukoj fëmijët e mi që të gjithë njerëzit pa përjashtim janë pjesë e shoqërisë“, thotë Emine Aswab, „pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, nga gjuha që flasin apo nëse ata kanë aftësi të kufizura dhe përdorin karrocën e indvalidit.“ Pikërisht këtë botëkuptim synon të nxisë Mechthild Kleine-Salgar dhe Mona Kheir El Din. Si fëmijë e një familjeje gjermano-egjiptjane ajo është rritur me dy gjuhë. „Është një pasuri shumë e madhe kur flet më shumë se një gjuhë,“ thotë ajo. „Fëmijët duhet të krenohen me këtë.“

Ndërkohë Nesrin e ka përfunduar pikturën e saj, ku duken babai, nëna dhe dy fëmijë, të cilët janë kapur të gjithë për dore. Një fëmijë e ka lekurën me ngjyrë të çelët, ndërsa tjetri me ngjyrë zeshkane. Ngjashëm si në historinë që ata dëgjuan më parë dhe ashtu sikurse është në jetën reale.