Gjermania nën ujë | Gjermania | DW | 03.06.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania nën ujë

Pamje dramatike nga Gjermania: masat e ujit kanë përmbytur qytete dhe rrugë, disa pjesë të vendit janë mbuluar nga uji. Ngjarjet e ditëve të fundit risjellin kujtimet e frikshme të "përmbytjes së shekullit" në 2002.

Pas reshjesh të shumta për ditë me radhë, situata në zonat e përmbytura në jug dhe lindje të Gjermanisë është shkallëzuar sërish natën e së hënës (3.6.). Disa qytete dhe qarqe në Bavari, Turingji dhe Saksoni shpallën gjendjen e alarmit në rast katastrofash. Mijëra njerëz janë të prekur. Ushtria gjermane po pörgatitet për misione ndihme. Kancelarja gjermane Angela Merkel u premtoi "mbështetje të plotë" landeve më të prekura.

Pas shirave të fuqishëm të ditëve të kaluara, në Bavari kërcënon një përmbytje e përmasave të papara deri tani. Lumenjtë e fryrë, evakuimet dhe bllokimet e rrugëve vunë para një prove të vështirë forcat e shpëtimit edhe gjatë së dielës (2.6.). "Ndoshta do të kemi zhvillime të tilla, që do të shkaktojnë një përmbytje të paparë deri sot", paralajmëroi kryeministri i Bavarisë Horst Seehofer.

Përmbytjet kërcënojnë të jenë më serioze se në vitin 2002

Përmbytjet kërcënojnë të jenë më serioze se në vitin 2002

Kërcënohet Pasau nga përmbytje si ato të përjetuara në Mesjetë?

Përballë situatës dramatike të përmbytjeve qeveria bavareze ka ngritur një shtab krize. Alarmi për gjendje katastrofe u shpall ndër të tjera në Pasau dhe Rozenhajm. Në shumë shkolla këtë të hënë (3.6.) nuk zhvillohet mësim. Në "qytetin e tre lumenjve" Pasau, niveli i ujit në lumin Inn ishte të hënën në mëngjes 9,6 metra, në Danub 12 metra. Qendra historike dhe pjesë të tjera të qendrës së qytetit janë të mbushura nga masat e ujit. Një përmbytje të këtyre përmasave qyteti e ka përjetur për herë të fundit në Mesjetën e vonët në vitin 1501.

Gjatë "përmbytjes së shekullit" në 2002 niveli i ujit të Danubit ishte 10,81 metra. Dramatike është situata edhe në Saksoni. Në shumë pjesë të landit u shpall gjendja e alarmit për katastrofat. Sipas autoriteve të landit situata mund të përkeqësohet dhe niveli i ujit mund të kalojë atë të përmbytjeve të vitit 2002. Shërbimi meteorologjik gjerman ka njoftuar reshje të reja.

Banorët evakuohen për në vende më të sigurta në Grimma, pranë Lajpcigut.

Banorët evakuohen për në vende më të sigurta në Grimma, pranë Lajpcigut.

Në Turingji mijëra njerëz janë evakuuar dhe dërguar në vende të sigurta. Ushtarë të Bundesverit kanë mbërritur për të dhënë ndihmë në rajonet e përmbytura.

Edhe fqinjët të prekur

Masat e rrezikshme të ujit kërcënojnë edhe vendet fqinje me Gjermaninë. Në mbrëmjen e së dielës (2.6.) qeveria në Pragë shpalli gjendjen e emergjencës. Në Çeki gjendja e emergjencës vlen në të gjitha rajonet, me përjashtim të rajonit Pardubice, tha kryeministri çek Petr Necas. Në Poloni përmbytje ka pasur kryesisht në jugperëndim të vendit. Edhe në shumë pjesë të Austrisë situata e përmbytjeve është shkallëzuar. Në shumë rajone u dha urdhër për evakuime. Në brigjet e Danubit, nëse niveli i ujit vazhdon të rritet deri të martën (4.6.), kërcënon të përsëritet "përmbytja e shekullit" e vitit 2002. Në Çeki dhe Austri si pasojë e përmbytjeve kanë humbur jetën deri tani katër vetë.