1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania në prag të recesionit?

Paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën për shkak të krizës së borxhit në zonën e euros dhe në SHBA mund të ndikojnë tek koniuktura në Gjermani.

default

Librat e porosive të shumë kompanive gjermane janë të mbushura plot. Impiantet e prodhimit punojnë me ngarkesë shumë të mirë, motori i eksportit punon, tregu i punës është duke u zhvilluar pozitivisht. Prodhuesit e automobilëve janë duke punuar deri në kufi të kapaciteteve, shumë konsumatorë duhet të presin me muaj për makinën e tyre të ëndërrave. Prodhuesit e makinerive, që përkrah industrisë së automobilëve, janë shtylla e dytë e ekonomisë gjermane raportojnë shifra jashtëzakonisht të mira porosish. Në mënyrë të ngjashme edhe industria kimike. Edhe këtu gjithçka është mirë! Por kur flet këto ditë me manaxherët dhe drejtuesit e kompanive gjermane në lidhje me turbullirat e vazhdueshme të tregut, të krijohet ideja, se këto nuk kanë të bëjnë me njëra-tjetrën.

Lajme të këqia

Megjithatë ato kanë të bëjnë me njëra-tjetrën. Sepse paniku në tregjet e aksioneve në mbarë botën ka arsye konkrete: Është kriza e borxhit në zonën e euros dhe në SHBA. Përveç kësaj prej ekonomisë më e madhe në botë vijnë aktualisht sinjale ekonomike mjaft negative. Dhe këto reflektohen edhe në ekonominë reale. Paralajmërimi i parë në Gjermani erdhi prej statisticienëve të ekonomisë në Wiesbaden, ku ka selinë Enti federal për Statistikat: Produkti i brendshëm bruto në tremujorin e dytë, krahasuar me katër muaj më parë, u rrit shumë pak, vetëm me 0,1 për qind.

A po frenon lokomotiva?

Një tjetër lajm i keq erdhi para disa ditësh nga banka e SHBA-ve Stanley Morgan. Ajo e uli parashikimin e saj për rritjen globale ekonomike dhe e përshkroi situatën në Evropë dhe SHBA si " në prag të recesionit." Por në rast se dobësohet ekonomia, në vendet në zhvillim për shembull, atëherë ekonomia e vendeve të orientuara nga eksporti do të vuajë shumë. Rënia e fortë e prodhimit ekonomik gjerman me rreth pesë për qind në vitin e krizës, 2009, është ende shumë e freskët në të gjitha mendjet tona. Meqë prodhimi ekonomik i Gjermanisë, përbën më shumë se një të katërtën e prodhimit të brendshëm bruto të të gjithë zonës së euros, është e qartë se si mund të përfundojnë gjërat.

Lajme të mira

Mundet por jo patjetër. Kështu, ekonomisti i njohur Clemens Fuest, Universiteti i Oksfordit, sheh "një dobësim të rritjes ekonomike." Por faktet flasin kundër rrënimit të ekonomisë, shkruan gazeta "Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung" duke cituar ekonomistin. Megjithatë Joachim Fels, ekonomisti kryesor i Morgan Stanley, e vlerëson rrezikun e një recesioni në Gjermani me 25 për qind. Për gazetën "Welt am Sonntag" ai tha: "tregjet e dobëta e dobësojnë koniunkturën, e cila nga ana e saj rëndon tregjet. Ky është një rreth vicioz nga i cili nuk ka mënyrë të lehtë për të dalë jashtë." Kjo u kundërshtua nga kancelarja gjermane. Angela Merkel tha të dielën (21/08/2011) në ZDF, se nuk sheh asgjë që do të fliste për një recesion në Gjermani. Edhe Dieter Hundt, kreu i shoqatës së punëdhënësve gjermanë argumentoi gjithashtu në këtë drejtim. Hundt tha për "Hamburger Abendblatt" se ai pret këtë vit një rritje prej më shumë se tre për qind. Edhe Agjencia Federale e Punësimit vazhdon të qëndrojë në vlerësimin e saj. Vërtet ka rreziqe të reja, i tha shefi i agjencisë Frank-Jürgen Weise dpa-së, por në tregun e punës parashikohet një trend pozitiv deri nga viti i ardhshëm.

Autor: Henrik Bëhme/Pandeli Pani
Redaktor. Angjelina Verbica