1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania në kërkim të presidentit - Favorite ministrja e Punës Ursula von der Leyen

Mbas dorëheqjes së befasishme të Horst Köhlerit, Gjermania është në kërkim të një presidenti të ri. Emri më i lakuar deri tani është ai i ministres së Punës, Ursula von der Leyen. Presidenti do të zgjidhet më 30 qershor.

Ministrja gjermane e Punës Ursula von der Leyen.

Ministrja gjermane e Punës Ursula von der Leyen.

Mbas dorëheqjes së befasishme të Horst Köhlerit, të hënën (31.05.) në mesditë, Gjermania është vënë në kërkim të një presidenti. Kandidatja e preferuar e kancelares Merkel është ministrja e Punës Ursula von der Leyen.

Psht! Ursula von der Leyen vë gishtin para gojës, kur gazetarët e pyesin se a do të jetë ajo presidentja e ardhshme e Gjermanisë. Por 51-vjeçarja nuk e fsheh dot buzëqeshjen e brendshme që i shkakton kjo pyetje, sepse qysh nga e marta dihet një gjë: ajo është kandidatja e preferuar e kancelares Angela Merkel.

Von der Leyen gëzon respekt në Gjermani për shkak të punës që ka bërë në legjislaturën e mëparshme si ministre e Familjes. Nëna e shtatë fëmijëve është mjeke me profesion dhe e ka filluar karrierën e saj në politikën shëndetësore të Hannoverit. Në vitin 2001 ajo u bë për herë të parë ministre në qeverinë demokristiane të Saksonisë së Poshtme.

Me von der Leyen në krye të shtetit Gjermania do të kishte për herë të parë një presidente femër. Dy herë është përpjekur Partia Socialdemokrate ta realizojë këtë gjë, duke vënë përballë kandidaturës së presidentit Koehler në vitet 2004 dhe 2009 rektoren e Universitetit Viadrina në Frankfurt mbi Odër, Gesinne Schwann. Por tani që kandidatura vjen nga radhët e pozitës, SPD-ja është më e rezervuar.

Sekretarja e Përgjithshme e SPD-së, Andrea Nahles.

Sekretarja e Përgjithshme e SPD-së, Andrea Nahles.

"Presim që kancelarja Merkel të bisedojë me ne, pastaj ne do të vendosim se a do të emërojmë edhe ne një kandidat", tha sekretarja e përgjithshme, Andrea Nahles. Një farë roli në qëndrimin e SPD-së, pritet të luajnë negociatat aktuale për koalicionin e mundshëm të demokristianëve dhe socialdemokratëve në Nordrhein Westfalen.

Mediet flasin edhe për kandidatë të tjerë: Ministri i Financave Wolfgang Schauble ose kryetari i parlamentit federal, Norbert Lammert, i cili njihet edhe në Shqipëri për shkak të lidhjeve familjare dhe vizitat e shpeshta që i bën vendit. Por një vendim përfundimtar nuk ka ende.

Presidenti i parlamentit federal gjerman Norbert Lammert.

Presidenti i parlamentit federal gjerman Norbert Lammert.

Konsultimet brenda partive vazhdojnë intensivisht, sepse nuk ka mbetur shumë kohë. Më 30 qershor mblidhet Asambleja Federale, që zgjedh presidentin. Aty marrin pjesë deputetët e parlamentit federal si dhe po aq përfaqësues të komunave, landeve si edhe njerëz të thjeshtë nga populli, që zgjidhen që më parë.

Një aksion i kushtueshëm. Prandaj edhe shumë analistë e konsiderojnë dorëheqjen e befasishme të presidentit, të hënën në mesditë si një reagim të panevojshëm. Nëpër editorialet e tyre lexohej hapur pakënaqësia për faktin që Köhler u largua nga detyra në një periudhë shumë të vështirë për Gjermaninë dhe se me këtë hap ai po e dëmtonte vendin dhe demokracinë.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Eliana Xhani

DW.COM

  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NfWo
  • Data 02.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NfWo