1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjermania në ballë: Këshilli i Sigurimit lufton për një rezolutë kundër Sirisë

Ecejake diplomatike në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë civilë në Siri gjejnë vdekjen, anëtarët e Këshilit të Sigurimit përpiqen të bindin kolegët e tyre për një rezolutë kundër Sirisë.

KS në Nju Jork

KS në Nju Jork

Europianëve, sidomos Gjermanisë, i takon një rol i veçantë në këtë situatë. Të enjten (18.8.) të katër shtetet evropiane Gjermania, Britania e Madhe, Franca dhe Portugalia bënë të qartë se është koha për të marrë masa më të forta kundër regjimit sirian. „Me rëndësi ishte deklarata e anëtarëve evropianë të Këshillit të Sigurimit dhe e SHBA-së, se duke patur parasysh eskalimin e situatës në Siri do të punojmë për një rezolutë, e cila përmban sanksione kundër qeverisë siriane. Dhe ne shpresojmë, se kështu do të shtojmë më tej presionin kundër Asadit dhe qeverisë së tij", u shpreh zëvendësambasadori gjerman në OKB, Miguel Berger.

Demonstrata në Siri

Demonstrata në Siri

Gjermania tenton të korrigjojë gabimin e Libisë?

Ishin gjermanët ata, që para tre javësh kërkuan një seancë të posaçme në Këshillin e Sigurimit, pasi dhuna në Siri mori përmasa të tjera. Me një angazhim të tillë të madh Berlini përpiqet tani të kompensojë mundësisht gabimin e fundit në shkurt. Në atë kohë Gjermania në votimin për rezolutën e për Libinë qe i vetmi vend perëndimor, i cili abstenoi, gjë që shkaktoi për një kohë të shkurtër një farë irritacioni te vendet mike.

Një rezolutë për Sirinë do të ishte një sukses i madh për diplomacinë gjermane. Megjithatë ndikimi dhe fuqia e anëtarit jo të përhershëm, Gjermanisë, janë shumë të kufizuara. Këshilli i Sigurimit mbetet i dominuar nga fuqitë me të drejtë vetoje. Për shembull Rusia dhe Kina, të cilat deri tani kanë bllokuar sanksionet kundër aleatit të tyre, Sirisë. Berger: „Ne vetëm mund të shpresojmë se Rusia dhe Kina dhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit të marrin parasysh këto raporte dramatike. Assad ka premtuar tani disa herë, se do ta ndryshojë gjendjen, të nisë reforma, të ndalojë operacionet ushtarake. Në 14 ditët e fundit situata është përkeqësuar edhe më tej."

Peter Wittig, ambasadori gjerman në OKB

Peter Wittig, ambasadori gjerman në OKB

Shpresa të pakta për një rezolutë kundër Sirisë

Diplomacia gjermane po e humbet ngadalë durimin. Gjermania që para dy muajsh e gjysmë ka dorëzuar së bashku me evropianët e tjerë një kërkesë në Këshillin e Sigurimit. „Ne jemi një nga iniciatorët përsa i përket projektrezolutës, e cila gjendet ende në tavolinë dhe deri tani nuk ka mundur të miratohet për shkak të rezistencës në Këshillin e Sigurimit. Kjo është një mangësi dhe për të ne na vjen keq."

Kështu qe shprehur ambasadori gjerman në OKB, Peter Wittig, atëherë. Siç u tha nga qarqet diplomatike, edhe kësaj rradhe ekziston pak shpresë për miratimin e njëzëshëm të një rezolute, që parashikon sanksione të rrepta kundër Asadit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Rusët kanë lënë të kuptojnë tashmë se nuk janë të interesuar.

Autor: Claudia Serre/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi