1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania merr presidencën e OSBE

Sulmet terroriste, raportet turko-ruse dhe vala e refugjatëve, janë ndër temat kryesore në takimin e OSBE. Ministrat e Jashtëm kërkojnë në Beograd edhe një strategji të re të OSBE.

Kur flitet, nuk qëllohet me armë. Kjo mund të jetë edhe motoja jozyrtare e takimit të ministrave të jashtëm të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE), i cili po mbahet në Beograd. Kjo u pa edhe në përpjekjet e përgjithshme për një takim të ministrave të jashtëm të Rusisë dheTurqisë. Takimi u realizua dhe ministrat Sergej Lavrov dhe Mevlut Cavusoglu biseduan së bashku më shumë se gjysmë ore, që është takimi i parë i nivelit më të lartë mes këtyre vendeve, pas rrëzimit të avionit rus në zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë, në fund të nëntorit. Deri tani nuk ka të dhëna për përbërjen e takimit dhe ndonjë marrëveshje eventuale, por vet takimi cilësohet si sukses.

Heqja dorë nga vendimet unanime?

Por fjalia në fillim nuk është korrekt, sepse në Evropë po qëllohet me armë, si për shembull në Ukrainë. Por ndërkohë edhe po bisedohet. OSBE me 57 vendet anëtare është organizata e vetme ku nuk kërkohet ndonjë ftesë e veçantë për bisedime. Në klubet ekskluzive, si NATO apo Bashkimi Evropian, janë ndërprerë bisedimet me Rusinë për shkak të ndërhyrjes ustharake të forcave ruse dhe aneksimit të Krimesë. OSBE është organizata e vetme ku përfshihen të gjitha këto vende, pavarësisht orientimit të tyre.

Por vendimet merren me konsensus dhe ato nuk janë të detyrueshme. Pamja e një tigri pa dhëmbë është e vërtetë, sepse këtu kemi një tigër me 57 këmbë të ndryshme për nga gjatësia dhe fuqia. Ministri i Jashtëm gjerman Frank - Walter Steinmeier tha që në fillim të fjalimit të tij se "Evropa po lundron në ujëra të turbullta". Ai është i shqetësuar për shkak të sigurisë së përbashkët evropiane. "Ne në OSBE prej 12 vitesh nuk kemi mundur të biem dakord për ndonjë deklaratë politike. Duket se nuk mund të arrijmë ndonjë marrëveshje të përbashkët", theksoi Frank-Walter Steinmeier, duke shtuar se parimet bazë janë shkelur në mënyrë të papranueshme.

Deti i trazuar dhe anija e vjetër

Gjermania nga fillimi i vitit 2016 merr merr kryesinë e radhës së OSBE nga Serbia. "Gjermania nuk do të mund ta ruajë rendin e sigurisë gjatë këtij viti", thekson Wolfgang Ischinger, drejtor i Konferencës së Sigurisë në Mynih. Por është shumë e rëndësishme që të punohet për zvoglimin e të gjitha rreziqeve nga luftrat. Gjermania duhet të angazhohet në këtë drejtim me të gjitha mjetet për t'i zgjidhur problemet aktuale."

Ischinger drejtoi grupin e ekspertëve që kanë shqyrtuar mundësinë e vendosjes së "sigurisë së përbashkët evropiane". Raporti përfundimtar tregon forcën por edhe dobësitë aktuale të OSBE. Gjeorgjiani Sergi Kapadnaze dhe rusi Sergej Karaganov kanë mendime të ndryshme për konflitin e ngrirë në rajonin ku jetojnë. Ata kanë përfytyrime të ndryshme për të vërtetën. Ischinger shpreson se do të ketë një lloj marrëveshjeje. "Nëse kemi mundur të arrijmë marrëveshje në vitin 1975, në kohën e Luftës së Ftohtë, për armët bërthamore, pse të mos arrijmë marrëveshje edhe në vitin 2015?", pyet ai.

Në kërkim të rikthimit të mirëbesimit

Tri çështje i ka përcaktuar presidenca e radhës gjermane për vitin e ardhshëm: Konflikti në Ukrainë dhe rikthimi i mirëbesimit ndaj OSBE. Zvoglimi i rreziqeve nga një konflikt i mundshëm, pas rrëzimit të avionit rus në kufi me Turqinë. Dhe së fundi vendosja e një rendi mbarëevropian të sigurisë. Disa shpresojnë se do të ketë edhe një Helsinki tjetër, pra një rend të ri të sigurisë, të ngjashëm me atë të arritur në Helsinki në vitin 1975. Gjermania me dëshirë do ta arrinte një gjë të tillë vitin e ardhshëm, pra në 2016. Edhe në grupin e ekspertëve të mbledhur rreth Ischingerit parashikohet që presidentët dhe kryeminsitrat e vendeve anëtare të OSBE të arrijnë një marrëveshje të detyrueshme, por jo vitin që vjen.

Ministri i Jashtëm gjerman kërkon që anija e OSBE të mos shkatërrohet në detin e trazuar, por që palët të merren vesh për kursin që duhet ndjekur. Nuk duhet të kërkohet një zgjidhje krejt e re, por duhet forcuar anija, mendon ai. Ministri i Jashtëm rus Lavrov i uroi homolgut gjerman Steinmeier "shumë sukses në postin e kapitenit". Ata të dy njihen mes tyre dhe bisedimet me siguri që ndihmojnë.