1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania merr kryesinë e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Më 1 korrik Gjermania mori për një muaj kryesinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjermania është anëtarë e instancës më të fuqishme të OKB-së në vitin 2011 dhe 2012. Çfarë theksesh do të verë qeveria gjermane?

Westerwelle në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, shtator 2010.

Në shkurt 2003, kur Gjermania kryesoi për herë të fundit Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lufta në Irak ishte në prag. Në seanca pjesërisht dramatike, ish ministri i Jashtëm gjerman Joshka Fisher shprehu shqetësimet e tij ndaj një sulmi në Irak. Në korrik 2011 ka sërish kriza ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë axhendën e Këshillit të Sigurimit, megjithëse në një politikë ndërkombëtare më pak të ndezur.

Në rendin e ditës janë themelimi i shtetit të pavarur të Sudanit në 9 korrik, transformimet në botën arabe dhe situata në Afganistan. Këto janë vetëm disa nga temat e detyrueshme, vëren ambasadori gjerman në OKB, Peter Wittig, i cili do të drejtojë pjesën më të madhe të seancave të Këshillit të Sigurimit.

Më shumë mbrojtje për fëmijët në konflikte të armatosura

Shumë më e vogël është hapësira për iniciativa të vetë qeverisë gjermane. Ajo angazhohet për shembull, që në të ardhmen sulmet kundër shkollave në konflikte të armatosura të dënohen me sanksione.

Peter Wittig ambasador i Gjermanisë në OKB.

Peter Wittig, ambasador i Gjermanisë në OKB.

"Ne duam të përparojmë në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve me një tjetër rezolutë në Këshillin e Sigurimit, dhe ajo duhet të miratohet me rastin e vizitës së ministrit të Jashtëm Westerwelle në Nju Jork në 12 dhe 13 korrik" - thotë ambasadori Wittig.

Roli i rëndësishëm i presidencës së KS

Këshilli i Sigurimit mblidhet thuajse çdo ditë, nganjëherë edhe disa herë në ditë. Disa seanca janë të hapura për publikun, për shembull kur miratohet një rezolutë. Shpesh pesë anëtarët e përhershëm dhe dhjetë anëtarët e përkohshëm, ku bën pjesë edhe Gjermania, diskutojnë me dyer të mbyllura.

Kryesia e Këshillit e cila në gjuhën e OKB-së quhet "presidencë", ndërron çdo muaj sipas rendit alfabetik. Megjithë kohëzgjatjen e shkurtër, presidenca është më shumë se një formalitet, thotë Beate Wagner, sekretare e përgjithshme e Shoqërisë gjermane për OKB-në:

"Është një funksion politiko-diplomatik të shohësh se çfarë pozicionesh përfaqësohen në Këshillin e Sigurimit, çfarë më prezantohet mua, si mund të përpiqemi ta drejtojmë në një sukses këtë komunikim, në një rezolutë apo pozicionim. Ky është një funksion i rëndësishëm."

Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle.

Irritim tek aleatët- abstenimi i Gjermanisë në rezolutën për Libinë cënoi imazhin e vendit në OKB.

Irritim tek aleatët pas abstenimit në rezolutën për Libinë

Moderim, ndërmjetësim, mbajtje e fijeve të komunikimit, kjo është detyra e presidencës. Aftësia diplomatike është në këtë kontekst po aq e dobishme sa reputacioni i mirë, dhe Gjermania e gëzon këtë reputacion në OKB. Por imazhi i Gjermanisë u cënua disi, kur qeveria gjermane në mënyrë të papritur abstenoi në rezolutën për Libinë. Aleatët reaguan të irrituar.

Qeveria gjermane nuk e pranon kritikën se ky abstenim e ka dobësuar pozicionin e Gjermanisë në OKB dhe po punon tani me angazhim të veçantë për një rezolutë për Sirinë, e cila nuk ka gjetur ende mbështetje të gjerë.

Tema e preferuar "ndryshimi i klimës"

Si temë për të ashtuquajturin "debat të hapur", i cili zhvillohet tradicionalisht gjatë çdo presidence, Gjermania ka zgjedhur ndryshimin e klimës. Do të diskutohet për pasojat në politikën e sigurisë, thotë ambasadori i Gjermanisë në OKB, Peter Wittig:

"Fjalët kyçe janë ngritja e nivelit të detit dhe zhdukja e shteteve të tëra. Për Kombet e Bashkuara me 192 anëtarë është natyrtisht një risi, që disa shtete ndoshta do të zhduken."

Tema vërtet nuk është krejt e re, por përshtatet shumë mirë me profilin e Gjermanisë, e cila në OKB konsiderohet si vend pararojë në mbrojtjen e mjedisit dhe klimës.

Autor: Nina Werkhäuser / E. Xhani

Redaktoi:Esat Ahmeti

DW.COM