1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Gjermania mbyll ambasadën në Sanna

Për shkak të shtimit të dhunës në Jemen, Gjermania ka tërhequr diplomatët dhe i ka kërkuar të gjithë qytetarëve gjermanë të largohen. Presidenti Saleh u plagos së fundi gjatë një sulmi.

Trazira në Jemen

Trazira në Jemen

"Shkeljet e të drejtave të njeriut, që kanë ndodhur së fundi në Jemen, nuk janë të pranueshme," tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle ditën e shtunë (04.06.2011) në kuadër të vizitës së tij në Hanoi, të Vietnamit. Ai deklaroi se për shkak të luftimeve të fundit, ekziston domosdoshmëria e tërheqjes së personelit nga Jemeni. Ministri gjerman, i kërkoi gjithashtu qytetarëve gjermanë t`i japin fund qëndrimit të tyre në Jemen, sapo kjo të jetë e mundur.

Edhe në Bashkimin Evropian, është duke u menduar si duhet reaguar ndaj gjendjes së përkeqësuar në Jemen. E ngarkuara e BE-së me politikën e Jashtme, Catherine Ashton tha në Bruksel se "ka aktivizuar mekanizmat e nevojshme për t`i lehtësuar qytetarëve të BE-së largimin nga Jemeni". Po ashtu janë vënë në lëvizje autoritetet e BE-së për mbrojtjen nga katastrofat (MIC). Nuk është bërë e ditur, sa evropianë ndodhet në Jemen. Shumë shtete kanë tërhequr diplomatët e tyre nga Sanaa, për arsye sigurie.

Protestë kundër qeverisë

Protestë kundër qeverisë

Mesazhe për qetësimin e popullit

Ndërkohë gjendja në Jemen vazhdon të tensionohet. Presidenti Ali Abdullah Saleh, u plagos ditën e premte gjatë një sulmi kundër rezidencës së tij. Gjatë sulmit u vranë gjashtë roje si dhe tetë përfaqësues të lartë të qeverisë, u bë e ditur nga burimet qeveritare. Në një mesazh të transmetuar të premten në mbrëmje nga televizioni shtetëror, presidenti i bëri thirrje forcave të armatosura që të luftojnë "bandat e armatosura", që sulmuan pallatin e tij.

Saleh, akuzoi klanet rivale të jenë përgjegjëse për sulmin dhe njoftoi se "do ta zhdukë bandën e bijve të Al- Ahmar-it". Shehu Sadek al- Ahmar, është një kryetar i pushtetshëm fisi, idhtarët e të cilit janë duke luftuar me trupat qeveritare që prej 23 majit. Ditën e premte, luftimet u zgjeruan nga lagja ku jeton Al Ahmari, në pjesë të tjera të qytetit. Trupat qeveritare i vunë ndër të tjera flakën një ndërtese të një televizioni privat, i cili i takon një prej vëllezërve të Al- Ahmarit.

Demostrata në Jemen

Demostrata në Jemen


Rritet presioni ndërkombëtar

SHBA, Bashkimi Evropian dhe Këshilli kooperativ i shteteve të Gjirit, si dhe Gjermania kanë kërkuar sërish ndalimin e dhunës. Ministri i Jashtëm gjerman, Westerwelle tha se prej disa javësh qeveria gjermane është duke ndjekur me shqetësim gjendjen në Jemen. Presidenti Saleh nuk e ka respektuar kërkesën për të mbrojtur popullsinë civile, për të kryer një "tranzicion me rend" dhe dialog paqësor. "Qeveria gjermane dënon ashpër çdo lloj përdorimi dhune," thuhet në deklaratën e ministrit të Jashtëm.

Më shumë se 370 vetë janë vrarë që prej fillimit në muajin janar të protestave kundër sundimit 33 vjeçar të Salehit, gati gjysma e tyre vetëm dhjetë ditët e fundit. Presidenti Saleh i ka refuzuar tre përpjekje ndërmjetësimi nga shtetet e Gjirit, pa marrë parasysh presionin ndërkombëtar. Me qëndrimin kokëfortë në post, Salehi i cili ka premtuar disa herë të largohet por nuk e ka bërë, ka prishur marrëdhëniet me Arabinë Saudite dhe SHBA-në.

Ekspertët druhen se ky shtet i varfër në gadishullin arab, mund të dështojë duke u kthyer në rrezik sigurie për të gjithë rajonin.

Autor: Sabine Faber / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM