1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania mbetet një ndër donatorët e fuqishëm të Kosovës

Gjermania ka vazhduar ta ndihmojë Kosovën megjithë mosmarrëveshjet rreth aferës së arrestimit të bashkëpunëtorëve të BND-së, shpjegon Friederike Kärcher nga Ministria për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin.

default

Pamje nga Prishtina

Gjermania është ndër vendet që e kanë ndihmuar më së shumti Kosovën e pasluftës. Në konferencën e fundit të donatorëve, të zhvilluar në korrik të vitit të kaluar, Gjermania ka premtuar ndihma në vlerë prej 100 milionë eurosh, shuma më e madhe krahasuar me vendet e tjera evropiane. Friederike Kärcher, referente për Kosovën dhe Serbinë në Ministrinë gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin shpjegon, se ndihmat realizohen në sektorin teknik dhe financiar, përmes Shoqatës për Bashkëpunim Teknik, GTZ, dhe Bankës Kreditore Gjermane, KFW. Investimet më të mëdha bëhen në infrastrukturë, zhvilimin ekonomik dhe reformën e administratës publike.

Projektet e bashkëpunimit me Kosovën

Sipas Kärcher disa nga projektet në sektorin e bashkëpunimit teknik janë përmirësimi i nivelit të arësimit profesional, forcimi i sektorit juridik dhe ndihma e të rinjtë dhe institucioneve të tyre. Ndërsa në sektorin financiar bëhet fjalë për shuma prej miliona eurosh, që investohen në furnizimin me energji dhe ujë. Kärcher: "Ndër projektet më të mëdha janë, për shembull, trafostacioni i tensionit të lartë në Pejë dhe ndërtimi i përçuesit elektrik mes Tiranës dhe Prishtinës, me qëllim përmirësimin e furnizimit me energji elektrike."

08.04.2008 DW-TV Journal Wirtschaft Minireportage Kosovo

Punëtore në një fabrikë në Kosovë

Ndihma në arsim

Një ndër problemet më të mëdha në Kosovë, në 20 vitet e fundit është arsimimi i gjeneratave të reja. Pala gjermane ka vendosur të ndihmojë Ministrinë e Arsimit në Kosovë. Kärcher thekson se Gjermania angazhohet në kuadër të arsimimit profesional. "Jemi në kontakt të ngushtë me Ministrin Enver Hoxhaj, i cili ka planifikuar ndërtimin e shtatë qendrave kompetente rajonale. Në shkollat profesionale nxënësit mund të aftësohen për drejtime të caktuara, sepse deri tani ata kanë mësuar të gjitha lëndët nga pak, por nuk janë specializuar për asnjë drejtim."

Bashkëpunimi gjermano - kosovar zhvillohet në nivelin e qeverive. Pas konferencës së donatorëve, të zhvilluar në korrik, marrëveshjet e para ndërqeveritare janë nënshkruar në shtator. "Gjermania në konferencën e donatorëve ka vënë në dispozicion 100 milionë euro, për vitin 2008 dhe 2009. Pjesa më e madhe e parave ndahet përmes Ministrisë për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, ndërsa një pjesë më e vogël, përmes Ministrisë së Jashtme. Një pjesë e parave jepet në formë kredish me kushte shumë të volitshme. Prej Ministrisë sonë paratë shkojnë përmes bankës KFW në Ministrinë e Financave në Prishtinë, por në emër të projekteve konkrete për investime."

Avni Zogiani

Protestë kundër korrupsionit në Kosovë

Frikë nga keqpërdorimi i ndihmave

Një prej problemeve më të mëdha në Kosovë është edhe korrupsioni. Prandaj as frika nga keqpërdorimi i ndihmave nuk është e vogël. Pala gjermane është e interesuar që ndihmat dhe investimet të shkojnë në vendin e duhur. Kärcher: "Natyrisht, sepse fjala është për paratë e taksapaguesve. Kontrolli bëhet përmes bankës KFW, sepse fjala është për investime në vlerë prej 20 apo 30 milionë eurosh. Ekzistojnë edhe këshilltarët për investime dhe menaxhimin e parave. Ndërkohë që KFW-ja rregullisht e raporton Ministrinë tonë për ecurinë e realizimit të projekteve, ku shihet mënyra e shpenzimit të parave."

Afera e arrestimit të bashkëpunëtorëve të BND-së dhe ndihmat për Kosovën

Pas aferës së arrestimit të bashkëpunëtorëve të BND-së në Kosovë është spekulluar edhe me mundësinë e ndërprerjes së ndihmave gjermane. Por për referenten për Kosovën dhe Serbinë, Kärcher ajo nuk ka ndikuar në realizimin e ndihmave.

Kärcher: "Ka pasur spekulime në fillim për ndërprerjen e ndihmave, por qeveria gjermane shumë shpejt ka vendosur t'i vazhdojë ato sepse janë në të mirën e banorëve të Kosovës. Ndërprerja do të dënonte të pafajshmit dhe nuk është në harmoni me qëndrimet e të dyja vendeve për bashkëpunim. Ndonëse mosmarrëveshjet rreth aferës së BND-së, kanë shkaktuar një lloj krisje në nivelin e marrëdhënieve të jashtme."

Kosovo Affäre BND Verdächtige vor Gericht

Arrestimi i tre bashkëpunëtorëve të BND-së turbulloi marrëdhëniet shqiptaro-gjermane

Për Kärcher mund të thuhet parimisht se mosmarrëveshjet në këtë pikë i takojnë së kaluarës. Gjermania e ka mbështetur Kosovën gjatë gjithë rrugës së pavarësisë. Gjermania është donatori më i madh evropian i Kosovës. "Jemi të interesuar për forcimin dhe përgatitjen e saj për integrim në Bashkimin Evropian, sepse Kosova është pjesë e Evropës. Të gjithë jemi të interesuar që t'i tejkalojmë mosmarrëveshjet dhe të shikojmë përpara. Gjatë këtij viti, për shembull, do të organizojmë javën gjermane në Kosovë dhe do të shënojmë dhjetëvjetorin e bashkëpunimit mes këtyre dy vendeve. Pra jemi të interesuar për një bashkëpunim të ngushtë me Kosovën."

  • Data 10.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gqvc
  • Data 10.02.2009
  • Autor Bahri Cani
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Gqvc