1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania mbështet trupat elitë të policisë shqiptare

Rreth 1 milion euro të akorduara nga qeveria gjermane në 10 vitet e fundit kanë shkuar kryesisht në trajnimin dhe paisjen me bazë materiale e logjistike të trupave speciale të ndërhyrjes së shpejtë.

Pamje nga Tirana

Pamje nga Tirana

Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur, ose siç thirret RENEA ndodhet në periferi të Tiranës. Aty janë rekrutuar rreth 120 vetë, të cilët përbëjnë elitën e policisë shqiptare. Të kudondodhur për raste emergjencash natyrore, në cënimin e rendit dhe të sigurisë publike, në lirime pengjesh, në shpëtimin a nxjerrjen e trupave nga ujërat, në parandalimin dhe arrestimin e personave shumë të kërkuar etj. RENEA si një repart i specializuar ka dhe një mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë. Në krye të listës është policia gjermane. Prej 10 viteve ajo po asiston në kualifikimin e personelit, por dhe duke dhënë mbështetje logjistike e materiale, nj ë fond prej rreth 1 milion eurosh .

Ndihmë e strukturuar, si në planin teorik dhe atë praktik

Ministria e Brëndshme e Shqipërisë

Ministria e Brëndshme e Shqipërisë

Zëvëndësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rasim Boriçi, thotë për DW se trupat speciale përbëhen nga 4 njësi speciale policore që mbulojnë të gjithë territorin: njësia e zhytjeve, ajo antieksploziv, njësia e helikopterëve dhe e katërta është e negocimit. Duke folur për këtë të fundit Boriçi, thotë se ajo është ngritur tërësisht nga partnerët gjermanë.

"Duhet thënë se ajo është krijuar nga gjermanët. Nga krijimi dhe deri më sot një rol vendimtar në zgjidhjen e shumë situatave pa përdorimin e forcës, pa përdorimin e armëve. Pra, kjo është një e re e futur nga policia gjermane në Shqipëri".

Drejtori i Forcavë Lëvizëse Operacionale në Policinë e Shtetit, Hamdi Fjora, shpjegon për DW se dhe konsolidimi i njësisë së antieksplozivëve është realizuar falë ndihmës së ekspertëve gjermanë.

" Ka qënë një njësi krejtësisht e zhveshur nga mjetet speciale. Ndihma gjermane është konkrete, si në aparatura me rreze X për zbulimin e lëndëve eksplozive, për paisjen me top uji që është e vlefshme për asgjesimin e çantave apo sendeve të tjera ku janë depozituar këto lëndë eksplozive, kostumin antieksploziv që vesh xhenjeri kur afrohet afër objektit të dyshimtë, një automjet që i ka të gjitha këto aksesorë të njësisë në operacion".

Sipas Fjorës, efektivi special që operon në këtë drejtim jo vetëm në aspektin e "garderobës", por dhe të taktikës është i përgatitur njësoj si anëtarët e njësisë speciale në Gjermani.

Duke bërë një karakterizim të ndihmës gjermane për forcat speciale shqiptare, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së shtetit, Rasim Boriçi, tregon si veçori pozitive të saj mirëstrukturimin.

" Sepse është një ndihmë e gërshetuar si në aspektin teorik, me seminare, me trajnime etj., por dhe në aspektin praktik. Duke i bërë stërvitjet e përbashkëta në terren. Dhe në fund është finalizuar me mbështetjen logjistike konkrete. Pra një temë që merret dhe trajtohet nga ana teorike, zbatohet në praktikë dhe në fund krijohet baza logjistike për të vazhduar operacionet konkrete në varësi të nevojave të saj".

Burgu në Fushë-Krujë, pranë Tiranës

Burgu në Fushë-Krujë, afër Tiranës

Fokusi tek situatat tipike të cënimit të rendit

Kryekomisari, Luigj Vathi, drejton prej dy vjetësh RENEA-n, por karriera e tij në këtë repart elitë të forcave policore ka nisur qysh nga viti 1993. Duke folur për DW, kryekomisari Vathi kujton se qysh pas vitit 2003 zhvillohen të paktën dy stërvitje të përbashkëta me partnerët gjermanë. Ato janë më shumë të fokusuara sipas tij tek situatat tipike të cënimit të rendit dhe sigurisë.

"P.sh situata me krizë pengjesh në avion, në banesa një dhe shumëkatëshe, stërvitje për zgjidhje krizash në autobus, në tren. Specialistët gjermanë përveç atyre që ishin atashuar në Shqipëri në misionet ndërkombëtare të policisë, vinin dhe nga Gjermania, anëtarë të forcave speciale nga Lande të ndryshme atje".

Veç kësaj një pjesë e pjestarëve të RENEA-s ka ndjekur kualifikime dhe në Gjermani. Kryekomisari Luigj Vathi me kolegë të tij ka qënë disa herë në këto specializime. Kryesisht ato janë zhvilluar në Nordhein- Westfalen dhe në Nyremberg

"Këto trajnime kanë qënë si në planin e menaxhimit të operacioneve ashtu dhe në drejtim direkt të forcave në terren. Kemi bërë p.sh një trajnim në Nordhein-Westfalen ku morrën pjesë shumë forca speciale nga gjithë Europa përendimore. Ishte një trajnim profesional që na vlejti shumë në punën konkrete me forcat tona në Shqipëri".

Përfituesit e trajnimeve kanë qënë dhe janë në rradhë të parë specialistët dhe anëtarët e njësive që punojnë në terren. Duke rritur kështu dhe efektin e përmirësimit të punës në njërin prej sektorëve mjaft të rëndësishëm në rradhët e policisë së shtetit në Shqipëri .

Autor: Arben Muka

Redaktori: Mimoza Cika - Kelmendi

  • Data 13.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JduL
  • Data 13.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JduL