1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania mbështet Shqipërinë në eliminimin e rrezikut të municioneve

Qeveria gjermane asiston programe që Shqipëria të eleminojë plotësisht rrezikun e minave dhe lëndëve luftarake të paplasura. Dy donacionet e fundit janë dhënë për Zyrën Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve.

Pavarësisht shpenzimit të energjive njerëzore dhe fondeve monetare në 15 vitet e fundit, ndotja me municione e territorit të Shqipërisë është ende një problem kombëtar. Disa nga shkaqet e kësaj ndotjeje janë shpërthimet e papritura të depove të armatimit në të gjithë vendin gjatë trazirave të dhunshme në vitin 1997, nga prezenca e mbetjeve të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore, si dhe ish-rajonet dhe poligonet e asgjësimit të municioneve, të cilat duhet të pastrohen nga mbetjet eksplozive. Zonat e infektuara me municione, ose hotspotet, janë krijuar gjithashtu në disa nga ish-zonat e asgjësimit të municioneve të ushtrisë dhe poligonet e qitjeve, territoret e qitjeve dhe trajnimeve, të cilat janë mbyllur kohët e fundit nga autoritetet e Forcave të Armatosura të Republikës. Sipas ekspertëve shumica e këtyre rajoneve ka nevojë për një pastrim të plotë nëntokësor në një thellësi prej të paktën 20 deri 50 cm, përpara se të përdoren nga ushtria ose t'i dorëzohen komunitetit lokal.

Një nga strukturat më të qëndrueshme dhe të specializuara që operon në Shqipëri është Zyra Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve, AMMCO, që përmes mbështetjes së donatorëve të ndryshëm luan një funksion të rëndësishëm kombëtar në koordinimin dhe monitorimin e pastrimit të hotspoteve, edukimin ndaj rrezikut dhe aktivitete të asistencës ndaj viktimave të minave e municioneve, në mbështetje të realizimit të planit të çmilitarizimit të autoriteteve zyrtare.

Karte Landminen Albanien Englisch

Grafiku i zonave problematike në Shqipëri

Arben Braha, drejtor ekzekutiv i AMMCO-s thotë për Deutsche Welle-n se Zyra organizon dhe takime e diskutime me banorët në afërsi të hotspoteve, për t'i informuar rreth vend-ndodhjes së zonave të rrezikshme dhe progresin e operacioneve të pastrimit. Sipas tij, përpjekjet bëhen për të siguruar pjesëmarrjen aktive të grave dhe fëmijëve në proceset e konsultimit dhe në aktivitetet ndërlidhëse të komunitetit përreth zonave ku operacionet e pastrimit të zonave të infektuara janë në proces.

Respektim i standardeve ndërkombëtare të sigurisë

“Fokusi ynë është tek rishikimi i standardeve ekzistuese të sigurisë për pastrimin dhe asgjësimin e municioneve në hotspote dhe përmirësimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare humanitare. Por ne fokusohemi edhe për kryerjen e vlerësimeve të hollësishme teknike dhe social-ekonomike dhe propozojmë prioritetet për pastrim. Bazuar në vlerësimet dhe prioritetet, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes angazhohemi për planin kombëtar për pastrim. Objektiv është sigurimi i një toke të pastruar nëpërmjet garantimit dhe kontrollit të cilësisë dhe monitorimin e operacioneve të pastrimit për të siguruar që operatori është duke punuar në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë”.

Për Zyrën Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve ka rëndësi kooperimi me komunitetet lokale, për të ndërtuar programe të përshtatshme për ndërgjegjësimin e popullsisë dhe edukimin mbi rrezikun në zonat e hotspoteve, por dhe për çertifikimin e tokës së pastruar nga kompania e pastrimit dhe dorëzimin te komuniteti lokal.

Braha përmend dhe investimin për zgjerimin e programeve ekzistuese të asistencës ndaj viktimave në Shqipëri, për të përfshirë të aksidentuarit nga municionet/mbetjet eksplozive, si dhe zhvillimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi kombëtar të dhënash për aktivitetet e veprimit ndaj minave, lëndëve luftarake dhe viktimave në të gjithë Shqipërinë. Ai përmend si zona ku po punohet Palikeshtin and Mbreshtanin në Berat; Picarin dhe Kordhocën në Gjirokastër, Sinanajt në Tepelenë, Qaf-Shtamë, Klos dhe Suç në Burrel, Jubë-Sukth në Durrës. Laç, Borizanë të Krujës. Vertop të Beratit. Qafë Mollë të Tiranës dhe Labinot e Mengel të Elbasanit.

Arben Braha Albanien Experte für Munitionsentschärfung

Arben Braha, drejtor ekzekutiv i AMMCO-s

Mbështetja gjermane për operacionet e pastrimit

Në Zyrën Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve është evidentuar se krahas qeverisë së SHBA-së dhe qeveria gjermane ka qenë një mbështetëse kryesore e Shqipërisë në këtë fushë. Në mënyrë të vazhdueshme qeveria gjermane ka asistuar konkretisht operacionet e pastrimit të minave në veri të vendit. Dy donacionet e fundit, në korrik 2014 dhe korrik 2015, janë dhënë për Zyrën Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve, për të ofruar shërbime të specializuara në koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve të pastrimit të zonave të infektuara.. Nga kjo ndihmë, por dhe e donatorëve të tjerë vendas dhe të huaj Shqiperia është e pastër nga minat dhe municionet thërmuese që nga fundi i vitit 2009.

“Autoritetet gjermane kanë mbeshtëtur me fonde edhe në pastrimin e hotspotit me municione të paplasura në Gjeroven në një vlerë prej 100 mijë eurosh në vitin 2012, kurse herën e dytë po mbështet aktivitetin e AMMCO-s në dy periudha vijuese: në korrik 2014 dhe në korrik 2015, duke bërë të mundur që ekipi i Zyrës të ofrojë shërbimet e specializuara në koordinimin dhe monitorimin e aktiviteteve të pastrimit të hotspoteve, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me departamentet përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes”- thotë për Deutsche Welle-n Arben Braha.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është për të kontribuar në bërjen e Shqipërisë të sigurtë nga mbetjet explosive të luftës, si dhe municionet e paplasura, ose siç quhen ERW/UXO, dhe në përmbushjen e angazhimit të qeverisë shqiptare për të eliminuar rrezikun e municioneve. Sipas Brahës, komponentët kryesorë të programit fokusohen në përmirësimin e procesit të pastrimit të UXO-ve dhe përmirësimin e standardeve të eleminimit të municioneve të tepërta në nivel ndërkombëtar, zgjerimin e kuadrit të çmilitarizimit për të përfshirë sigurinë civile të komunitetit, ndërgjegjësimin dhe pjesëmarrjen, si dhe zgjerimin e skemës aktuale në verilindje të Shqipërisë duke ndihmuar të aksidentuarit në të gjithë Shqipërinë.

Paralajmërim i publikut për rreziqet shpërthyese

Në të gjithë Shqipërinë numërohen rreth 991 viktima, 150 prej tyre kanë humbur jetën dhe 841 kanë mbetur të plagosur në pjesën më të madhe me gjymtime trupore nga shpërthimi i minave dhe municioneve të braktisura e të paplasura. Arben Braha nga Zyra Shqiptare për Koordinimin e Minave dhe Municioneve, AMMCO, shpjegon se ka një plan kombëtar që synon mbështetjen e të dëmtuarve nga minat dhe municionet në Shqipëri.

“Pastrimi i këtyre zonave të nxehta do të rrisë sigurinë njerëzore, do të eliminohet rreziku për banorët, do të rritet edhe mundësia e vënies në përdorim eficent të tyre, qoftë nga qeveria shqiptare apo dhe nga autoritet lokale, apo edhe banorë lokalë të këtyre zonave, që mund të jenë me dobi qër qëllime bujqësore e blektorale. Ndaj dhe aktivitetet e edukimit mbi rrezikun lidhen ngushtë me përpjekjet për bashkëpunim me komunitetin. Materiale për rritjen e ndërgjegjshmërisë dhe shenja paralajmëruese janë prodhuar dhe do të shpërndahen në zonat e ndotura. Shenja duke theksuar dhe paralajmëruar publikun për rreziqet shpërthyese, janë vendosur rreth zonave me municione. Billbord-e me shenja dalluese me mesazhe edukimi mbi rrezikun e këtyre municioneve janë vendosur në zonat më të rrezikshme të identifikuara nga AMMCO. Përmirësimi i komunikimit e bashkëpunimit me banorët e autoritetet lokale, do të jetë një impakt tjetër i këtij projekti. Kjo do të sjellë edhe uljen e numrit të aksidenteve në të gjitha zonat me municione të paplasura që do të përfshihen në aktivitete edukimi e ndergjegjësimi”.

Impakti konkret për komunitetin

Në gusht 2014, Norwegian People's Aid (NPA) një organizatë humanitare me përvojë në veprimin ndaj minave, me një prezencë rajonale në Evropën Juglindore, nënshkroi kontratën me International Trust Fund “Rritja Sigurisë Njerëzore”, për të kryer pastrimin e hotspoteve në Shqipëri, me mbështetjen financiare të Qeverisë së SHBA-së përmes zyrës ITF/UNDP. Sipas Agron Vatës, përgjegjës operacional i NPA-së, “detyra e parë e pastrimt për këtë kompani pastrimi është dhënë nga AMMCO për hotspotin Gjeroven në Berat, bazuar në planin e veprimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe prioritetve për pastrim. “Kjo zonë pritet të përfundojë në shtator 2015, dhe pastaj do të punohet me pastrimin e dy zonave të tjera po në Berat, përkatësisht në Palikesht dhe në Mbreshtan”.

Helidon Bekteshi, ndërlidhës me komunitetin pranë NPA-së, thotë se Ministria e Mbrojtjes do të jetë përfituesi kryesor i projektit për zonën brenda perimetrit të saj, ndërkohe që pjesa rreth saj janë toka bujqësore të banorëve të këtyre zonave. Ministria do të përdorë për qëllimet e veta të gjithë këto zona të pastruara në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe pronarët legjitim të tyre, pas procesit të privatizimit, thotë Bekteshi për Deutsche Welle-n.

“Do të ulet rreziku nga aksidentet si rezultat i municioneve të paplasura që gjendeshin në keto zona. Sigurohet lëvizja e lirë e popullatës në këto zona dhe ambjente përrreth tyre, përfshirë dhe turistë që frekuentojnë këto zona. Jepet mundësi zhvillimi të mëtejshme të ish-zonave të kontaminuara dhe atyre përrreth tyre, projekte të ndryshme zhvillimi, rrugë-kanale gazsjellëse, naftëmbajtëse sipas zonave. Gjitashtu rritet sipërfaqja e zonës së punueshme në shërbim të autoriteteve dhe komunitetit që jetojnë aty. Gjithashtu projekti ka patur impakt edhe në punësimin e disa personave vendas, rreth 40.”