1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania mbështet shoqërinë civile në Shqipëri e Serbi

Gjermania mbështet një program bashkëpunimi shumëplanësh mes organizatave joqeveritare në Tiranë e Beograd. Parashihen shkëmbimeve të ekspertëve, studentëve, gazetarëve, e ato në fushën ekonomike, kulturore e artistike.

Deutsche Botschaft in Tirana

Albert Rakipi me ambasadorin gjerman, Helmut Hoffmann

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare AIIS në Tiranë dhe Forumi për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Lëvizjes Europiane të Serbisë, EMinS, në Beograd po ushqejnë prej disa muajsh kontakte të ndërsjella, për të ndërtuar ura të qëndrueshme të komunikimit. Hapi i parë institucional është krijimi i “Qendrës së Përbashkët për Marrëdhëniet Shqipëri – Serbi”, si një program shumëplanësh kooperimi mes dy organizatave partnere.

Fryma e iniciativës së Kancelares Merkel dhe mbështetja e vendeve anëtare të BE-së, konferencat vjetore për rajonin në Berlin e Vjenë shikohen si një sfond nxitës për nisma të tilla konkrete, me projekte që ngjizen dhe zbatohen në terren. Pas mbështetjes që ka dhënë Fondacioni Gjerman Friedrich Ebert, FES, edhe Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka mbështetur së fundmi funksionimin e Qendrës me një buxhet prej 40 mijë eurosh.

Shkëmbime për të rritur ndërveprimin

Zëvendësdrejtorja e AIIS-it në Tiranë, Alba Çela, e përshkruan këtë suport si një shtysë për fazën e nisjes, që do të destinohet sipas saj në procesin e shkëmbimeve, për të vijuar më pas me etapa të tjera të partneritetit, që lidhen me ekonominë, kulturën, artin etj. “Fillesat do të jenë aktivitete konkrete, kryesisht të natyrës së shkëmbimeve, në mënyrë që njerëzit të udhëtojnë te njeri-tjetri, në nivel studentësh, pedagogësh, gazetarësh, duke rritur ndërveprimin. Dhe kemi mjaft aspekte të përbashkëta, si mund të përmendim integrimin europian, për të cilin dy organizatat janë mjaft aktive në vendet e tyre”- thotë Çela në një intervistë me Deutsche Welle-n.

Deutsche Welle in Tirana

Zëvendësdrejtorja e AIIS-it në Tiranë, Alba Çela

Sipas saj, shoqëria civile ka marrëdhënie më të mira, më të relaksuara dhe të hapura, në favor të afrimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Shkëmbimi i vizitave, pjesamarrja e përbashkët në aktivitete të ndryshme në nivel rajonal a global ka qenë dhe mbetet si premisë për kooperim. Kjo sinergji mund të përçohet dhe në segmente e shtresime të tjera të shoqërisë, pasi me kontakte dhe shkëmbime konkrete përvojash ndërtohen raporte pozitive mes vendeve dhe popujve.

Ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Shqipëri, Hellmuth Hoffmann është shumë entuziast për projektin e dy organizatave joqeveritare. “E përshëndesim fort këtë iniciativë! Përafrimit i nevojitet shkëmbim! Është diçka e mirë që në kuadër të këtij projekti krahas dialogut politik mes përfaqësuesve shtetërorë të Shqipërisë dhe Serbisë të bashkohen gjithnjë e më shumë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve kulturore dhe arsimore", u shpreh Ambasadori në ceremonialin e dhënies së mbështetjes për projektin.

Duke ndjekur agjendën e aktivistëve shqiptarë dhe serbë, janë të programuara formate të tilla ndërvepruese si: diskutime me të rinj, përfaqësues të biznesit, të kulturës dhe shkencës; krijimi i një forumi për shkëmbimet rreth temash kontroverse në sektorin e marrëdhënieve dypalëshe; themelimi i Akademisë Evropiane të Rinisë, European Academy of Youth, me të rinj shqiptarë dhe serbë; realizimi i një programi dypalësh disamujor praktikantësh; apo programe shkëmbimi për gazetarë të të dyja vendeve.

Shikimi me pozitivitet i së ardhmes bashkëpunuese dypalëshe

Zëvendësdrejtorja e AIIS-it në Tiranë, Alba Çela, i referohet një sondazhi që është zhvilluar në nëntor e dhjetor të vitit të kaluar nga të dy organizatat në dy shtetet respektive. Në fokus të pyetësorit të cilit iu përgjigjën njerëz nga kategori e shtresa të ndryshme sociale, në qendër të vëmendjes ishte vlerësimi i tyre për nivelin marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivën e tyre.

“Një nga gjërat që u evidentua në përgjigjet e tyre ishte se ka pak informacione për kulturën e njëri-tjetrit, pra, ka vend për njohjen, të themi, të letërsisë serbe nga ne përshembull, apo e kundërta, për letërsinë shqiptare në Serbi. Realisht ka pak libra të përkthyer dhe mundësi janë të shfrytëzuara minimalisht për të promovuar në këtë fushë. Po t'i qendrojmë sërish sondazhit, nga përgjigjet e qytetarëve shqiptarë dhe atyre serbë, ka dukshëm gatishmëri në të dy vendet për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Sigurisht që nuk mund të fshehim shprehjen e ndjenjave dhe shfaqjeve të ekstremizmit dhe jotelerancës. Por evidente kanë qenë shprehja e mendimeve për ta parë më me pozitivitet të ardhmen e dy shteteve. Në këtë hapësirë ne jemi duke punuar me partnerët serbë dhe për këtë ka bashkëpunim të shkëlqyer që do të shoqërohet me rezultate konkrete shumë shpejt”- thotë për Deutsche Welle-n, Alba Cela nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë”.