1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania - lidership i një partneriteti të ri strategjik mes BE-së dhe Ballkanit

Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, ministri i Jashtem Frank-Walter Steinmeier priti të mërkurën(18.6) pasdite kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Në fokus të takimit ishte integrimi i Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Kreu i diplomacisë gjermane vlerësoi me nota pozitive rrugen e re të ndryshimeve që ka ndërmarre Shqipëria, si dhe shprehu edhe një herë mbështetjen e fuqishme të qeverisë gjermane në drejtim të realizimit të reformave të kërkuara nga BE-ja.

Në takim u fol edhe për një bashkëpunim edhe më të gjerë bilateral mes dy vendeve, duke vënë theksin në rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon.

Gjatë qëndrimit në Berlin, kryeministri Rama më parë ishte i ftuar në një takim nga Fondacion „Friedrich Ebert“ ku si temë kryesore ishte marrja e statusit të Shqipërisë si vend kandadat për anëtarësim në BE. Kryeministri Rama shprehu bindjen se Shqipëria dhe Ballkani në BE kanë nevojë për njëri-tjetrin.

"Ne e kemi kaluar testin dhe pse unë besoj se Shqipëria e meritonte statusin e vendit kandidat që në dhjetor dhe mosmarrja e statusit kandidat nuk i solli ndonjë gjë të mirë as Shqipërisë, as rajonit, por unë mendoj se nuk i solli ndonjë të mirë as Evropës apo procesit të përgjithshëm të përparimit europian”, u shpreh Kryeministri.

Bashkimi Europiani, nënvizoi Kryeministri Rama, është jo thjesht vizion për Ballkan, por edhe domosdoshmëri për shoqëritë dhe vendet e një rajoni që, pas një të kaluare të hidhur, jeton vitin e parë pa konflikte. Kryeministri Rama foli më tej, për domosdoshmërinë që rajoni ka për BE-në. Sikundër, në pikëpamjen e Kryeministrit “në të njëjtën kohë, ne duhet të gjejmë mënyrën për të mos e lidhur vëmendjen dhe bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Ballkanin, me marrëdhënien midis Unionit dhe çdo vendi. Rruga individuale e çdo vendi është një gjë dhe bashkëpunimi rajonal, tjetër gjë.”

Ballkani, përfundoi Kryeministri, nuk mund të prosperojë pa kontributin e përbashkët të të gjitha vendeve të tij dhe pa mbështetjen e familjes europiane. Të mërkurën paradite Kryeministri Rama vijoi me axhendën e tij në kryeqytetin gjerman në një takim me investitorë gjermanë. Forumin ekonomik e organizoi Ministria gjermane për Zhvillim Ekonomik, banka Deutsche Bank së bashku me Shoqatën gjermane për Industri dhe Tregti, në Shqipëri, DIHA si dhe në bashkëpunim me ambasadën e Shqipërisë në Berlin. Rama shoqërohej edhe nga ministri për Zhvillim Ekonomik dhe Tregti, Arben Ahmetaj, deputetë dhe përfaqësues të biznesit në Shqipëri.

Por sa interesante është Shqipëria për investitorët gjermanë dhe tregun gjerman? Pikërisht në këtë pyetje Kryeministri në fjalën e tij u ndal në disa nga faktorët tashmë të konsoliduar edhe në programin e qeverisë aktuale për t'ia lehtësuar ardhjen investitorëve të huaj në Shqipëri. Ai veçoi dhe ligjet e miratuara së fundi që sigurojnë edhe një garanci për investitorët e huaj. "Shifra më e fundit e rritjes prej 46 % në volum, të eksporteve në Shqipëri, si dhe 32 % në vlerë, është një rritje tjetër që na jep një shenjë tjetër inkurajuese të vënies në lëvizje të ekonomisë së Shqipërisë, theksoi Rama. Ai edhe njëherë theksoi se Shqipëria tashmë i ka përmushur detyrat e shtëpisë, vendosur nga Europa për ta marrë statusin e vendit kandidat.

Pyetjes se çfarë pret Shqipëria nga Gjermania, Rama u përgjigj: lidershipin e nje partneriteti te ri strategjik mes BE-se dhe Ballkanit.

Drejtorja e përgjithshme për Evropën në Ministrinë gjermane për Zhvillim, Claudia Dörr - Voß, u përqëndrua në ndryshimet e bëra së fundi nga qeveria aktuale sidomos në fushën juridike. Shqipëria ende mbetet për një pjesë të biznesit gjerman si një treg i panjohur. Ajo që lëviz me ngadalë është problemi i përmirësimit të imazhit që vendi ka në optikën e huaj, theksoi ajo. Nga ana e tij, ministri Ahmetaj i bëri një paraqije më të hollësishme situatës ekonomike në vend dhe mbi të gjitha të nevojës për rinvestime veçanërisht në sektorin e enrgjisë, të furnizimit me ujë apo në manifakturë.

Ahmetaj theksoi në fjalën e tij se Shqipëria është një vend i vogël në Ballkan, por një vend që ka nënshkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë CEFTA, e cila e ngre tregun në nivelin e 26 milionë konsumatorëve. “Ne qëndrojmë në portat e Europës, në pragun e tregut më të madh në botë”, theksoi Ahmetaj.

Drejtorja Ekzekutive e shoqatës DIHA-s Anette Kasten, duke bërë një pasqyrim të interesave që ka biznesi gjerman për Shqipërinë veçoi industrinë e lehtë. "Specifikisht industria tekstile, përpunimi i lëkurëve, prodhimi i aparateve mjekësore etj. Interesim biznesi gjerman ka dhe për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, sektorin energjetik, turizmin, në një kohë që agrobiznesi vlerësohet me mjaft perspektivë.

Në këtë takim me investitorët gjermanë nuk u anashkalua edhe ngjarja e Lazaratit në Shqipëri. Pyetjes se kur do përfundojë operacioni i policisë në Lazarat, kryeministri u përgjigj: Kur të jetë vendosur plotësisht sundimi i ligjit.