1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania kundër "kartës blu"- Tema e migracionit është çështje kombëtare

Sabine Kinkartz16 Shtator 2007

Qeveria gjermane e ka hedhur poshtë propozimin e komisionerit të BE-së për "karta blu" për specialistët e huaj. Përsa kohë që në Gjermani ka disa milionë të papunë përparësi ka tregu gjerman.

https://p.dw.com/p/BgFo
Takim i ministrave të brendshëm të BE-së në Berlin, prill 2007Fotografi: AP

Komisoneri i BE-së për drejtësi dhe punë të brendshme, Franko Fratini (Franco Frattini) ka propozuar këtë javë, që disa grupeve të caktuara migrantësh t'u jepen "karta blu". Ngjashëm si "karta e gjelbër" (Green Card) e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky dokument do t'u mundësojë migrantëve të kualifikuar një qendrim njëvjeçar në një vend të BE-së. Ky propozim i Fratinit është kritikuar nga shumë politikanë gjermanë.

Unionistët dhe socialdemokratët janë të të njëjtit mendim: Planet e komisionerit të BE-së për drejtësi dhe punët të brendshme, Franko Fratini për të sjellë milionë migrantë të kualifikuar nga e gjithë bota rrefuzohen nga qeveria gjermane. Ministri gjerman për punën dhe çështje sociale, Franc Myntefering (Franz Müntefering), ka reaguar i inatosur. Kjo nuk është çështje e ministrave të brenshëm dhe as e komisionerit të BE-së. Tema e migracionit është një çështje kombëtare, thotë ministri. Ai vetë sapo ka hartuar një koncept për rekrutimin e inxhinjerëve të kualifikuar, për të cilët ka nevojë tregu i punës në Gjermani.

Në hartimin e tij ka punuar edhe ministri federal i ekonomisë, Mihael Glos (Michael Glos): „Në radhë të parë ne duhet të luftojmë për të shrytëzuar potencialin ekzistues në Gjermani", - tha Glos në debatin e zhvilluar për buxhetin e vitit 2008 këtë javë në Bundestag. "Për këtë duhet të kujdesemi që të ketë më shumë studentë në degët teknike dhe të hartojmë programe të posaçme profesionalizimi." Gjermania nuk mund të tërheqë në mënyrë masive fuqi puntore nga jashtë, vetëm sepse ka nevojë tani për to, thotë Glos. Kjo është si të hapësh e të mbyllësh rubinetin.

Folësi i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Diter Vifelspyc (Dieter Wiefelspütz) tërheq vëmendjen edhe për problemet që mund të kenë migrantët e rinj për t'u integruar. Nuk duhen përsëritur gabimet e viteve 70-të, tha ai. Propozimin e Fratinit ai quan "shumë të çuditshëm".

Përsa kohë që në Gjermani ka disa milionë të papunë, për Partinë Socialdemokrate (SPD) ka përparësi tregu gjerman, edhe atëherë kur ekonomia del me humbje, siç theksoi Andrea Berg, nga grupi parlamentar i socialdemokratëve: „Ne që tani jemi duke humbur 20 miliardë euro fuqi blerëse në vit, sepse na mungojnë specialistët. Gjendja është shumë alarmante, kru dëgjon gjithmonë e më shumë zëra nga politika dhe ekonomia, që kërkojnë që ky problem të zgjidhet me migracion."

"Të Gjelbrit", liberalët (FDP) dhe sipërmarrësit e mbështesin propozimin e Fratinit. Oliver Heikaus (Hajkaus), ekspert i tregut të punës në Shoqatën e industrialistëve dhe tregtarëve e quan pozitiv nxitjen e një debati për lehtësimin e tregut të punës: „Nisur nga transformimi demografik dhe mungesa e specialistëve, Gjermania është e detyruar të hapë tregun e punës për specialistët e huaj. Rregullat e këtushme, sipas të cilave një specialist duhet të fitojë të paktën 85.500 Euro në vit, janë gati të parealizueshme për sipërmarrjet e mesme dhe të vogla."

Qeveria ndërton barrikada, aty ku të tjerët shtrojnë qilimin e kuq, ankohet deputetja e gjelbër, Tea Dykert (Thea Dückert). Në debatin parlamentar ajo e lavdëroi planin e komisionerit. Edhe kolegia e saj Kerstin Andreae lavdëron synimin e Fratinit që me anë të "kartës blu" u krijon mundësinë specialistëve që të mos shkojnë në SHBA, por të vijnë në BE: „Ne kemi nevojë për një sistem pikësh për migrantët e kualifikuar, njohjen e diplomave të tyre dhe uljen e pagës minimale të nevojshme."

Një specialist i lartë këtu hap dy vende të reja pune, argumenton Andreae. Edhe liberalët janë për një sistem pikësh, por ndryshe nga të gjelbrit, ata janë në linjën e qeverisë, që migracioni mbetet çështje e brendshme kombëtare, dhe jo e BE-së.