1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania kërcënon me sanksione të mëtejshme për Rusinë

Para takimit të pranverës së kryeministrave të vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel, kancelarja Merkel sqaron qëndimin e qeverisë gjermane.

Në takimin dyditor të kryeministrave të vendeve të Bashkimit Evropian në Bruksel, qeveria gjermane nuk do të bëjë thirrje një herë për një herë për sanksione gjithëpërfshirëse ekonomike kundër Rusisë. Këtë e bëri të qartë kancelarja Angela Merkel në një deklaratë të qeverisë në parlament. Megjithatë ajo njoftoi bllokime të mëtejshme llogarish bankare dhe ndalime për të hyrë në vendet e BE-së për persona me poste drejtuese në Rusi dhe Ukrainë, pra masa të fazës së dytë të paketës së sanksioneve të miratuara nga Komisioni Evropian më 6 mars.

Megjithatë nëse situata në Ukrainë rëndohet, atëherë BE-ja do të fillojë fazën e tretë të sanksioneve, pra ato ekonomike. Kjo mund të ndodhë nëse situata në Ukrainën lindore dhe jugore destabilizohet më tej.

Merkel njoftoi gjithashtu masa të mëtejshme për të bërë presion politik mbi Rusinë për shkak të aneksimit të Krimesë duke vënë në pikëpyetje takimin e planifikuar të G7 me Rusinë dhe konsultimet ndërqeveritare gjermano-ruse.

Gjermania shpreson gjithashtu se pavarësisht negociatave të vështira për dërgimin e një misioni vëzhgues ndërkombëtar civil të OSBE-së në Ukrainë kjo do të realizohet, theksoi Merkel. Të mërkurën bisedimet për këtë çështje që po zhvilloheshin në Vjenë u shtynë për një kohë të pacaktuar. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier kërkoi që të merret një vendim i shpejtë lidhur me këtë mision, por Rusia e bllokon këtë gjë.

Opozita e majtë ,opër bisedime me Rusinë

Partia e Majtë, e cila është në opozitë, nuk është dakord me masat e qeverisë gjermane për Rusinë. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Majtë në Bundestag, Gregor Gysi paraqiti një plan alternativ. "Ne nuk duhet të mendojmë negativisht për sanksione, por pozitivisht." tha Gysi duke sugjeruar fillimin e negociatave me Rusinë dhe pranimin e "gabimet që janë bërë nga të dy anët, si p.sh. për vendosjen e sistemit amerikan të mbrojtjes prej raketave në Poloni dhe në Republikën Çeke dhe zgjerimin e NATO-s drejt lindjes". Një perspektivë e re e marrëdhënieve midis Rusisë dhe BE-së duhet të varet nga kushte, tha Gysi.

Ekonomia dhe tregtia e lirë

Merkel u ndal në fjalën e saj edhe të masat për kapërcimin e krizës ekonomike dhe krizës së borxheve. Ajo tha se Evropa duhet të ketë në fokus edhe ekonominë digjitale për të qenë e aftë në konkurrencën globale.

Po ashtu u bëri thirrje deputetevë që ta mbështesin qeverinë në bisedimet për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me SHBA-në.

Në lidhje me klimën ajo tha se në samitin e BE-së nuk pritet të merret ndonjë vendim i përbashkët për reduktimin e CO2 sepse pozicionet e shteteve anëtare në këtë pikë janë shumë të ndryshme. BE-ja planifikon një ulje të emisioneve të CO2 me 40%.