1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i shpëton grevës në sektorin e shëbrimeve publike

VFB31 Mars 2008

Sindikatat dhe sipërmarrëasit ranë dakord për kontratat e reja në sektorin e shëbrimeve publike. Kjo është tema më e komentuar në shtypin gjerman të së martës.

https://p.dw.com/p/DY46
Aeroporti i Dyseldorfit - Pasagjerët konfrontohen me vonesa dhe anullim fluturimesh për shkak të grevës më 5 mars 2008Fotografi: AP

Gazeta "Süddeutsche Zeitung" komenton: "Shteti duhet t´u jetë mirënjohës sindikatave, që ato më në fund e vunë atë në lëvizje për t´i paguar më mirë punonjësit e vet. Qysh prej tri vjetëve e gjysmë të punësuarit në sektorin publik të federatës dhe të komunave nuk kanë pasur rritje page. Në shërbimin publik punon një pjesë e madhe e njerëzve, për të cilët thuajse nuk ka alternativë në tregun e punës. Kjo jo sepse ata nuk punojnë mirë, apo janë dembelë, por sepse veprimtaria e tyre është autentike për sektorin publik. Madje profesioni i tyre është si të thuash një mision, për të cilin ata detyrohen t´i kapërdijnë edhe pagat jo të mira."


Në të përditshmen "Leipziger Volkszeitung" autori konstaton: "Punë e kryer, Gjermania i shpëtoi grevës së madhe. Marrëveshja gjatë bisedimeve për kontratat e sektorit publik mes sindikatave dhe sipërmarrësve u mundësua në minutën e fundit, pasi sindikatat duke i kapërcyer caqet ideologjike te tyre pranuan kohën më të gjatë të punës në komunat perëndimore. Kjo pengesë duhej të ish kapërcyer me kohë, aq më tepër që në komunat lindore punonjësve ka kohë që u duhet të punojnë më gjatë për të fituar paratë e tyre. Për lëshimin e bërë duke pranuar orarin e zgjatur të punës, sindikatat kanë kërkuar një dëmshpërblim të majmë. Se deri në çmasë komunat do të jenë në gjendje ta përballojnë rritjen e pagave, kjo mbetet të shihet. Por shumë komuna me siguri që s´do të kenë rrugë tjetër veçse të rrisin tarifat dhe kuotizacionet."


Në të njëjtin konkluzion arrin edhe komentatori i "Ostthüringer Zeitung": "Marrëveshja e re për kontratat ka edhe një anë negative. Sipërmarrësi publik ka arritur në kulmin e kapaciteteve të veta financiare, madje në shumë qytete dhe komuna në Lindje të Gjermanisë i ka tejkaluar ato. Qysh sot është e qartë, që shpenzimet shtesë në buxhetin publik do të kompensohen përmes rritjes masive të tarifave, shtimit të privatizimeve, rritjen e borxheve, çka do të imoponojnë edhe shkurtimet e vendeve të punës. Si rjedhojë e kostove më të larta për personelin priten shkurtime të shpenzimeve në të tjerë sektorë publikë siç janë shkollat, kopshtet apo kultura."