1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania i ofron mbështetje Kosovës

Bekim Shehu
6 Mars 2018

Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë së Kosovës njofton se prioritet i kësaj ministrie është harmonizimi i legjislacionit të plotë me MSA-në.

https://p.dw.com/p/2tmrK
Ökonomie im Kosovo
Fotografi: DW/E.Ahmeti

"Prej marrjes së mandatit, jemi munduar që sa i përket legjislacionit, t'i shtyjmë disa ligje që nuk kanë qenë në harmoni të plotë me MSA-në. Kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe janë diku dhjetë ligje që janë proceduar në qeveri. Ne politikat tona i kemi orientuar në përkrahjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve. Te përkrahja e ndërmarrjeve të vogla, jemi të orientuar shumë në përmirësimin e konformitetit të produkteve, përkrahjen e bizneseve për t'i rritur kapacitetet e prodhimit, që nëpërmjet kësaj synojmë ta rrisim edhe eksportin”, thotë ministri i Tregtisë dhe i Industrisë në qeverinë e Kosovës, Bajram Hasani. Ministri njoftoi se në kuadër të harmonizimit të ligjeve me politikat e BE-së, aplikuesi i parë për ta marrë statusin e Investitorit Strategjik në Kosovë, është një kompani me kapital gjermano-kosovar që pritet të investojë 130 milionë euro në energji diellore.

Kosova lë prapa Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën

Në hulumtimin e fundit të vitit 2017 të bërë nga Grupi i Bankës Botërore "Doing Business”, Kosova është renditur në vendin e 40-të, pra  si një vend i përshtatshëm për të bërë biznes. Ndërsa sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, këto dukuri megjithatë vazhdojnë të jetë e pranishme në Kosovë, mirëpo në vitin 2017 Kosova ka shënuar përmirësim në renditje duke kaluar nga vendi 95 në 85. Krahasuar me rajonin Kosova lë prapa Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bosnjën.

Gjermania po nis një mision të dytë në Kosovë

Një ditë më parë ndërkaq qeveria e Kosovës dhe Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, nënshkruan marrëveshje për shfrytëzimin e mëtejmë të një pjese të liruar të kampit ushtarak gjerman në Prizren, si park inovativ dhe trajnues kosovaro-gjerman. Organizata gjermane GIZ bëri prezantimin e projektit të fizibilitetit, ku u elaboruan pesë fushat që do të jenë pjesë e parkut ekonomik, siç janë: inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura. Kryeministri Ramush Haradinaj,tha se Gjermania, po nis një mision të dytë në Kosovë. "Ne u bëmë bashkë në vitin 1999, për ta sjellë paqen në vendin tonë, kur Gjermania për herë të parë në historinë e saj vendos t'i dërgoj trupat e saj paqeruajtëse në Kosovë dhe tani pas dy dekadave, në shërbim të paqes njerëz të vullnetit të mirë, iniciojnë hapin e radhës për prosperitetin e vendit, themelin e parkut inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosovo Ramush Haradinaj, Premierminister & Christian Heldt, deutscher Botschafter
Kosova dhe Gjermania nënshkruan marrëveshje për shfrytëzimin e një pjese të liruar të kampit ushtarak gjerman në PrizrenFotografi: Office of the prime-minister of Kosovo

Ambasadori gjerman Christian Heldt nga ana e tij, tha se në parkun inovativ kosovaro-gjerman të Prizrenit do të valojë prap flamuri gjerman.  "Flamuri, gjerman në të ardhmen nuk do të jetë më një shenjë e pranisë së Bundeswehr-it. Në vend të kësaj, bashkë me flamurin kosovar ai do të qëndrojë si premtim për një ardhmëri të suksesshme ekonomike të Kosovës. Parku i ri inovativ dhe trajnues gjermano-kosovar do të ju mundëson kosovarëve të rinj të ndërtojnë një të ardhme në shtetin e tyre të ri.” - tha ambasadori gjerman Christian Heldt.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë në qeverinë e Kosovës, Gjermania është investitori më i madh në Kosovë duke shënuar një investim direkt prej 540 milionë eurosh që nga përfundimi i luftës.