1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Gjermania financon linjën elektrike Tiranë-Prishtinë

Në Prishtinë u zhvilluan negociatat e para qeveritare mes Gjermanisë dhe Kosovës. Intervistë ekskluzive me përfaqësuesin e palës gjermane, Leo Kreuz

Logo e Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik

Logo e Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik

Deutsche Welle: Zoti Kreuz, ju sapo përfunduat negociatat e para gjermano-kosovare. Sa ëshët shuma e negociuar?

Leo Kreuz: Janë 23 milionë Euro dhuratë nga buxheti i shtetit gjerman, plus 17 milonë kredi me kushte shumë të leverdishme. Pra pakoja e nënshkruar sot kap shifrën prej 40 milionë Euro.

Deutsche Welle: Në konferencën e donatorëve në korrik Gjermania i premtoi Kosovës 100 milionë Euro ndihmë bilaterale. Në ç'relacion qëndron pakoja e sotme me këtë premtim?

Leo Kreuz: Këto janë 40 milionët e para.

Deutsche Welle: Pra këtu përfshihen edhe kredi?

Leo Kreuz: Këto janë të ashtuquajtura "soft loans" që janë kredi me interesa tepër të ulëta, kthimi i të cilave fillon mbas 20 vjetësh. Ato përdoren për projekte të subvencionuara nga ne, të cilat i sjellin Kosovës aq shumë përfitim, saqë ajo do të jetë në gjendje ta përballojë borxhin.

Deutsche Welle: Dhe ju këto para nuk do të dëshironit t'i jepnit falas...

Leo Kreuz: Pjesërisht nuk duam t'i japim falas, sepse duam të sigurohemi që pala kosovare të mos i trajtojë këto mjete si të vetëkuptueshme, por, duke qenë e detyruar të kthejë një pjesë të tyre, të nxitet për t'i përdorur ato me përgjegjësi. Për shembull, një projekt që premtuam ne sot është ndërtimi i një linje transmisioni elektrik 400 kilovoltësh nga Prishtina në Tiranë. Kjo linjë është shumë e nevojshme për Kosovën, por është edhe në interes të Shqipërisë. Ne sot premtuam mjetet e kuotës për Kosovën, kurse më 7 tetor do të jemi në Tiranë për të negociuar pjesën që i takon Shqipërisë.

Deutsche Welle: Pra kredia 17 milionëshe është paraparë për projektin në fjalë...

Leo Kreuz: Po, gjithsej janë 30 milionë Euro, që premtuam sot për segmentin kosovar të linjës elektrike.
Deutsche Welle: Ku shkon pjesa tjetër prej afro 10 milionë Euro?

Leo Kreuz: Ato do të shkojnë në projekte të ndryshme këshillimesh, si për shembull në një konsulencë për hartimin e një ligji për nxitjen e investimeve të huaja, në një projekt për përpilimin e kurrikulave në ministrinë e arsimit ose për mbështetjen e qendrave profesionale, në projekte konsulencash për biznesin e vogël dhe në formë kredish për ndërmarrje të vogla e të mesme, në mënyrë që ato të nxjerrin prodhime sipas kërkesave të tregut.

Deutsche Welle: Kosova kritikohet për nivel të lartë korrupsioni. Si e keni zgjidhur ju këtë problem?

Leo Kreuz: Sa u përket mjeteve që vë në dispozicion Gjermania, nuk shoh ndonjë problem. Ne ushtrojmë kontroll të vazhdueshëm mbi paratë e derdhura. 40 milionët, për të cilat folëm sot, nuk do të vendosen në tryezë qysh nesër, por do të derdhen me kalimin e kohës, në bazë të përparimeve që do të jenë shënuar në projekte. Deri tani nuk mund të ankohemi që qoftë edhe ndonjë cent i mjeteve që kemi vënë në dispozicion të mos ketë shkuar në destinacionin e duhur.

Deutsche Welle: A vendosni kufij kohorë për projektet tuaja?

Leo Kreuz: Po, natyrisht.

Deutsche Welle: Cili është kufiri kohor për projektin e linjës së transmisionit?

Leo Kreuz: Për projekte kaq të mëdha nuk mund të vendosim kufij kohorë, sepse dalin shumë të papritura, por unë mendoj se kjo linjë duhet të jetë ndërtuar brenda pesë vjetësh.

  • Data 19.09.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLN2
  • Data 19.09.2008
  • Autor Intervistën e zhvilloi Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLN2