1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania feston 24 vjetorin e ribashkimit

Dita e bashkimit të Gjermanisë është festa kombëtare gjermane. Ky bashkim është bërë para 24 vjetësh dhe ka shumë, që merren ende me gjërat, që na ndajnë, mendon Dagmar Engel. Kjo duhej të ndryshonte.

Edhe aq të lumtur gjermanët nuk janë me 3 tetorin. Data është thjesht teknike, e vendosur para 24 vjetësh, sepse kështu e kërkonin afatet për zgjedhjet. Por gjithsesi dita e bashkimit të Gjermanisë është çdo vit një mundësi për të parë se si qëndrojnë punët me këtë bashkim. Çdo vit statistikat na furnizojnë me të dhëna për këtë temë. Për të 24-tën herë le të hedhim një vështrim mbi to: Fuqia ekonomike e landeve të reja federale (ish RDGj) gjendet ende me një të tretën pas landeve të vjetra në perëndim të vendit (ish RFGj). Gjermanolindorët fitojnë mesatarisht më pak. Pasuritë e tyre janë vetëm sa gjysma e perëndimorëve. Vetëm një ndër pesë gjermanoperëndimorë ka qenë asnjëherë në lindje të Gjermanisë. Çfarë bashkimi.

Megjithatë fuqia ekonomike në disa rajone zë perëndimit nuk është më e madhe. Pensionet në perëndim janë shumë më të ulëta se ato në lindje, dhe me kosto jetese shumë më të larta. Infrastruktura në perëndim po prishet, gratë fitojnë më pak se burrat kudo në Gjermani dhe gati asnjë nga Bavaria e Sipërme (Oberbayern) nuk ka qenë ndonjëherë në jetën e tij në Saksoninë e Poshmte (Niedersachsen).

Dagmar Engel

Dagmar Engel

Dallimet nuk janë zhdukur, por ata janë ndërkohë kudo. Gjermanolindorët dhe gjermanoperëndimorët e konsiderojnë njëri-tjetrin krejtësisht të ndryshëm, por janë shumë të afërt në atë, që i preokupon, dhe në atë që për ta është e rëndësishme. Të ardhurat, familja, miqtë, partneri janë prioritetet kryesore. Dhe liria që është më e rëndësishme për të gjithë, është liria e shprehjes.

Le të gëzohemi!

Dhe kështu që unë mendoj se është koha për të marrë më seriozisht atë, që na bashkon, se sa atë, që na ndan. Kështu shumica e gjermanëve mendojnë ndërkohë se Gjermania duhet të angazhohet më shumë në krizat ndërkombëtare. Kjo është e re. Është koha që qytetarët e këtij kombi, me popullsinë më të madhe dhe me ekonominë më të fortë në Evropë, të bëhen më të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre dhe të mendojnë më shumë për rolin e tyre: Ky debat do të ishte i denjë për një festë kombëtare. Edhe pse është i vështirë termi "komb" në kontekstin e abuzimit me të në historinë gjermane, të rinjtë në këtë vend nuk e perceptojnë më veten si gjermanolindorë apo gjermanoperëndimorë, por si gjermanë dhe evropianë.

Natyrisht që nuk kemi nevojë t'i vemë një emër tjetër ditës së bashkimit gjerman. Le të gëzohemi, që askush brenda apo jashtë vendit nuk mendon ta prishë këtë unitet. Le të gëzohemi, që është bashkë, ajo së cilës gjithsesi i takon të jetë së bashku. Le të gëzohemi, që kemi një festë kombëtare. Le të gëzohemi për një ditë të përbashkët pushimi - le të festojmë!