1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania eksporton sistemin dual të arsimit profesional

Peter Stützle / Eliana Xhani14 Dhjetor 2012

Gjermania ka papunësinë më të ulët tek të rinjtë në Evropë. Një nga arsyet është sistemi dual i arsimit profesional. Këtë sistem ministrja gjermane e Arsimit Schavan do ta eksportojë edhe në vende të tjera evropiane.

https://p.dw.com/p/1726C
Berufschüler lernen im Seminar einer Fachhochschule. #35641899
Symbolbild BerufsschülerFotografi: Fotolia/Robert Kneschke

"Kemi hedhur bazat për një aleancë evropiane kualifikimi". Ministrja gjermane e Arsimit Annette Schavan, përdori fjalë të mëdha në mbyllje të një konference evropiane për arsimin në Berlin. Mbi 50 për qind është papunësia e të rinjve në Greqi dhe Spanjë dhe të dy këto vende ishin të përfaqësuar në Berlin me kuadro të larta të politikës së arsimit. Po kështu edhe Portugalia, Italia, Sllovakia dhe Letonia. Me një kualifikim profesional më pranë praktikës, këto vende synojnë t'u ofrojnë të rinjve shanse më të mira punësimi.

Annette Schavan
Annette SchavanFotografi: dapd

Në një memorandum të shtatë vendet ranë dakord për masa konkrete për "optimizimin e sistemeve të tyre kombëtare të arsimit". Në qendër është përfitimi i vendeve të tjera nga përvojat pozitive me sistemin dual të kualifikimit në Gjermani. Programe shkëmbimi, ofrimi i ekspertëve gjermanë si dhe ngritja e 30 rrjeteve rajonale të kualifikimit me pjesëmarrje gjermane në vendet partnere janë disa nga mjetet për arritjen e këtij objektivi. Dhjetë milionë euro vë në dispozicion për këtë Ministria gjermane e Arsimit, të cilat "do të plotësohen me mjete nga vendet partnere", thuhet në deklaratën për shtyp. Në memorandum saktësohet "për sa kohë mjetet kombëtare janë disponibël".

Ndryshime të kushtëzuara nga historia në Evropë

Megjithatë plani nuk pritet të jetë i thjeshtë në zbatim dhe kjo u bë e qartë gjatë prezantimit të memorandumit. Sistemet e kualifikimit profesional në Evropë janë zhvilluar me ndryshime të mëdha në dy shekujt e fundit dhe harmonizimi nuk është i thjeshtë. Nevoja për reforma u pranua nga të gjitha vendet pjesëmarrëse në konferencë por idetë e tyre kanë pak të përbashkëta me sistemin dual gjerman.

Në Mesjetë dhe në fillimet e kohërave moderne kualifikimi profesional ishte shumë i ngjashëm kudo në Evropë. Të rinjtë mësonin kryesisht pranë një mjeshtri një zanat dhe pastaj shkonin për të mësuar më shumë në punishte të tjera, jo rrallë në të gjithë Evropën. Në Gjermani rreth vitit 1870 u fut shkolla profesionale, e cila krahas kualifikimit në praktikë përcillte bazat teorike dhe njohuri të përgjithshme të lidhura me profesionin. Kështu ka mbetur deri sot. Të rinjtë kanë një kontratë kualifikimi me një sipërmarrje, e cila megjithatë duhet t'u japë kohë të lirë për ndjekjen e shkollës profesionale.

NJë klasë me nxënës.
Shkollimi me çmim të lartë.Fotografi: picture alliance/dpa

Në pjesën më të ma dhe të vendeve të tjera evropiane kualifikimi profesional gjithnjë e më shumë u transferua në bankat e shkollës ose mori orientim akademik. Vetëm pas përfundimit të një shkolle profesionale apo shkolle të lartë politeknike, të rinjtë mund të kërkojnë një sipërmarrje si punëdhënës. Para kësaj, përvoja në jetën e punës mund të fitohet vetëm përmes praktikave. Ndërkohë që të rinjtë gjermanë pas periudhës së kualifikimit shpesh punësohen nga sipërmarrja ku kanë kryer kualifikimin, në vende të tjera pas përfundimit të kualifikimit profesional jo rrallë ata janë të papunë.

Përfytyrimet e vendeve partnere

Se si mund të arrihet një lidhje më e fortë e praktikës me teorinë në këto vende, mbeti e paqartë. Ministri portugez i Arsimit Nuno Crato, propozoi që të rinjve, në bashkëpunim me shkollat e larta politeknike, t'u ofrohet një kualifikim me orientim praktik. Zv/ministri grek i Arsimit Theodoros Papatheodorou, njoftoi në kuadër të një plani kundër kundër papunësisë tek të rinjtë, i cili është në hartim e sipër, marrjen e masave pilot për një sistem dual. Partnerët socialë, pra punëdhënësit dhe sindikatat, duhet të bëhen aktivë dhe të ofrojnë vende të tilla kualifikimi. Për këtë BE duhet të verë shpejt në dispozicion mjetet financiare, theksoi Papatheodorou.

Gjermanët përfitojnë nga kjo inisiativë

Që mbështetja e sistemit dual në Evropë nuk është fare pa interes për Gjermaninë këtë ministrja Schavan nuk e fshehu. Ajo shpreson që kështu të mund të përftojë nga jashtë fuqi punëtore të kualifikuar mirë, çka është e nevojshme për Gjermaninë në sfondin e plakjes së popullsisë. Për krijimin e rrjeteve rajonale të kualifikimit, ministrja gjermane e Arsimit do t'u drejtohet fillimisht sipërmarrjeve gjermane, të cilat kanë aktivitet në vendet partnere. Ato e njohin sistemin dual dhe mund të jenë kështu "pioniere" për përhapjen e këtij sistemi, theksoi Schavan. Në konferencë u bë e qartë se fjala është për një projekt afatgjatë dhe jo për një mjet me veprim të shpejtë kundër papunësisë tek të rinjtë.