1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania e sinqertë - gjenocid ndaj armenëve

Për dekada qeveritë gjermane i shmangeshin fjalës gjenocid, kur përkujtonin masakrën ndaj armenëve para 100 vjetësh. Parlamenti tani është imponuar për një qendrim të qartë. E është mirë kështu, mendon Richard Fuchs.

Në thelb nuk kemi të bëjmë vetëm me një fjalë: gjenocid. E megjithatë është çliruese që tani si presidenti Joachim Gauck, ashtu edhe deputetët në Bundestagun gjerman artikuluan atë, që ndërkohë konsiderohet si dije e sigurtë historike: në territorin e ish-Perandorisë Osmane në vitin 1915 ka pasur një dëbim dhe shfarrosje të planifikuar të armenëve.

Lammert: "Ky ka qenë gjenocid"

Ndërsa qeveritë federale gjermane deri tani duke pasur kujdes ndaj aleatit të NATO-s Turqisë nuk e kanë përmendur me emër këtë fakt historik, parlamenti dhe presidenti tani imponuan për një qendrim të qartë. "Ky ka qenë një gjenocid", me këtë presidenti i Bundestagut Nobert Lammert i dha fund çdo mëdyshjeje në orën përkujtimore në Bundestag. Kjo padyshim do të provokojë një stuhi indinjate të qeverisë turke. E ndoshta kjo mund të ndjellë edhe ndonjë krizë diplomatike, që një qeveri e stërvitur për ekuilibër do të kish preferuar më mirë ta evitonte. Por pavarësisht riskut për grindje, ky pozicionim i qartë historik ia vlente. Për një arsye të thejshtë: Një heshtje e krimit asnjëherë nuk ka bërë të mundur, që t'u jepen fund armiqësive mes njerëzve dhe popujve. E në marërdhëniet armeno-turke ka mjaft reminishenca, që duhen tejkaluar.

E në këtë kontekst kemi të bëjmë me shumë me tepër se sa vetëm me reduktimin e krimit në një term. Nuk është fjala aq për termin juridik gjenocid, siç përkufizohet ai në Konventën Ndërkombëtare të vitit 1948. Shumë më tepër përdorimi i këtij termi ndihmon për të kuptuar dimensionin e këtij krimi në atë kohë. Kjo është e rëndësishme, nga njëra anë për t'u kthyer dinjitetin viktimave të atëhershme dhe për të njohur vuajtjen e tyre me të gjitha ato që kanë përjetuar. E nga ana tjetër është e rëndësishme, sepse në rast të kundërt brezat e ardhshëm do të përçojnë edhe më tej këtë rrëfim të harruar nga historia, i cili hedh farën për konflikte të mëtejshme.

Bashkëfajësi gjermane, përgjegjësi gjermane

Njohja e krimit të atëhershëm si gjenocid kurrësesi nuk është ndërhyrje e Gjermanisë në çështjet turko-armene. Por ajo është më shumë shprehje e vonuar e bashkëfajësisë gjermane, po, pjesërisht e të qenit bashkëvepruese në gjenocid. Perandoria gjermane qendroi indiferente, kur pushtetmbajtësit xhonturq përmes dëbimeve dhe ekzekutimeve të armenëve kristianë synonin të krijonin një shtet homogjen etnik. Për gjermanët ishte më i rëndësishëm avantazhi i vet i luftës se sa parandalimi i një krimi ndaj njerëzimit - një krim, që përveç gjermanëve ndoshta askush tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta ndalonte. Nga kjo indiferencë kundrejt fatit të armenëve shtohet bashkëpërgjegjësia gjermane - e kjo përgjegjësi tani u vu në vend prej Bundestagut gjerman.

Bundestagu si vendi ku troket ora e së vërtetës

Udhëzimet e superioriteti i gjermanëve nuk luajnë asnjë rol në këtë kontekst. Askush këtu në vendin tonë nuk e bën përgjegjëse Turqinë e sotme për atë që ka ndodhur para 100 vjetësh. Por siç u shpreh me vend presidenti i Bundestagut Norbert Lammert: "Qeveria turke është përgjegjëse për atë se si do të jetë më vonë ky përkujtim." Deri tani Ankaraja e mohon, që faktet historike si ato të vitit 1915 mund të vihen nga një parlament në kontekstin e tyre historik. Sipas argumentimit të Ankarasë për këtë ka gjykata, e vetëm ato kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë. Por pas seancës në Bundestagun gjerman është e qartë: veçanërisht një parlament është vendi i përshtatshëm për t'u komportuar ndaj kapitujve të errët të historisë. Sepse nëse presidenti dhe Bundestagu një krim e quajnë krim, me këtë ata nuk tregojnë se janë ata që kanë të drejtë, apo se janë kokëfortë - e ç'është më e rëndësishmja se janë harraqë ndaj historisë. Përkundrazi: nisur nga fakti i bashkëfajësisë gjermane në gjenocidin ndaj armenëve me këtë Gjermania tregohet në radhë të parë: e sinqertë.

DW.COM