1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania e shqetësuar për fatin e Timoshenkos

Shtohet presioni politik ndaj Ukrainës për ish-kryeministren në grevë urie. Gjermania i bën thirrje Ukrainës të respektojë të drejtat e zonjës Timoshenko. Presidenti gjerman Joachim Gauck anuloi një vizitë në Jaltë.

Julia Timoshenko

Julia Timoshenko

Për shkak të rrethanave aktuale në Ukrainë presidenti gjerman Joachim Gauck ka anuluar pjesëmarrjen e tij në një takim presidencial në mes të majit në Jaltë. Kështu njofton gazeta "Süddeutsche Zeitung". Kjo është bërë në konsultim me kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU), shkruan gazeta në numrin e saj të ditës së enjte (26.04.). Anulimi i pjesëmarrjes në takim ka të bëjë me shqetësimin e thellë të qeverisë federale mbi fatin e ish- kryeministres Julia Timoshenko, e cila është e sëmurë rëndë në burg dhe është futur në një grevë urie.

Gjermania i bën thirrje Ukrainës për Timoshenkon

Ambasada e Ukrainës në Berlin është informuar se presidenti Gauck nuk do t'i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje në takimin e presidentëve të Evropës Qendrore në mes të majit në Jaltë të Ukrainës, konfirmoi zyra e presidentit njoftimin e gazetës. Me këtë rast një zëdhënës i Gauckut theksoi se "udhëtimet e presidentitt federal jashtë vendit bëhen gjithmonë në konsultim të ngushtë me qeverinë federale."

Julia Timoshenko ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore

Julia Timoshenko ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore

Ministrja e Drejtësisë, Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP) deklaroi për gazetën 'Passauer Neue Presse' se: " Qeveria gjermane i bën thirrje Ukrainës që të heq dorë nga çdo veprim që shkel të drejtat e zonjës Timoshenko. Ajo ka nevojë për një trajtim mjekësor urgjent." Në këtë mënyrë po shtohet presioni politik ndaj Ukrainës që të ndërprejë praktikat e shkeljes së të drejtave të njeriut.

Ministrja tha se nuk pret shumë nga thirrjet për bojkotimin e Kampionatit Evropian të Futbollit në Ukrainë, i cili pritet të fillojë pas pak javësh. "Ne duhet të vazhdojmë bisedimet me qeverinë e Kievit. Përndryshe nuk do të arrijmë të bëjmë asgjë për zonjën Timoshenko", tha Sabine Leutheusser-Schnarrenberger.

Reduktim i kontakteve gjatë Kampionatit Europian

Timoshenko konsiderohet si një viktimë e hakmarrjes politike të drejtësisë. Hakmarrja kryhet me kërkesën e presidentit Viktor Janukoviç. Në vitin 2004 Timoshenko ndodhej në krye të Revolucionit të Portokalltë të drejtuar kundër Janukoviçit. Politikanët gjermanë ndodhen edhe para marrjes së vendimit nëse për shkak të rastit Timoshenko do të udhëtojnë në qershor për në Ukrainë për të parë tre ndeshjet e para të kombëtares gjermane në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit. Sipas gazetës "Süddeutsche Zeitung" po mendohet që në udhëtimet e mundshme të presidentit federal, kancelares apo ministrave për të përcjellur ndeshjet e kombëtares gjermane të reduktohen në minimum kontaktet me udhëheqjen ukrainase.

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle

Po ashtu edhe i ngarkuari i qeverisë gjermane me të drejtat e njeriut, Markus Löning kërkoi lirimin e ish-kryeministres së Ukrainës: " Sipas mjekëve ajo nuk është në gjendje as për tu marrë në pyetje. Çdokush ka të drejtë për një proces korrekt dhe trajtim mjekësor", i tha politikani i FDP-së gazetës 'Passauer Neuen Presse'.

Trajtim i Timoshenkos në Gjermani

"Marrëveshja e Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Ukrainës sapo është nënshkruar", i tha të enjten (26.04.) kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestag, Ruprecht Polenz gazetës 'Kölner Stadt-Anzeiger'. "Nëse ajo mund të hyjë në fuqi varet edhe nëse qeveria në Kiev do të lëvizë në rastin e Timoshenkos dhe do të lejojë një kujdes të duhur mjekësor në Gjermani ose në një vend tjetër."

Lidhur me këtë është shprehur edhe ministri i Jashtëm gjerman Gudio Westerwelle: "Qeveria Federale është e shqetësuar thellë për shëndetin e Julia Timoshenkos, sidomos pas grevës së urisë që ka nisur ajo. Përveç kësaj ne e dimë se edhe të burgosur të tjerë nga radhët e opozitës në burgjet ukrainase janë të sëmurë seriozisht. Këtë e them fuqishëm: Ne presim nga qeveria e Ukrainës që Julia Timoshenko dhe të burgosurit e tjerë të kenë një trajtim të mirë, trajtim të duhur mjekësor. Ukraina duhet të respektojë detyrimet e qarta ligjore për të trajtuar si duhet të burgosurit. Oferta e qeverisë federale për trajtimin mjekësor të Julia Timoshenkos në Gjermani qëndron ende", tha shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerewelle.

Autor: dpa / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani