1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania e "Gjelbër" tërheqëse për amerikanët

Lindita Arapi6 Qershor 2011

Para vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel në Uashington presidenti amerikan, Barack Obama në intervistën e parë me një media gjermane, gazetën "Berliner Tagespiegel", lëvdoi politikën energjitike të Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/11V6f
Presidenti i SHBA, Barack Obama
Presidenti i SHBA, Barack ObamaFotografi: AP

Pasi shpreh gëzimin, që ekonomitë e të dyja vendeve aktualisht po njohin rritje, Obama ka theksuar se aktualisht Shtetet e Bashkuara kanë çfarë të mësojnë nga Gjermania, sidomos në aspektin e zbatimit në ekonomi të politikës për ruajtjen e ambientit. Gjermania ka treguar se si me më shumë angazhim për klimën mund të arrihet më shumë rritje ekonomike, tha Obama për gazetën "Berliner Tagesspiegel".

Shumë firma gjermane kanë gjetur rrugë inovatore, se si në një ekonomi botërore gjithmonë në ndryshim të zgjerojnë teknologjitë e reja dhe të rrisin rëndësinë e tregut për vende pune ambientaliste. Edhe në Amerikë po punojmë në këtë drejtim, ka thënë Obama.

Obama: Gjermania e SHBA - në zemër të përpjekjeve për rritjen ekonomike

Të dyja vendet kanë përvoja të ndryshme, të cilat edhe përcaktojnë politikat ekonomike. Ne në Amerikë kemi kujtimin e kohës së depresionit të viteve 30-të, në Gjermani inflacioni i lartë ka lënë gjurmët e veta. Por qëllimet tona janë të njëjta. Ne jemi të një mendimi që tregjet duhet të funksionojnë dhe se Gjermania e SHBA duhet të qëndrojnë në zemër të përpjekjeve për rritjen e qëndrueshme dhe globale ekonomike. Gjermania ka arritur aktualisht suksese të mëdha në drejtim të punësimit, tha Obama. Me sa di unë, sot më shumë gjermanë se kurrë më parë në historinë e Gjermanisë së bashkuar kanë një punë.

Të martën Obama fton në një banket shtetëror për nder të kancelares Merkel në Shtëpinë e Bardhë. Në bisedimet bilaterale do të bëhet fjalë për gjendjen në Afganistan, krizën e borxheve në Eurozonë dhe debatin për pasuesin e drejtorit të FMN-së.

Autor: Lindita Arapi (afp, dpa)

Redaktoi: Auron Dodi