1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania dërgon trupa të ndërhyrjes së shpejtë në Kosovë

22 Prill 2012

Pas tensionimeve të fundit në veri, për shkak të zgjedhjeve serbe që do të mbahen me 6 maj, Bundesveri gjerman ka vendosur të dërgojë ushtarë shtesë në Kosovë. Ushtarë shtesë do të dërgojë edhe Austria.

https://p.dw.com/p/14iqD
Ushtarët gjermanë në veri të Kosovës
Ushtarët gjermanë në aksionFotografi: dapd

Përfundimisht ende nuk është vendosur se sa ushtarë shtesë do të dërgohen në Kosovë në kohën e zgjedhjeve presidenciale, parlamentare dhe lokale serbe, të cilat zhvillohen me 6 maj. Por Hake Bunks nga Komanda Kooordinuese e Ndërhyrjes në Potsdam ka bërë të ditur për disa media gjermane se ata kanë vendosur që të dërgojnë trupa shtesë në Kosovë, njofton agjensia e lajmeve dpa. Ndërsa portali i internetit «Spiegel Online» shkruan se në Kosovë do të dërgohen rreth 550 ushtarë shtesë. "Pa saktësuar të dhënat këto të dhëna pak a shumë janë të vërteta", konfirmoi Bunks.

Veturë e KFOR-it
KFOR-i kërkon trupa shtesëFotografi: picture-alliance/dpa

Vendim përfundimtar do të merret këto ditë. «Spiegel Online» pohon se përveç ushtarëve gjermanë, në Kosovë do të dërgohen edhe rreth 150 ushtarë nga Austria.

Trupat shtesë janë kërkuar të premten

Komandati i trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë (KFOR) ka kërkuar trupa shtesë të premten, si garanci për sigurinë në kohën e shtimit të tendosjeve në prag të zgjedhjeve. Po të premten në mbrëmje, deputetë të caktuar të Bundestagut gjerman u informuan për dërgimin e trupave gjermane në Kosovë. Vetëm pak muaj më parë, trupat e NATO-s në Kosovë janë zvogëluar në gjithsej 5300 ushtarë, ndër ta 1300 ushtarë janë nga Gjermania. Por në Gjermani ekziston edhe njësia rezervë që mund të mobilizohet shpejt dhe të mbështesë këtë mision në momentet e duhura. Ajo duhet të jetë e vendosur në Kosovë në fillim të majit, sepse në këtë kohë pritet rritja e tendosjeve për shkak të dëshirës së serbëve që në disa pjesë të Kosovës të organizojnë votime për zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale të Serbisë.

Pritet që trupat e ndërhyrjes së shpejtë të angazhohen që prej 1 majit.

Misioni i Bashkimit Evropian Eulex ka forcuar në veri prezencën e tij për shkak të këtyre zgjedhjeve.

Kosovo Serbs clash with Trazirat në Kosovë
Trazirat e vitit të kaluarFotografi: dapd

Njësi shtesë gjermane kanë qenë në Kosovë edhe gjatë vitit të kaluar, për shkak të tendosjeve të atëhershme dhe mundësisë së shkallëzimit të konfliktit, si pasojë e tendosjeve në kufirin verior të Kosovës.

Shkaqet e tendosjeve

Kosova e ka shpallur pavarësinë para katër vitesh. Pavarësinë e saj e kanë njohur deri tani gati 90 shtete, por jo edhe Serbia e cila edhe më tej e trajton Kosovën si pjesë të territorit të saj. Serbët e veriut muajt e fundit kanë bllokuar rrugët dhe ende kundërshtojnë të gjitha përpjekjet e qeverisë në Prishtinë për vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të Kosovës dhe për kontrollimin e kufirit. Ditët e kaluara situata është shkallëzuar pas një shpërthimi dhe vrasjes së një shqiptari në veriun e banuar me shumicë serbe. Beogradi ka kërkuar që edhe në këtë pjesë të organizohen zgjedhjet lokale të Serbisë, por qeveria në Prishtina ka bërë të ditur se do t'i evitojë ato me të gjitha mjetet.

Autor: Dpa/Spiegel Online/ Bahri Cani

Redaktoi: Elert Ajazaj