1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania do të zgjerojë misionin ushtarak në Mali

Pak pas mbledhjes së qeverisë në Berlin, që vendosi zgjerimin e misionit të Bundesverit në Afrikën Perëndimore, ministrja e Mbrojtjes mori avionin. Destinacioni: Senegali dhe Mali.

Vizitën e trupave ministrja von der Leyen e filloi në Senegal në Afrikën Perëndimore. Të mërkurën (05.02.) pasdite vonë ministrja gjermane e Mbrojtjes mbërriti në aeroportin e kryeqytetit Dakar. Atje ajo takoi ushtarë gjermanë dhe homologun e saj senegalez Augustin Tine. Pas bisedës me Tine, von der Leyen tha se situata e sigurisë në Mali iu paraqit asaj si e qendrueshme dhe nën kontroll. Por terroristët ende nuk janë çarmatosur. "Ekziston edhe më tej një potencial rreziku", tha ajo. "Duhet të mbetemi vigjilentë dhe ta injorosh problemin nuk do të thotë që ai është zgjidhur."

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen në Senegal 05.02.2014

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Ursula von der Leyen në Senegal 05.02.2014

Bundeswehr merr pjesë që prej verës 2013 në misionin e OKB-së MINUSMA në Senegal dhe në vendin fqinjë Mali me aktualisht 800 ushtarë. Në Mali ushtarët gjermanë veç kësaj që prej verës marrin pjesë edhe në misionin e BE-së EUTM Mali. Deri tani atje janë stacionuar edhe rreth 100 ushtarë të tjerë. Detyrat e tyre janë stërvitja e ushtarëve të Malit dhe mbështetja në përkujdesin mjekësor. Von der Leyen e quajti punën e tyre "të vlefshme dhe të pazëvendësueshme".

Mandati duhet të zgjerohet

Qeveria federale gjermane vendosi të mërkurën (05.06.) zgjerimin e pjesëmarrjes gjermane në misionin stërvitor të BE-së në Mali nga kufiri maksimal prej 180 ushtarë, në 250. Vendimi duhet të miratohet nga Parlamenti federal (Bundestag). Pas mbledhjes së kabinetit von der Leyen u nis menjëherë për në Afrikë.

Këtë të enjte ministrja udhëtoi për në Mali. Fillimisht ajo do të zhvillojë bisedime politike në kryeqytetin Bamako. Më pas do të udhëtojnë për në Koulikoro, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit, ku Bundeswehr stërvit pionierët e ushtrisë së Malit. Ky është misioni i cili sipas vendimit të qeverisë gjermane, duhet të zgjerohet.

Kontingjenti për misionet jashtë vendit nuk është ezauruar

Ursula von der Leyen në Mali

Ursula von der Leyen në Mali

Aktualisht rreth 5000 ushtarë të Bundeswehrit gjenden në misione jashtë Gjermanisë, pjesa më e madhe në Afganistan dhe në Kosovë. Von der Leyen së fundi ka kërkuar një angazhim më të fortë ndërkombëtar të ushtrisë gjermane. Megjithë detyrat e reja në Afrikë ministrja nuk mendon se Bundeswehri ka arritur në kufijtë e ngarkesës së përballueshme. "Ka pasur kohëra kur në misione kanë qenë 11.000 ushtare dhe ushtarë të Bundeswehrit. Aktualisht janë ende 5000 pasi misioni në Afganistan është drejt fundit", tha ajo në Dakar. Edhe inspektori i përgjithshëm i Bundeswehr-it Volker Wieker, tha qartë se ushtria gjermane ka kapacitete për të përmbushur detyrat e reja.

Ndërsa i ngarkuari i Bundestagut për ushtrinë, Hellmut Königshaus, kishte deklaruar më parë kufijtë e ngarkesës së përballueshme nga Bundewehr-i të paktën në disa fusha janë arritur e madje kapërcyer.