1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania do të marrë pjesë në misionin EULEKS

Qeveria gjermane hap rrugën për pjesëmarrjen e Gjermanisë në misionin e EULEKS-it në Kosovë. Këtë e bëri të ditur të mërkurën në Berlin zëdhënësi i qeverisë, Ulrih Vilhelm (Ulrich Wilhelm)

Qeveria aktuale e RFGJ

Qeveria aktuale e RFGJ

Vilhelm: "Mbështetja ndaj Kosovës është ndihmesë e rëndësishme në plotësimin e qëllimit prioritar të BE-së, afrimin e Kosovës dhe vendeve fqinje në struktrat evropiane".

Gjermania do të marrë pjesë me më së shumti 180 nëpunës, tha Vilhelm më tej. Ata do të jenë policë, gjykatës dhe juristë, si nga federata ashtu edhe nga landet gjermane. Deri tani janë përzgjedhur gjithsej 129 gjermanë, prej tyre 98 policë.

Vilhelm: "Misioni ndodhet në fazën e kalimit të kompetencave nga UNMIK-u tek Euleksi (EULEX) dhe ne do të angazhohemi edhe tek përfaqësuesi i lartë i BE-së, Solana, që ky kalim të bëhet sa më shpejt dhe pa fërkime".

Pjesëmarrja e Gjermanisë në misionin e EULEKS në përgjithësi mbështetet nga shumica e partive politike të përfaqësuara në parlamentin gjerman. Rezerva kanë shprehur sërish liberalët për shkak të bazës së paqartë ligjore të misionit dhe mospranisë së tij në veri, ku jetojnë në shumicë serbët. Deputeti i kësaj partie, Rainer Shtiner, në një deklartë për shtyp ka kërkuar mes të tjerash që Eulex-i të përfaqësohet në të gjithë territorin e Kosovës:

Shtiner: "Tërheqja e misionit parapërgatitor të EULEKS-it nga veriu i Kosovës është një shenjë shqetësuese. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të reagojë ndaj strategjisë së hapur të Serbisë për ta shkëputur veriun nga Kosova. Ndryshimet e kufijve janë të papranueshme."

Gjermania ishte një nga vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës, qysh më datën 20 shkurt. E vetmja parti që vazhdon ta kundërshtojë këtë vendim është Partia e Majtë. Ajo ndërkohë ka kërcënuar se do ta padisë qeverinë për këtë hap, që sipas saj shkel të drejtën ndërkombëtare. Vilehelm e hodhi poshtë këtë akuzë dhe e quajti atë të pabazë.

Misioni Euleks do të mbështesë Kosovën në ndërtimin e institucioneve shtetërore. Ai përfshin gjithsej 1829 ekspertë ndërkombëtarë, prej tyre 1400 policë. Pjesa tjetër janë juristë dhe doganierë. Misioni ka një kohëzgjatje fillimisht prej dy vjetësh. Për 16 muajt e parë shpenzimet janë parashikuar të arrijnë shifrën prej 205 milionë euro.

  • Data 05.03.2008
  • Autor Anila Shuka/Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DIrt
  • Data 05.03.2008
  • Autor Anila Shuka/Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DIrt