1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Gjermania dhe Polonia do të intensifikojnë marrëdhëniet

Gjermania dhe Polonia angazhohen në një mbledhje të përbashkët të të dyja qeverive në përvjetorin e 20-të të marrëveshjes së miqësisë të thellojnë marrëdhënie.Varshava përgatitet të marrë presidencën e radhës të BE.

Kancelarja Merkel dhe kryeministri Tuska pas konsultimeve qeveritare

Kancelarja Merkel dhe kryeministri Tuska pas konsultimeve qeveritare

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri polak Donald Tusk ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin midis dy vendeve të tyre, në një kohë kur Polonia përgatitet të marrë për herë të parë presidencën e radhës të BE, në 1 korrik.

Merkeli u përpoq të zbutë rezervat e Polonisë për një marrëveshje midis Berlinit dhe Moskës, për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili do të lidhte drejtpërdrejt Gjermaninë dhe Rusinë nën detin Balltik. Polonia ka shprehur rezerva, se gazsjellësi mund të ndikojë në mënyrë negative biznesin e anijeve në qytetet port të Polonisë, Szczecin dhe Swinoujscie. "Ne kemi thënë gjithmonë se nuk duam të avancojmë një projekt në kurriz të një vendi tjetër, veçanërisht jo të fqinjit tonë, Polonisë," tha Merkeli.

Varshava dhe Berlini shprehën synimin e përbashkët për të zgjeruar gazsjellësit reciprokë dhe që të mbështesin dërgimin e naftës ruse përmes Polonisë në Gjermani. Dy fqinjët e Evropës qendrore afirmuan gjithashtu angazhimin e tyre për zgjerimin e BE dhe për thellimin e marrëdhënieve me Rusinë.

Zyrtarët gjermanë dhe polakë diskutuan gjithashtu mundësinë e hapjes së një ambasade të përbashkët jashtë vendit.

Punë e përbashkët në BE

Para fillimit të bisedimeve, ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle dhe ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski publikuan një artikull të përbashkët në gazetën gjermane Märkische Oderzeitung dhe në gazetën polake Gazeta Wyborcza, në të cilin bënë thirrje për një thellim të marrëdhënieve midis të dyja vendeve dhe thanë se shpresojnë që të japin energji të re BE.

Të dy ministrat thanë që eleminimi i kufijve të brendshëm brenda zonës së Shengenit "ishte një nga arritjet më të shënuara të integrimit evropian" dhe paralajmëruan kundër rifutjes së kontrollit të pasaportave, siç kanë propozuar kohët e fundit disa vende. Vala e emigrantëve ilegalë në Evropë është një problem me të cilin duhet të përballemi, por jo në një mënyrë të tillë që të dobësojë lirinë e qarkullimit të lirë në Evropë.

Synime të përbashkëta

Vizita e së martës shënon përvjetorin e 20-të të marrëveshjes së miqësisë të nënshkruar nga të dyja vendet pas ribashkimit të Gjermanisë më 17 qershor 1991. Kjo marrëveshje i ripërcaktoi lumenjtë Oder dhe Neisse si kufijtë midis dy kombeve dhe i dha Polonisë mbështetje për ambiciet e saj për anëtarësim në BE. Gjermanëve që jetonin në Poloni iu dha statusi i minoritetit dhe u krijua një numër institucionesh dhe programesh bashkëpunimi dhe të shkëmbimit dypalësh. "Kjo marrëveshje vërtet na mundësoi që të ndryshojmë për mirë marrëdhëniet midis Polonisë dhe Gjermanisë, mbi të cilat kishin hedhur hijen e rëndë ngjarje dramatike dhe nganjëherë tragjike", tha kryeministri polak, Tusk.

Në takimin e së martës, të dyja palët hartuan edhe një listë të re synimesh, duke përfshirë lidhje hekurudhore të shpejtësisë së lartë dhe një gazsjellës midis vendeve, zgjerimin e departamenteve të studimeve për Poloninë në universitetet gjermane dhe një partneritet të ngushtë brenda BE.

Autor: Spencer Kimbali, Holly Fox/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM

  • Data 22.06.2011
  • Fjalët kyç merkel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11gPf
  • Data 22.06.2011
  • Fjalët kyç merkel
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/11gPf