1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Gjermania dhe imazhi si gogol i Eurozonës

Në ndihmat financiare për vendet në krizë të BE, Gjermania paguan pjesën e luanit. Por ajo kritikohet kur do kursime. Që Gjermania të shpëtojë nga imazhi i gogolit të Eurozonës nevojitet më shumë integrim.

Kur bëhet fjalë për ndihma financiare për vendet në krizë të BE, Gjermania paguan pjesën e luanit - por është bërë edhe sinonim për direktiva kursimi të papreferuara. Që Gjermania të shpëtojë nga imazhi i gogolit të Eurozonës nevojitet më shumë integrim.

Që prej fillimit të krizës së euros, në shumë vende të BE syri të zë të njëjtat pamje: demonstrues të zemëruar mbajnë pllakata me pamje të kancelares gjermane Angela Merkel në uniformë të SA (=Sturmabteilung, organizatë politike dhe e armatosur e Partisë Nacionalsocialiste të Hitlerit), me kryqin e thyer ose me mustaqe Hitleri. Kundërshtarët e masave të kursimit u kthehen krahasimeve me nazistët për të shprehur pakënaqësinë e tyre, qoftë në Greqi, në Itali apo në Qipro.

Klima antigjermane e ka pasur kulmin e saj deri tani fundjavën e kaluar në faqen e internetit të gazetës së përditshme franceze "El Pais", ku Juan Torres Lopez, profesor i shkencave ekonomike në Sevilja e krahasoi Angela Merkelin me Adolf Hitlerin. "Si Hitleri, Angela Merkeli i ka shpallur luftë pjesës tjetër të kontinentit, vetëm se këtë herë bëhet fjalë për sigurimin e hapësirës ekonomike për të jetuar," shkroi profesori. Artikullin ndërkohë e hoqën nga faqja e internetit.

proja po përjeton kohë të vështira

Qiproja po përjeton kohë të vështira

Ajo për të cilën bëhet fjalë është se kush e ka ndikimin më të madh në sistem, e shpjegon Janis Emmanoulidis rolin e natyrshëm drejtues të Gjermanisë. "Të gjithë i hedhin sytë nga Gjermania, për shkak të madhësisë së saj dhe sepse ky vend e ka përballuar krizën më mirë se të tjerët", mendon eksperti i "European Policy Center" në Bruksel në bisedë me DW. "Zëri i Gjermanisë është më i forti dhe ka më shumë peshë."

Prusianë të rreptë

Megjithatë: "Gjermanët", sipas Derek Scallyt, janë kthyer në Eurozonë në sinonim të "hegjemonisë, disiplinës ose kursimit". Korrespondenti i Berlinit i "Irish Times" jeton që prej 13 vjetësh në kryeqytetin gjerman dhe është marrë disa herë me problemin në rritje të imazhit të gjermanëve në kohë krize. Njerëzit kanë një përfytyrim "për pedantë prusianë me rregulla të qarta - dhe rregullat duhen ndjekur, në djall të vejë realiteti politik."

Mediet në shumë vende kanë ndikuar në masë të konsiderueshme për ta forcuar këtë imazh, mendon Scally. Në kohë të mira, diskutimet në politikën e brendshme të gjermanëve pak a shumë janë injoruar, deklaron korrespondenti irlandez. Por në kohë krize, mediet "nuk kanë gjë tjetër në dorë veç stereotipeve gjermane dhe paragjykimeve" - kështu përfytyrohet atëherë se bëhet edhe politika në Gjermani. Raportet qeveritare për shtimin e varfërisë në familjet gjermane, për shembull, zakonisht injorohen.

Historia gjermane - jo së fundi e kaluara naziste- e bën Gjermaninë një shenjestër të lehtë për akuza. Megjithatë, në fillim të krizës edhe gjermanët folën me ton të gabuar, deklaron Emmanoulidis. "Po të dëgjosh si lë të kuptojë kancelarja gjermane se grekët punokan më pak - të lind në mendje një imazh i caktuar." Sot ajo me siguri që nuk do të sillej më kështu, shton eksperti i Brukselit për BE.

Shpëtimtarë fisnikë

Qeveria gjermane ndodhet që prej ditës, kur ju desh të shpalosë strategjinë e saj të krizës në një dilemë të vërtetë, mendon Derek Scally. "Ajo ndodhet vërtet midis dy zjarresh", deklaron korrespondenti në intervistë me DW. "Si mund ta shesësh politikën tënde, pa u dukur ajo si dominuese?"

Merkel, Barroso dhe Hollande në Berlin,18.03.2013

Merkel, Barroso dhe Hollande në Berlin , 18.03.2013

Vende të vogla, të pasura preferojnë ta mbështesin fshehtas Gjermaninë, mendon Emmanoulidis. "Për disa në Hollandë dhe në Finlandë është e rehatshme që të fshihen pas gjermanëve."

Prandaj fajin për vështrimin evropianoverior të krizës ia hedhin në radhë të parë gjermanëve. Gazeta kryesore bulaverdeske gjermane dhe politikanë i hodhën benzinë zjarrit, kur kërkuan publikisht një falimentim të Greqisë, pa i kërkuar Greqia ende ndihmë partnerëve të tjerë. "Sipas interpretimit gjerman janë këto vendet në periferi, që e kanë tepruar 10 vjetët e fundit; tani është detyra e vendeve në qendër, si Gjermanisë, që t'i nxjerrë sërish nga gjendja e vështirë", deklaron Scally. Kjo natyrisht nuk u prit mirë në vendet e krizës.

Zilija është gjithashtu e pranishme

Vëzhguesit mendojnë se debati publik ka anashkaluar krejtësisht se në ç'masë varet vetë Gjermania nga Euroja për të mbijetuar ekonomikisht - megjithëse Angela Merkeli e thekson herë pas here lidhjen midis së ardhmes së euros dhe të ardhmes së BE në përgjithësi. Në një sistem të komplikuar, të ndërthurur, kapitali qarkullon njëherë këtej e njëherë andej, mendon Scally. "Përfytyrimi që bankat gjermane preferonin 10 vitet e fundit që ta investonin kapitalin e tepërt në vendet në periferi, sepse e quanin këtë ide të mirë, derisa gjithçka mori tatëpjetën - për këtë heshtet."

Gjermania nuk është në gjendje ta zgjidhë e vetme problemin e imazhit të saj, për këtë ekspertët janë të sigurtë. Pamjet me Angela Merkelin në uniformë naziste ndriçojnë gabimet në sistem të Eurozonës, të cilat duhet të korrigjohen, thotë Emmanoulidis. Ai shpreson që BE do të avancojë tani më shpejt drejt Bashkimit Bankar. Këtë e mbështet edhe korrespondenti Scally: në çdo situatë krize ekziston tendenca e kuptueshme që të tregohen me gisht të tjerët dhe veten ta nxjerrësh pa faj, thotë ai. Ai që e shfrytëzon këtë për kapital politik e minon të gjithë projektin.

Autor: Nina Haase/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti